E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nexhmie Hoxha 50 vitet e mia me Enverin

E përjashtoj lidhjen e Enverit me Dushanin pasi ai ka qenë fatkeqësia e Partisë Komuniste dhe fatkeqësi e Shqipërisë deri vonë, pra derisa ai vdiq. Ka qenë një njeri jashtëzakonisht i lig, i ulët, njeri i UDB-së, i fëlliqur, përdori shumë nga kuadrot që atëherë ,bëri një punë minuse. Ndërsa Miladini ishte ndryshe...

Ai vazhdonte të zgjidhej kryeministër dhe nëse thonë që jo, nuk e vrau veten por e vranë, atëherë ata ishin Kadri Hazbiu me shokët e tij, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë por duke i thënë që duhet të vrasësh veten se të ka zbuluar Enveri.

Mehmet Shehun e vranë njerëzit e tij, jo Enveri

Ndodhem përballë gruas që i ndenji pranë, për 50 vjet, Enver Hoxhës. Apo, siç i referohen tashmë, diktatori Hoxha. Ju bën përshtypje kjo fjalë?

Le të thonë ç’të duan, mua nuk më bën më përshtypje.

Një gjë është e sigurt, që 50 vjet kanë qenë diktaturë proletariati.

Çështje formulimi sistemesh, një sistem me ndryshime nga sistemi aktual por kjo nuk do të thotë gjë. Enver Hoxha nuk ka qenë diktator, as me mua, as me fëmijët e as me shoqërinë, me sa e njoh unë. Por mund të them se ka qenë personaliteti i tij i fortë, gjatë 50 viteve në pushtet, që i kishte vlerë fjala, që bëri ato që bëri. Nuk dua të bëj biografinë e tij nga fillimi por dua të theksoj që Enveri lindi në tetor të 1908 në Gjirokastër, pikërisht në prag të rënies së Perandorisë. Lindi në një familje atdhetare ku xhaxhai i tij ishte anëtar i Delegacionit Gjirokastrit në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë dhe gjyshi i Enverit, Beqir Hoxha, ishte anëtar i Lidhjes së Prizrenit dhe për këtë çështje është dekoruar.

Origjina e tij është Gjirokastra apo jo?

Origjina e tij është nga Gjirokastra ,por ato kishin ardhur para 2-3 shekujsh më parë nga një fshat i Dropullit. Në shekullin e XIV-të, siç thuhet që kanë qenë me origjinë katolike, Enveri më thoshte që mbiemrin e ka pasur Kola, se kanë qenë në një fshat afër Dropullit ku kishin pak dynym tokë, jo pronarë të mëdhenj. Megjithatë, të dy vëllezërit, babai dhe sidomos xhaxhai i Enverit, kanë qenë shumë të mësuar, dinin turqisht, arabisht, persisht. Kanë marrë titullin ‘mulla’ që në një farë pikëpamje ishin si gjykatës, si njerëz që vendosnin, por jo klerikë.

Ç’mund të na thoni për ardhjen e Enver Hoxhës nga Parisi në Shqipëri? Vjen si komunist Enver Hoxha në Shqipëri?

Enveri nuk ka qenë anëtar i Partisë as në Shqipëri dhe as në Francë sepse në Shqipëri nuk kishte ende Parti por s’ka qenë as anëtar i ndonjë grupi ndërkohë që unë isha. Por, ai kishte një formim te gjithanshëm nacionalist dhe kur erdhi në Korçë ishte ndër intelektualët e dalluar. Kishte dhe të tjerë që shkruanin artikuj sidomos në gazetën e famshme “Bota”, por ato nuk ishin në aktivizuar në grupet që ishin atëherë siç ishte Grupi i Korçës. Por, qëlloi që kjo gjë ndodhi në një vend ku kishte një entuziazëm të madh në luftën kundër fashizmit, pra ky ishte aktivizimi i parë. Kur Koço Tashko e pa se ishte një njeri që mund të bënte shumë gjëra, i leverdiste që ta merrte sepse në atë kohë, në krye ishte Koço Tashko i cili në vend që të bënte aktivitete pozitive, bëri aktivitet përçarës. Ose një tjetër ishte Miha Lako që ishte punëtor, por një autodidakt i shkëlqyer. Ai shkonte e vinte në Rumani pasi kishte lidhje me grupet tona.

