E Diel, 1 Nëntor 2026

Laze: FSHF të krzej testet antidoping!

14/04/2005  Ka qenë e menjëhershme, kundërpërgjigjja e klubit të futbollit Elbasani, ndaj deklaratës së drejtuesve të klubit të Dinamos, se lojtarët verdheblu marrin substanca të ndaluara, ç'ka justifikon edhe formën e tyre të mirë fizike, gjatë këtij kampionati. Presidenti i klubit, Arben Laze dhe trajneri Artan Bushati, kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku kanë shprehur opinionet e tyre ndaj akuzave të bëra. Presidenti Laze, fillimisht është shprehur se është ndjerë me të vërtetë i indinjuar ndaj këtyre akuzave që prekin një klub si Elbasani. “Unë jam i bindur se gjëra të tilla bëhen për të dëmtuar Elbasanin, përpara takimit mjaft të rëndësishëm të kësaj jave, me Dinamon. Të gjithë futbollistët e Elbasanit janë futbollistë model, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Si mund të akuzohen për doping, lojtarë që janë pjesë e Kombëtares shqiptare”- ka deklaruar Laze, duke përmendur emrat e Tefik Osmanit, Armend Dallkut që luajnë me Kombëtaren shqiptare dhe të Hetlem Capjes, Endri Dalipit e Mardian Kacolles, që luajnë me ekipin Kombëtar Shpresa. Gjithashtu, Laze ka përmendur emrat e futbollistëve të tjerë në përbërje të Elbasanit, të cilët në sezonet e shkuara kanë fituar titullin kampion, me ekipe të tjera të kampionatit shqiptar. “Është me të vërtetë tepër i neveritshëm fakti, që sulmohet një skuadër si Elbasani - ka theksuar Laze - dhe kjo, për xhelozi tepër provinciale të disa njerëzve që duket se nuk e duan futbollin aq sa flasin. Këto akuza të adresuara ndaj nesh na bëjnë edhe njëherë më të mobilizuar për ndeshjen e së shtunës dhe mund të premtoj se Dinamo duhet ta harrojë fitoren apo barazimin në këtë takim”. Ndërkohë, presidenti i verdhebluve i ka kërkuar FSHF-së, të bëjë analizat e plota të të gjithë futbollistëve të Elbasanit, me qëllim që edhe opinioni publik dhe sportiv, të jetë i qartë për çdo akuzë të padrejtë, të hedhur ndaj klubit të futbollit Elbasani. Gjithashtu, presidenti i Elbasanit ka bërë të ditur edhe akt-padinë e depozituar pranë gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit të Tiranës, ndaj presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj dhe shefit të klubit, Gjergji Ruli. Klubi i futbollit të Elbasanit kërkon si dëmshpërblim për shpifjet e drejtuara ndaj tij, 15 milionë lekë, nga dy personat e sipërpërmendur. Ndërkohë, edhe trajneri Bushati është shprehur në lidhje me këtë çështje, duke deklaruar se ka mbetur me të vërtetë i impresionuar nga akuzat e bëra, në drejtim të futbollistëve elbasanas. “Nëse dikush do të dijë se ku e gjejnë forcën këta djem, mund t’iu them vetëm se ajo i dedikohet një stërvitjeje intensive dhe një serioziteti si profesionistë nga ana e tyre”- ka deklaruar Bushati. Trajneri verdheblu ka deklaruar gjithashtu, se kjo çështje nuk do të ndikojë aspak në ndeshjen e së shtunës, madje do ta bëjë Elbasanin më të motivuar, për të arritur fitoren.

