E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ries. Zgjedhjet, kyç për integrimin në NATO

16/04/2005  Zgjedhjet e lira dhe demokratike, do të jenë kushti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Plotësimi i standardeve të përcaktuara nga BE-ja do t'i japë dhe shancin Shqipërisë për t'u integruar në strukturat euroatlantike. Gjatë Konferencës së 10-të Ndërkombëtare të Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, "Sfida për Ballkanin Perëndimor në Rrugën Drejt Integrimit Euro-Atlantik", ambasadorja e SHBA, Marcie Ries, ka vënë theksin se “zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë një tregues i qartë i përkushtimit të Shqipërisë ndaj të njëjtave vlera dhe ideale që mbështet NATO. Për këtë arsye, është me rëndësi kritike për shpresat e Shqipërisë për t'iu bashkuar NATO-s që të gjithë shqiptarët të punojnë në mënyrë bashkëpunuese për t'u siguruar që këto zgjedhje të përmbushin standardet ndërkombëtare”. Ries ka cilësuar se forcimi i institucioneve demokratike dhe zbatimi i ligjit do të bëjnë që Shqipëria të ketë një derë të hapur për në NATO. Një faktor i rëndësishëm që Shqipëria do të përfitojë për asociimin në këtë strukturë është dhe Partneriteti për Paqe, ku Shqipëria tashmë është palë. Sipas Ries, “veprimtaritë e Shqipërisë me anëtarët e tjerë të Kartës së Adriatikut, përfshi Kroacinë dhe Maqedoninë, janë ndërtuar për të ofruar përvojë të dobishme që do t'i ndihmojë të tri anëtarët të plotësojnë kërkesat në planet përkatëse të veprimit për anëtarësim. Samiti i Stambollit u dha aspirantëve të "Adriatik 3" njohuri të rëndësishme mbi procesin e anëtarësimit, të cilat, besoj, do t'i përdorin mirë në përpjekjet e tyre për t'u bashkuar me Aleancën”. Gjithashtu, kontributet që Shqipëria është duke dhënë në luftën kundër terrorizmit me angazhimet e trupave në Irak dhe Afganistan, për ambasadoren Rise janë “kontribute pozitive, të cilat me siguri duhet të ndihmojnë në përgatitjen e ushtrisë shqiptare për pjesëmarrje në Aleancë. Ne besojmë që Shqipëria mund t'ia dalë me sukses, pasi i kemi parë forcat shqiptare në veprim në fushëbetejë në Afganistan dhe Irak. Ushtarët shqiptarë kanë qëndruar krah për krah forcave të NATO-s në Bosnje”, tha Rise.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›