Të ndaloj pak tek jugosllavët pasi ju përmendni pagesat që i bëheshin Miladin Popovicit dhe Dushan Mugoshës. Në fakt, roli i tyre është i dukshëm. Por a e zgjodhën ata Hoxhën, a ndikuan ata ne karrierën e mëtejme të tij?

E përjashtoj lidhjen e Enverit me Dushanin pasi ai ka qenë fatkeqësia e Partisë Komuniste dhe fatkeqësi e Shqipërisë deri vonë, pra derisa ai vdiq. Ka qenë një njeri jashtëzakonisht i lig, i ulët, njeri i UDB-së, i fëlliqur, përdori shumë nga kuadrot që atëherë ,bëri një punë minuse. Ndërsa Miladini ishte ndryshe. Ai ishte një njeri i edukuar, me kulturë, edhe ai një patriot por jo si serbët e tjerë që ishin kundra shqiptarëve. Dua të sqaroj diçka për faktin që thuhet se ishte Miladini ai që e ngriti Enverin. Miladini ishte një njeri që nuk dinte gjuhe te huaja, veç sllavishtes sepse ishte malazez. Nuk kishte qenë kurrë, jashtë Jugosllavisë në jetën e tij. Nuk mund të drejtonte ai asgjë në Shqipëri sepse nuk njihte asgjë nga jeta e Shqipërisë, të njerëzve, të grupeve nacionaliste. Ndodhi e kundërta, ishte ai që u ngrit nga Enveri, ai ishte një instruktor i mirë partie. Ai ndihmoi në mënyrën si organizohej organizata, konferenca e partisë, si bëhen zgjedhjet etj.

Kush e vrau Miladin Popovicin?

Është e qartë që si vrasje është organizuar nga vet UDB-ja dhe pikërisht kjo tregon se ai ishte dashamirës ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës, gjë që nuk e tregoi vetëm atëherë. E tregoi që kur ishte këtu. Që kur u hoq me kohë, sollën dy të tjerë derisa erdhi Velimir Stojnici që organizoi Beratin. U tërhoq për gabime dhe se ai pranoi deri vet-vendosjen e Kosovës, ndaj ata nuk ia falën Miladinit. Ata vunë më pas një shqiptar që e vrau, një i Ballit thoshin.

Kur kalojnë vitet mund të bëhet një pyetje e tillë Enver Hoxha dhe Koci Xoxe kishin pikëpamje të ndryshme , atëherë pse idetë e Enverit ishin të mira dhe ato të Koci Xoxes jo?

Unë e kam dëgjuar këtë në çdo rast, në çdo qëndrim që ka mbajtur Enveri madje në ato më të bukurat nga pikëpamja kombëtare, historike, qoftë për Traktatin e Varshavës, qoftë në Mbledhjen e Moskës para 81 partive. D.m.th të vendosësh e të demaskosh, Enveri se këto i bënte për personin e tij, me ngjan e kotë. Por nëse do mendonte vetëm për personin e tij, fare lehtë më mirë ndiqte rrugën e Titos dhe të dilte shëtitje si Tito nëpër botë, bashkë me mua, madje. Pse duhej ta bënte për pushtetin e tij, çfarë tregoi me pushtetin deri në fund? Ja ku jemi sot këtu. Gjithë jeta e tij ka qenë për të mirën e vendit, vetëm se ashtu e gjykonte te mirën.

Po armiqtë, ishin armiq të Hoxhës, apo të Shqipërisë?

