E Diel, 1 Nëntor 2026

Besimtarët e krishterë kosovarë festojnë Pashkët

Besimtarët e krishterë në Kosovë kremtuan festën e Pashkëve, e cila simbolizon ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen, paqen dhe humanizmin. Ceremonia kryesore e besimtarëve katolikë, e cila njihet si “Mesha Kremtore e Ringjalljes” është mbajtur në qytetin e Prizrenit, në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” dhe është drejtuar nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

“Vëllezër dhe motra, më lejoni që të shpreh lutjet e zemrës time për gjithë njerëzit e Kosovës që të bashkohen në dashuri duke harruar konfliktet e vjetra dhe duke qenë të gatshëm për të falur, në mënyrë që në paqe të mund të jetojnë të ardhmen...Lus zotin që të nxit përgjegjësit por edhe njerëzit vullnet mirë që të rrisin kujdesin e tyre për pjesën më të brishtë të shoqërisë tonë, për të moshuarit, për të sëmurët, invalidët, jetimët, fëmijët e pafajshëm që po manipulohen dhe për familjet që jetojnë në varfëri të skajshme", uroi Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës.

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vizituar familjen e Millosh Maksimoviçit në komunën e Graçanicës, fëmijëve të së cilit ju dhuroi lodra dhe një kompiuter, ndërsa ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve.

“Festa e Pashkëve Ortodoks është një festë e mesazheve të mira për të gjithë njerëzit, festë e mesazheve të mira për bashkëpunim njerëzor dhe humanizëm, ndërsa kujdesi i institucioneve të vendit do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie e besimi”, uroi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Dëshiroj ta falënderoi Presidentin për urimet që u përcolli fëmijëve në festën e tyre më të madhe”, tha Millosh Maksimoviç, banor Serb i Komunës së Graçanicës. Pashkët paraqesin festën më të madhe të kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të gjithë botës së krishterë, me anë të së cilës kremtohet ringjallja e Jezus Krishtit, që sipas Besëlidhjes së Re, ka ndodhur tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›