Përbërësit për kryerjen e analizave, me prokurim të drejtpërdrejtë
Përbërësit që nevojiten për të kryer analizat do të mbërrijnë të plotë në spital në mes të muajit prill. Laboratori qendror në qendrën spitalore ka pasur probleme të vazhdueshme. Për pesë ditë në këtë laborator nuk u krye asnjë analizë, ndërsa tani laborantet mund të përballojnë çdo ditë punën për analizat e gjakut dhe të urinës. Në një mbledhje të ditëve të fundit në drejtorinë e spitalit "Nënë Tereza" është diskutuar gjatë mbi mungesat e reagentëve, medikamenteve dhe një pjese të pajisjeve të cilat vendosin në funksion aparaturat diagnostikuese. "Mungesat me medikamente, pajisje dhe reagentë për kryerjen e analizave do të zgjidhen duke përshpejtuar procedurat e tenderëve në mënyrë të tillë që spitali të furnizohet sa më shpejt me këto materiale. Do të ndiqet skema e prokurimit të drejtpërdrejtë", sqaroi zyrtarisht administrata e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Sipas zyrës së shtypit, shumica e mungesave në spital janë zgjidhur duke kryer blerje të vogla, të cilat nuk kalojnë shifrat e 300 mijë lekëve. Problemi i mungesave të reagentëve ka ardhur si pasojë e moskryerjes së tenderëve në kohën e duhur.
Mungesa e përbërësve
Dy javë më parë, për pesë ditë me radhë, në këtë spital nuk janë bërë analizat e kërkuara nga mjekët për të vazhduar normalisht punën. Personali e ka pasur tepër të vështirë punën e përditshme, për vendosjen e diagnozës, trajtimin, kurimin, apo qoftë edhe për të ditur gjendjen e pacientit në rast se nevojitet që ai të operohet me urgjencë. Këtë vit, mungesat në spital nuk janë më risi, sepse pacientët pothuajse po blejnë gjithçka, por në listën e "zezë" të mungesave po futen edhe reagentët e nevojshëm për të kryer analizat, të cilët nuk mund të blihen lirshëm në tregun privat. Faktin e mungesave e ka pranuar edhe drejtoria e spitalit, e cila numëron çdo ditë nga 5 deri në 10 ankesa për mungesa të reagentëve, grafive, pajisjeve të tjera për të vendosur në përdorim aparaturat diagnostikuese. Pasi problemi i analizave u bë publik nga gazeta "Shqip", reagoi dhe Partia Socialiste, duke ironizuar shëndetësinë me frazën: "Fëmijët të mos sëmuren në këtë kohë". Por drejtoria spitalore u shpreh zyrtarisht se tenderët nuk janë zhvilluar, pasi firmat nuk kanë zbatuar rregullat me përpikmëri.
Tenderët
"Shkaku kryesor për mosrealizimin e këtyre procedurave të prokurimit ka qenë mospërmbushja e kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktor nga ana e shoqërive pjesëmarrëse.
Gjithashtu, paraqitja e ankesave nga disa shoqëri pjesëmarrëse për këto procedura prokurimi, ka bërë që të pezullohet afati i procedurave të prokurimit, dhe si pasojë e kësaj, nuk është bërë e mundur që të realizohen në kohë këto procedura", sqaroi zyrtarisht QSUT-ja. Ndërsa është premtuar se me përshpejtimin e procedurave tenderuese, reagentët për kryerjen e analizave do të mbërrijnë për pak kohë. Po ashtu, edhe medikamentet e aparaturat me pajisjet e munguara prej shumë kohësh.
SSSASS