Po si nuk kishim armiq. Që në 1953 kanë dashur të eksperimentojnë në Shqipëri si të rrëzohet pushteti i Enver Hoxhës, në kuptimin jo pse ishte Enver Hoxha, por ata donin Shqipërinë si një pikë strategjike. Ata vet e kanë shkruar nëpër dokumentet e tyre që donin të eksperimentonin se si do reagonte Bashkimi Sovjetik. Sepse në qoftë se nuk janë bërë disa gjëra, është sepse ishin ndarë zonat e influencës dhe ju e dini që u përpoq populli i Çekosllovakisë që të bënin Pranverën e Pragës por më në fund u futën takset dhe Brezhnievi i cili deklaroi për sovranitetin e kufizuar. Prandaj ishin disa momente që na bënin të mendonim se perëndimi nuk e luajti gishtin për Çekosllovakinë dhe prandaj atëherë dolëm nga Traktati i Varshavës pasi u trembëm se mos këtë herë Bashkimi Sovjetik do vazhdonte në Shqipëri. Këtu, gjej rastin të them për kthesën që bëri Enveri në politikën e tij. Ju e dini sesa ka folur ai kundër Titos, revizionizmit, titizmit etj. Por kur erdhi puna që interesi i Shqipërisë donte që të bashkëpunonte Jugosllavinë pasi i kërcënohej një rrezik i ri Shqipërisë nga Sovraniteti i Kufizuar, pra Traktati i Varshavës, Enveri jo vetëm që doli nga Traktati i Varshavës, gjë shumë e guximshme nga ana e tij. Sot thonë pse s’u bashkuam me perëndimin në një kohë që perëndimi nuk na ofroi asgjë. Dhe na kritikuan pse pas prishjes me Bashkimin Sovjetik u bashkuam me Kinën dhe jo me perëndimin. Por a mund ta industrializonte apo armatoste perëndimi Shqipërinë ashtu siç bëri Kina? Flas në kushtet që ishte Shqipëria në atë kohë pasi përndryshe i binte që të ndryshohej komplet sistemi. Prandaj nuk është lidhja apo tërheqja ideologjike që e bëri Enver Hoxhën të lidhet me Kinën. Ishin interesat e Shqipërisë që e bënë atë të lidhej me Kinën. Plus, perëndimin e gjykoi siç ata bene me Çekosllovakinë.

Nuk pati asnjë ofertë nga perëndimi, apo ju i injoronit?

Pati me një lloj indiference, mirë, por prano kushtet tona, këtë na thonin. Por që nuk u diskutua as për kushtet dhe kjo sepse nuk donin ta prishnin as me Bashkimin Sovjetik. Ishte një kohë që nuk ishte e lehtë të menaxhoje. Për shembull, vetë Bashkimi Sovjetik ishte bërë një rrezik për ne, duke na sugjeruar që të ndryshonim politikën, por nuk ishte kjo gjëja kryesore sesa fakti që ata donin që ta përdornin Shqipërinë për interesat e veta për Mesdheun dhe lidhur me superfuqinë tjetër. Dhe këtu Enveri mbajti një qëndrim mjaft kurajoz. Këto janë disa momente që një udhëheqës duhet të dijë kur merr një vendim. Dhe Enveri dinte.

Nëse do ju kërkoja tre fakte pozitive dhe negative të sistemit që drejtoi Enver Hoxha, cilat do përmendnit?

