E Diel, 1 Nëntor 2026

Besnik Aliaj përballë Fatos Nanos

14/04/2005  PD vendos emrin që do të kandidojë në zonën e Kryeministrit dhe kreut të PS-së

Nisin bisedimet me drejtorin ekzekutiv të CO-PLAN

Anëtari i Komitetit të Orientimit të Politikave, Besnik Aliaj, do të jetë kandidatura e opozitës që do të përballet me Kryeministrin Fatos Nano në zonën 99 të Sarandës. Burime në Partinë Demokratike sqarojnë për “Metropol” se emri i Aliajt është i pari në listën e kandidaturave që janë shqyrtuar për përballjen, në zonën që cilësohet më e vështira nga opozita në zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, dje Aliaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Co–Plan, duke theksuar angazhimin në politikë.

Kandidimi

Emri i Besnik Aliajt, drejtor i Co-Plan, ka kohë që qarkullon dhe në qytetin e Sarandës si kandidatura më e mundshme që do të përballet me Kryeministrin. Kryetari i PD-së, Berisha, deri më tani nuk e ka bërë publik emrin e Aliajt si kandidat. Por pak ditë më parë, ai tha se kandidatura do të jetë surprizë dhe se do ta nxjerrë në pension të parakohshëm Kryeministrin shqiptar. Burimet theksojnë se kreu demokrat jo më kot ka vendosur kandidaturën e Aliajt në këtë zonë. Profesioni i Aliajt si arkitekt dhe kontributi që ka dhënë kryesisht në shoqërinë civile, janë dy atribute që e bindën kreun demokrat për këtë kandidaturë. Ndërsa strategjitë e paraqitura prej tij për strehimin, kthimin e pronave dhe zhvillimin e turizmit, kanë dhënë pikë të forta për ish-drejtuesin e ko-planit. Në kuadër të takimeve “Ditët e Shpresës”, Aliaj udhëtoi së bashku me Berishën në qytetin e Sarandës për të vëzhguar nga afër situatën, ku anëtari i KOP-it bëri të ditur para bazës edhe projektet e PD-së për zhvillimin e turizmit në Sarandë. Madje, pikërisht zhvillimi i turizmit dhe përmirësimi i gjendjes aktuale të bregdetit të Sarandës, mendohet se do të jetë pika më e fortë e fushatës së Aliajt përballë Nanos.

Dorëheqja

Vetë anëtari i KOP-it nuk pranon të bëjë komente përsa i përket kandidimit të tij në zonën 99 të Sarandës. I kontaktuar nga “Metropol“, ai ka shpjeguar aktin e dorëhqjes me angazhimin e tij në politikë, por ka shmangur komentet mbi mundësinë e kandidimit në Sarandë. Aliaj tha se po studion mundësitë e afruara. “Unë për momentin kam prioritete të tjera. Në kohën e duhur do të bëj publike angazhimin tim në garën elektorale”, tha Aliaj. Në letrën e dorëheqjes që gazeta "Metropol“ ka mundur ta sigurojë të plotë, Aliaj shpjegon se është pikërisht angazhimi në arenën politike shqiptare që e detyron të heqë dorë nga drejtimi i një OJF-je. Burime në PD shprehen se kandidimi i tij, tashmë ka marrë pëlqimin e bazës në Sarandë dhe pritet vetëm prezantimi zyrtar, i cili do të bëhet në një kohë tjetër. Të njëjtat burime shprehen se një ndër arsyet që Berisha vendos, që zona më e vështirë t’i jepet Aliajt, është dhe mbështetja që ky i fundit gëzon jo vetëm në qarqet e shoqërisë civile, por edhe në përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në Shqipëri. Në biografinë e Aliajt janë një sërë specializimesh dhe kërkimesh shkencore që ky i fundit ka bërë kryesisht në SHBA, Holandë, Austri etj.

Letra e dorëheqjes nga Co-Plan

Në letrën e dorëhqjes si drejtor ekzekutiv i Co-Plan dërguar përfaqësive të huaja dhe bashkëpunëtorëve në shoqërinë civile, Besnik Aliaj shprehet qartë se është implementimi në politikën shqiptare arsyeja e aktit të tij. “Paraqes dorëheqjen time zyrtare nga të gjitha funksionet politikbërëse dhe vendimmarrëse në Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit. Pas pothuaj 10 vjet eksperiencë me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, jam ndërgjegjësuar për faktin se disa nga besimet, vlerat dhe eksperiencat më të mira që ne kemi ndërtuar të gjithë së bashku, përmes përvojës së Co-Plan, duhet të trajtohen në nivelet më te larta politike të mundshme, me qëllim që të kontribuohet sadopak në të mirë të shoqërisë shqiptare. Politikanët e dështuar që kanë drejtuar dhunshëm këtë vend gjatë 15 viteve të fundit, duhet të detyrohen të dalin jashtë skenës politike, përmes presionit qytetar. Për këtë qëllim, unë kam vendosur të jap një kontribut konkret, duke hyrë në politikë. Ky vend duhet të jetë ndryshe nga ç'është aktualisht. Në thelb, përpjekja ime politike reflekton protestën ndaj klasës së korruptuar politike të tranzicionit post-komunist në Shqipëri. Unë dëshiroj të kontribuoj për këtë qëllim dhe në shkëmbim kam marrë mbështetje të qartë. Më duhet të sqaroj gjithashtu se, aksioni im qytetar shkon përtej konceptit të interesave të ngushta elektorale opozitare dhe në esencë jep një kontribut konkret për ndryshimin pozitiv që nevojitet dëshpërimisht në këtë vend”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Përzgjedhjet e Vlorës

Me përzgjedhjen e Besnik Aliaj si kandidat për deputet në zonën 99 në Sarandë, Partia Demokratike mbyll listën e kandidaturave në të 10 zonat në Qarkun e Vlorës. Duhet theksuar se në këtë qark janë dy përplasje që konsiderohen si ndër më të vështirat për PD-në në zgjedhjet e ardhshme elektorale. E para është përballja e Novoselës mes Arben Malajt dhe Arjan Nikës, ndërsa e dyta mes Kryeministrit Fatos Nano dhe anëtarit të KOP-it, Besnik Aliaj. Në zona të tjera parashikohet të kandidojnë emrat e Bujar Leskajt, Ardian Kollozit, Genc Pajanaqit, Xhevahir Rexhepit, Dhimtraq Capajt, Fatos Bejës, Duka Muços, Ylli Pirros. Gjithsesi, deri në momentin e shpalljes së kandidaturave zyrtare në Kuvendin Kombëtar të PD-së, lista sërish mbetet e diskutueshme. Vetë lideri demokrat Berisha i kushton një vëmendje të veçantë, sidomos përballjes në këtë qytet, i cili konsiderohet në shumë raste si bastion i së majtës. Në përballjen e ardhshme opozita synon të ketë një rritje të konsiderueshme elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›