Irritohet Elbasani

Duket se opinioni sportiv elbasanas nuk e ka pritur mirë akuzën se futbollistët e ekipit të këtij qyteti marrin substanca të ndaluara, për të rritur paraqitjen e tyre fizike, gjatë ndeshjeve të futbollit. Natyrisht që ky lajm në Shqipëri tingëllon paksa i pazakontë, teksa realisht jemi mësuar të dëgjojmë ngjarje të tilla në kampionate të mëdha evropiane. E natyrisht, kur lexon lajme e akuza të tilla nuk mund të mos e ndjesh se ato janë thjesht fantazi e të duken si ato ëndrrat e bukura, që dikush i shikon edhe me sytë hapur. Personat që i kanë bërë këto akuza kanë harruar se në njëfarë mënyre kanë akuzuar jo vetëm futbollistë të veçantë, por edhe gjithçka që përfaqëson klubi i futbollit të Elbasanit, përfshi këtu edhe një opinion sportiv mjaft të ndjeshëm, i cili këtë sezon ka jetuar çdo ditë me sportin. Natyrisht që askush nuk kërkon që çështjet e dopingut në sport të lihen mënjanë dhe ato në Shqipëri të mbeten “tabu”, përkundrazi. Shqipëria ka fatin ta eliminojë këtë fenomen, duke mos e lënë fare të përhapet. Por, kur këto akuza bëhen të pabaza dhe duke mos u mbështetur në asnjë fakt konkret, atëherë ato janë thjesht shpifje, për të përfituar sadopak kredibilitet dhe duke dëmtuar një ekip e një klub futbolli me një histori dhjetëravjeçare dhe që gjithnjë ka qenë pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Ajo që të bën të habitesh është fakti se asnjëherë në Shqipëri nuk është folur për substanca të ndaluara në futboll, në kohën, kur në krye të kampionatit ishin ekipe të tjera dhe jo një ekip si Elbasani. Megjithatë, ata që e njohin dhe që flasin për të, ndoshta mund të jenë edhe fajtorë të vërtetë apo pjesëmarrës në përdorimin e substancave të tilla, me përdorimin e të cilave ndoshta kanë arritur edhe rezultatet e kërkuara. Gjithsesi, tashmë është në nderin e FSHF-së që të sqarojë këto akuza të ngritura

Ruli: Shpifje dhe vetëm shpifje

Lajmi i botuar në njërën prej gazetave të përditshme të shtypit sportiv shqiptar, ditën e djeshme, ku skuadra e Elbasanit akuzohej për përdorim substancash të ndaluara, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të presidentit të Elbasanit, Laze. Por, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i drejtorit Ruli. Ai është shprehur i befasuar nga këto deklarata dhe ka deklaruar hapur për qëllimet e bisedës së tij me presidentin Sulaj. “Nuk e prisja që një bisedë e tillë, rreth një teme si ajo e dopingut në sport, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Botë, të transformohet dhe të keqpërdoret. Qëllimi i kësaj teme ka qenë vetëm për sportin në përgjithësi dhe nuk ka të bëjë fare me asnjë klub. E përjashtoj në mënyrë kategorike, përmendjen e skuadrës së Elbasanit në veçanti. Madje, mund të them se fjala futboll ose futbollist nuk është përmendur fare në bisedën tonë. Ne kemi përmendur fjalën atlet, pasi unë jam president i Federatës së Atletikës dhe ditën e shtunë, do të jem në Kongresin Evropian të Atletikës në Lubjanë dhe një nga pikat e veçanta është çështja “Doping”. Nuk ka qenë absolutisht objekt diskutimi, skuadra e Elbasanit, por sporti në përgjithësi”- ka deklaruar Ruli. Më tej Ruli është shprehur edhe për reagimin e presidentit Laze. “Nuk shqetësohem aspak për ato që ka ndërmend presidenti i Elbasanit, pasi asgjë nga ato që janë shkruar në gazetë nuk janë të vërteta. E sqarova më sipër, biseda është krejtësisht e transformuar dhe me një qëllim të mbrapshtë. Në klubin sportiv “Dinamo”, të gjithë sportistët e të gjitha llojeve të sportit janë me kartelë mjekësore sportive dhe janë në dispozicion të grupeve të kontrollit, mbi të gjitha në aktivitete ndërkombëtare, ku ata marrin pjesë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe një kontroll i tillë është i domosdoshëm edhe në vendin tonë, pasi është vetëm në dobi të sportit dhe të ecjes së tij përpara, në nivele bashkëkohore. Pra, kjo nismë duhet të hyjë në të gjitha sportet shqiptare dhe në të gjitha klubet, pa asnjë përjashtim. Kjo është ajo që unë kërkoj dhe asgjë tjetër. Ruaj një konsideratë të lartë për klubin sportiv “Elbasani” dhe përshëndes kontributin e madh të drejtuesve të tij, me në krye presidentin Laze, në dobi të skuadrës së tyre"- përfundon deklaratën e tij, drejtori i klubit të futbollit, Dinamo, Gjergji Ruli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›