Dua të theksoj rolin e Enverit në lidhje me sukseset se vetëm gabimet kujtohen sot. Le të vëmë në dukje edhe atë që meriton. Ai ekonominë e përditshme nuk e ndiqte por strategjitë për gjërat më kryesore dhe planet kanë qenë 5 vjeçare por edhe më tepër për gjëra si bujqësia, nafta, elektriciteti. Në bujqësi, në luftë edhe me Hrushovin, me debate nëse kishim më shumë të ardhura nga buka apo nga agrumet. Ndërsa, Enveri bukën e vinte krahas me fishekun, buka është pavarësia thoshte ai. Ai nuk ishte natyrë që kishte dëshirë ta lajmëroje për shumë gjëra që në mëngjes, thoshte ditën do e filloj me letrat e popullit, por për naftën, edhe nga gjumi ta ngrije, nuk thoshte gjë. Tërë jetën ishte i bindur që Shqipëria ka naftë dhe jo vetëm se çfarë kanë bërë italianët, francezët, anglezët por edhe sovjetikët që erdhën qëllimisht për këtë gjë më specialistë. Sovjetikët thonin që këto po na sabotojnë ne sepse i dinë ku janë burimet e naftës dhe i mbyllin. Dhe tani çfarë po bëhet me këtë marrëveshjen që ka lindur me Teksasin, me Bush në këtë kohë ku kriza e naftës është e madhe. Dhe ata dhanë 13-fish për të siguruar edhe një burim nafte në Shqipëri.

Ai nuk e kishte zakon të merrte dokumente në shtëpi por planet e energjetikës për hidrocentralet i merrte me vete. Ai shikonte edhe aspektin politik të gjërave, ‘si do i përmbysim gjithë këto toka që janë të popullsisë’ thoshte, pra shikonte edhe aspektin social. Lidhur me sukseset, mjafton të shohim përfundimin në periudhën tonë. Popullsia u rrit me 3 herë, mesatarja e moshës së njeriut shkoi në 70 vjeç ndërkohë që ishte tek të 50-t dhe mesatarja e rinisë sonë shkoi në 26 vjeç. Kjo tregon një mirë qenie, megjithëse modeste, pasi unë e pohoj gjithmonë që ka qenë modeste. Nuk dua të lë mënjanë tek sukseset e tij ajo që u arrit tek kultura, në arte, në arsimimin se fitorja jonë më e madhe është që shoqëria kaloi nga gjysmë feudale ku jeta e gruas ishte në një nivel shumë të ulët. Nëse sot, në këtë sistem pas 20-vitesh lavdërohemi edhe në botë, me mjeshtërit tanë që po dallohen në fusha të ndryshme, kjo është në sajë të arsimit që ata kanë marrë gjate kësaj periudhe. Për herë të parë u bënë të gjitha gjërat, që nga baleti deri tek universiteti, akademia, hekurudha etj. Këtu, një rol të veçantë, pasi nuk dua ti rikthehem pas te roli i Enverit dhe i Koci Xoxes por Koci Xoxe ka qënë një fatkeqësi për inteligjencën, madje edhe për vet Enverin.

Po tek të këqijat, cila do pranonit ju?

Të punosh 50 vjet dhe të thuash që s’kam bërë gabime, nuk është e drejtë. Vetëm nga ana tjetër, reagimi i parë emocional, i imi apo i shokëve të mi, është se kemi qenë kategorike e se nuk kemi bërë gabime. Sepse është e vështirë që njeriu të pranojë gabime të cilat janë bërë, por jo me keqdashje, të cilat janë bërë me mendim të mirë por që ndoshta janë bërë nga padija, ose sepse ishte një rrugë e re që hapej, ose sepse kemi imituar vende që kishin kohë që ishin nën atë sistem, pasi nuk ishte pak por rreth një e gjashta e botës që po eksperimentonte me atë sistem, me ato parime. Prandaj gabime janë bërë, s’ka diskutim. Por unë dua të them se nga këto gabime nuk shihen në kuptimin e thellë të fjalës, nuk bëhet analizë e thellë sepse merren vetëm aspekte banale të tyre. Por, në procesin e punës sonë, në ekonomi e politikë, në marrëdhënien tonë shtet-qytetar, ka pasur probleme dhe të thella. Këtu është edhe çështja, e cila më është kërkuar shumë, që pse nuk kërkoj falje. Për faljen kam edhe unë mendimin tim. Falja mund të kërkohet për marrëdhënien që ka një person me një shok apo me një tjetër por të cilit e ndjen që i ka bërë diçka, por të kërkosh falje për faje që janë bërë nga një kolektiv, nga një sistem, kjo nuk bëhet. T’i, si një sistem tjetër, s’mund të më kërkosh mua që të kërkoj falje, aq më tepër kur më akuzon për faje, për një sistem tjetër. Unë jam i një sistemi tjetër. Këto dy sisteme kanë qenë në garë, në luftë, sepse njëra ka për bazë të drejtën e shumicës ndërsa, tjetri mbështetet në të drejtat e njeriut dhe në fitimin. Falja këtu nuk ka vend, këtu ka vend vetëm pagimi dhe ne kemi paguar.

