E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrohel lë në mes takimin me partitë e vogla

14/04/2005  Berisha: Do njoh rezultatin e zgjedhjeve në rast se ODIHR i vlerëson të lira

Kryetari i përgjithshëm i ODIHR-it, Kristian Shtrohel, nuk ka mundur t’i dëgjojë deri në fund partitë e vogla të thirrura në tryezë në selinë e OSBE-së. Sipas burimeve, Shtrohel ka ndërprerë diskutimin dhe është nisur në drejtim të Rinasit, pasi në atë orë nisej avioni për në Vjenë, pa mundur të dëgjonte deri në fund pretendimet e partive të vogla mbi procesin zgjedhor në vend, ndërkohë që takimi ka vijuar me kryetarin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vaçek. Në takim, sipas pjesëmarrësve në tryezë, me kryetarin e përgjithshëm të ODIHR-it është diskutuar mbi probleme që kanë të bëjnë me monitorimin e zgjedhjeve. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tha pas takimit se në takim është kërkuar që të shihet mundësia që vota e shqiptarëve të mos ketë deformim në zgjedhjet e ardhshme. Përfaqësuesi i LSI-së në këtë takim, Spartak Braho, tha se i ka deklaruar Shtrohelit se procesi zgjedhor në Shqipëri është kthyer në një pronë e dy partive më të mëdha në vend, prandaj LSI është e mendimit se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë, Shtrohel në orët e paradites ka zhvilluar një takim dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në zyrën e këtij të fundit. Pas takimit, lideri demokrat tha se PD-ja do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, në rast se nga OSBE-ja dhe ODIHR ato do të cilësohen si të lira. Tre ishin çështjet që, sipas Berishës, u disktuan në këtë takim, listat e zgjedhësve, paratë e pista që po shndërrohen në mandate politike si dhe amendamenti antidushk. “Unë mendoj se ODIHR-i mbajti shënim shqetësimet që ne ngritëm. Ambasadori më siguroi se do të përpiqet të dërgojë sa më shpejt grupin paraprak të ODIHR-it”, tha Berisha.

Shtrohel: Antidushku është çështje e politikës shqiptare

Kryetari i përgjithshëm i ODIHR, Shtrohel, tha pas takimit me kreun demokrat Berisha se, ky organizëm do të ndjekë nga afër çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tij, amendamenti “antidushk” është një çështje e politikës shqiptare dhe duhet të jetë ajo që ta zgjidhë këtë çështje. Për ODIHR-in, Kodi i ri zgjedhor është ndërtuar në bazë të një marrëveshjeje dhe i takon partive politike të vendosin për ndryshime në të. “Ne do të ndjekim nga afër zhvillimin e zgjedhjeve. Një proces i rëndësishëm është ai i regjistrimit të zgjedhësve, të cilin ne po e ndjekim nga afër. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë si një hap para drejt BE-së. Kodi Zgjedhor është ndërtuar në bazë të një marrëveshjeje politike dhe ne kemi parë atë si një zgjidhje optimale për këto zgjedhje, por i takon politikës shqiptare të vendosë për ndryshime apo jo”, tha Shtrohel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›