E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu u lë vetëm 7 ditë afat partive për zgjedhjet

16/04/2005  Brenda 25 prillit, Presidenti do të dekretojë datën e votimeve

Presidenti i Republikës u lë vetëm një javë kohë parlamentarëve që të vendosin mbi afrimin e datës së zgjedhjeve. Në rast se nuk do të ketë ndryshim të Kodit Zgjedhor, kreu i shtetit do të vendosë për shpalljen e ditës së votimit, brenda datës 25 prill. Sipas Kodit elektoral, kreu i shtetit duhet të deklarojë datën kur shqiptarët do t'u drejtohen kutive të votimit, brenda datës 18 qershor. Megjithatë, duke parë rëndësinë e zgjedhjeve si dhe nisjen e fushatës elektorale prej disa partive politike, Moisiu ka vendosur që të deklarojë se cila do të jetë dita e votimit. Duket se në këtë vendim do të ndiqet kërkesa e kreut të OSBE-së, i cili tha se votimit duhet të bëhen konform përcaktimit të Kushtetutës, por sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Deklarata

“Unë u kam lënë kohë të mjaftueshme partive politike për të arritur konsensus për datën e zgjedhjeve, ndonëse deri tani ai nuk është arritur; megjithatë ka një pikë afrimi. Brenda 10 ditëve do të përcaktoj datën e zgjedhjeve”, tha Presidenti i Republikës. Burimet thanë se deri më tani Moisiu ka qëndruar me mendimin se data e zgjedhjeve do të jetë 3 korriku, në rast se nuk do të pranohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Në rast se amendamenti i opozitës do të pranohet, atëherë, kreu i shtetit do të dekretojë një nga të dielat e qershorit. Duket se debati për datën e votimeve është hapur nga vetë kreu i shtetit. Më 22 dhjetor, ai u ka kërkuar partive politike që të afrojnë ditën e votimit, nga parashikimi që ka Kushtetuta, duke ndryshuar Kodin Zgjedhor. Kjo sepse ligji themeltar i shtetit parashikon zhvillimin e votimeve në muajin korrik, që është dhe muaj pushimesh. Sipas juristëve, në rast se Kodi do të përcaktonte se mandati i deputetëve fillon ditën kur KQZ shpalli rezultatin e votimeve, zgjedhjet mund të zhvilloheshin në qershor. Kjo sepse Kushtetuta, përcakton se dita e votimeve është nga 60 ditë deri në 30 ditë para përfundimit të mandatit të deputetëve.

Debati

Kërkesën e Presidentit të Republikës e ka mirëpritur opozita, ndërsa e ka kundërshtuar Partia Socialiste. Përfaqësuesit e PS-së, në takimet e iniciuara prej Presidentit të Republikës kanë kërkuar që votimet të zhvillohen më datë 10 korrik. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur që zgjedhjet të jenë nga 5 qershori deri më 26 qershor. Duket se Presidenti i Republikës, pas konsultimeve të zhvilluara, ka vendosur të gjejë një rrugë të mesme prej kërkesave të parashtruara. Mësohet se ai do të dekretojë datën 3 korrik, kur shqiptarët do t'u drejtohen kutive të votimit.

Amendamenti i reformatorëve

Deputetët reformatorë paraqitën në muajin shkurt një amendament të firmosur prej deputetëve të opozitës, ku kërkohej afrimi i datës së zgjedhjeve. Kërkesa e reformatorëve është hedhur poshtë me shumicë votash nga parlamentarët socialistë, të cilët kanë theksuar se amendamenti është antikushtetues. Megjithatë, opozitarët kanë zhvilluar një tryezë të përbashkët, ku kanë miratuar një rezolutë të përbashkët, me anë të së cilës kërkohej afrimi i datës së votimit. Letra është dorëzuar zyrtarisht në selinë e kreut të shtetit, ditën e hënë. Megjithatë, në rast se nuk do të ketë ndryshim të Kodit Zgjedhor, nuk mund të ketë një vendim, për zhvillimin e votimeve para muajit korrik.

Neni 7

Data e zgjedhjeve caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenet 65, 109, 115, 151 pika 3, 152 pika 3 dhe 170 pika 6 të Kushtetutës.

Për efekt të zbatimit të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt, pas datës së mbledhjes së parë të tij. Mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të tretë pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

“Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 75 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës dhe shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 3 ditë para kësaj date.

Në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes së Kuvendit. Në zbatim të nenit 65 të Kushtetutës zgjedhjet zhvillohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. Datë e shpërndarjes së Kuvendit është data e votimit të pestë, sipas paragrafit 7 të nenit 87 të Kushtetutës, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri.

Në zbatim të paragrafit 4 të nenit 96 të Kushtetutës, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, jo më vonë se 24 orë pas votimit të parashikuar në pikën 3 të po atij neni, Presidenti i Republikës dekreton shpërndarjen e Kuvendit dhe cakton datën e zgjedhjeve. Në zbatim të nenit 65 të Kushtetutës zgjedhjet zhvillohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Kur për shkaqe të tjera nga ato të përmendura në pikat 3, 4 dhe 5 të këtij neni Kuvendi vetëshpërndahet, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes së tij. Kuvendi shpërndahet në ditën e votimit të tij për vetëshpërndarje. Në zbatim të nenit 65 të Kushtetutës, zgjedhjet zhvillohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.”

Në çdo rast zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në të dielën më të afërt me ditën e dyzet e pestë pas datës së dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve përmban datën dhe llojin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›