Një tjetër pikë është akuza për vrasjen e shokëve.

Akuza të bëhet por unë do ta hedh 100 % këtë akuzë pasi nuk i vrau Enveri shokët e tij, përkundrazi. Shokët e tij e tradhtuan Enverin, e humbën durimin paksa me mendimin se ky Enveri jetoi pak si gjatë. Prandaj menduan, jo të gjithë, për pushtet. Këtu roli kryesor, ndoshta ka qenë ai i Mehmet Shehut. Unë kam bërë një libër dhe i qëndroi atij libri. Enveri ishte sëmurë dhe kanë qenë fuqitë e jashtme që i vunë këto brenda në lëvizje. I thanë edhe Mehmetit ‘Çfarë po bën, u plake’ por Mehmeti u tha ‘s’kam ç’të bëj se Enver Hoxha është si Gardhi i Shqipërisë dhe nuk është e lehtë kjo punë’. Këtu dua të shtoj një reflektim timin, pasi i kam njohur shumë mirë të dy, si Fiqeretin ashtu edhe Mehmetin, madje Fiqeretin e kam njohur me shume , pasi kemi qenë në shkollë, ajo ka qenë edhe jetime, konviktore, gjithë pushimet i bënte tek shtëpia ime, ishim komuniste në një grup. Ajo ishte një njeri i heshtur, e mbyllur.. Por për mendimin tim, ajo ra viktimë e Dushan Mugoshës pasi ai e martoi me Mehmet Shehun por ajo nuk ishte tip Mata Hari në këtë drejtim. Ndërsa për Mehmetin, ai bëri atë që bëri, është si rasti që i shet shpirtin luciferit por që pastaj të vjen mirë kur të lënë në heshtje, dhe unë nga të dy kam vënë re që ata ishin shumë të preokupuar që të mos zbuloheshin. Ata ishin të dashuruar me ne, ishin lidhje të sinqerta, dhe vëzhgonin cdo gjest tonin dhe për ta kishte shumë rëndësi fjala e Enverit megjithëse marrëdhëniet tona ishin më diplomatike se ç’ishin me Hysni dhe Vito Kapon. Librin e kam shkruar me shumë dhimbje, madje as që e mendoj ta botoj, por e shkruaja se u tha qe Enveri e vrau Mehmet Shehun. Këtë nuk e durova dot më pasi Enveri e ka duruar shumë Mehmetin për gabimet që bënte. Enveri e vlerësonte atë si njeri që ishte inteligjent, ishte organizator, ishte dinamik, madje me tepricë, por kishte një influencë gjatë luftës dhe kishte njohuri për luftën.

Pra, Mehmet Shehu vdiq se tradhtoi Enver Hoxhën?

Enver Hoxha bëri përpjekje deri në fund që ky gabim që bëri Mehmet Shehu të kalonte me një kritikë por që t’i jepej edhe një mësim që një ditë të korrigjohej dhe ishte mbledhje vetëm në Byronë Politike. Ai vazhdonte të zgjidhej kryeministër dhe nëse thonë që jo, nuk e vrau veten por e vranë, atëherë ata ishin Kadri Hazbiu me shokët e tij, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë por duke i thënë që duhet të vrasësh veten se të ka zbuluar Enveri.

Kjo gjë nuk është e dokumentuar, nuk është e provuar.

E vërteta do të dalë një ditë por Enveri nuk ka lidhje. Mund të them që vetëvrasja e Mehmetit, e dërrmoi fizikisht Enverin sepse nuk e priste. Më kanë thënë që nëse Enveri do kish marrë masa 10 apo 15 më parë, do ishte më mirë por nuk është kështu se ai nuk ishte kushdo. Nuk është se ishin gabimet e një personi dhe hajde, po e eliminojmë. Atëherë po që do thonin që e elimonoi me qëllim.

Ekziston ideja se Enver Hoxha nuk ka qenë i vetëdijshëm pas ’74, ka qenë i sëmurë dhe e gjitha kjo nuk e lejonte të drejtonte. Kush ka drejtuar?

Kjo është absurde. Ai dilte vazhdimisht se sëmundja zgjati 10 vjet por gjatë këtyre viteve ai dilte kur nuk kishte kriza. Krizat i kishte 2-3 ditë por pastaj çohej e shkonte në punë. Në raste kur kriza zgjaste më shumë, shokët i vinin në zyrën në shtëpi e ai jepte udhëzimet. Unë e kam thënë, se kam qenë pranë tij, që unë lodhesha se nuk flija, duhej ta ndiqja pasi nuk donte monitor brenda dhomës. Ai nuk ishte gjithë kohës me krizë por të vetmet gjëra që la ishin udhëtimet.

Ju pyeta se kush drejtonte kur ai ishte sëmurë sepse ekziston ideja që ishit ju që e kontrollonit pushtetin për vite të tëra.

Kjo kuptohet gabim sepse edhe kur Enveri ishte mirë, nuk ishte ai që drejtonte pushtetin. Ne kishim një drejtim kolegjial. Për shembull, në kryeministri për ekonominë, për gjëra të tjera, nuk merrej fare Enveri por Mehmet Shehu me Adil Çarçanin. Natyrisht që pastaj duheshin raportuar në byro sipas rregullave, qoftë kur ishte projekt, qoftë kur realizohej një gjë.

Por fjala e Enver Hoxhës ishte ligj apo jo?

Ishte ligj sepse fundja ai kishte një eksperiencë shumë-vjeçare por nuk ishte ligj pa diskutim prandaj në kohën që ishte sëmurë, unë isha një ndërlidhëse, një sekretare, një bashkëpunëtore.

Ishit pjesë e vendimeve edhe ju?

Jo, në asnjë mënyrë. Unë nuk merrja vendime sepse nuk kisha pse të merrja, madje nuk merrte as ai. Ai linte porosi, ose thoshte nëse ishte dakord ose jo për një projekt por për atë dakord duhej të firmosnin nëntë anëtarët e Byrosë.

Për pak ditë mbushen 100 vjet nga ditëlindja e bashkëshortit tuaj, të njeriut me të cilin ju kaluat rreth 50 vjet të jetës së tij. Çfarë do t’i thoni?

Të them të drejtën, unë vazhdoj të jetoj me të, vazhdoj të flas çdo ditë, çdo natë gjithë këto gjëra që unë përjetoj. E pyes, kam librat e tij me të cilat këshillohem por ka gjëra për të cilat nuk gjej përgjigje dhe e kam të vështirë se çfarë mund të mendonte Enveri për gjendjen që është krijuar tani. Ajo që do i thosha është, Enver, Partia nuk është më, komunistët kanë rënë pas problemeve të tyre. Nuk ta shpjegoj dot çfarë ka ngjarë….

Pra, ju ka zhgënjyer e gjitha që ndodhi pas. Po Enver Hoxha?

Jo që nuk më ka zhgënjyer por unë edhe sot e konsideroj veten si gruaja më e lumtur, një grua që kishte një bashkëshort ideal e nuk mund t’i uroja vetes një tjetër fat. Ka qenë bukur, shumë e bukur me gjithë të mirat e hallet. Prandaj në këtë 100 vjetor e ndjej si përgjegjësi të bëj çmos që të bëhet një kthesë drejt arsyes, drejt vlerësimit objektiv, të rolit dhe vendit të Enverit në historinë e Shqipërisë. Kjo është shpresa ime e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›