E Diel, 1 Nëntor 2026

“Skandali” doping, “dorëzohet” FSHF-ja

14/04/2005  Jo pse ditët e fundit qarkullojnë zëra për doping tek Elbasani, por u duk qartë që shqiptarët nuk janë të përgatitur të përballojnë një fenomen të tillë

Dopingu, një ndër plagët më të mëdha të sportit botëror, është shndërruar në një çështje dite në futbollin shqiptar, për të cilin ishte thuajse i panjohur deri tani. Por, ajo që e ka bërë të rëndë këtë “plagë” ndërkombëtare, ka të bëjë me faktin se Shqipëria është inkompetente, për të luftuar një çështje të tillë, e cila edhe pse është ndër më të zhurmshmet në evenimentet sportive ndërkombëtare, asnjëherë nuk paska gëzuar vëmendjen e duhur të instancave përkatëse në vendin tonë, për t’i paraprirë problemeve të tilla. Dhe, një inkompetencë e tillë nis që nga mungesa e një ligji, në lidhje me antidopingun. Kjo është bërë e ditur, paraditen e djeshme, nga shefi i Sektorit të Garave në federatë, Hito Hitaj, i cili ka konfirmuar se nuk ka asnjë rregullore në FSHF, për këtë çështje. “Për më tepër - ka vazhduar më tej, shefi i Sektorit të Garave - në Shqipëri nuk ka një institucion që të merret me këtë punë”. Bëhet fjalë për një institucion që të detyrojë kontrollin dhe të dënojë, siç është një shembull, ai i Italisë: “CONI”. Por, për të shtjelluar akoma dhe më shumë shpjegimin e tij, për pamundësinë e verifikimit të akuzave të bëra dje në shtyp, Hitaj ka bërë të ditur se në vendin tonë nuk ekziston, as edhe infrastruktura për kryerjen e kontrolleve antidoping. “Ende në Shqiqëri nuk ka teknologji”. Nuk ka pajisje në çdo stadium, të cilat të mund të bënin kontrollin e urinës së futbollistëve, nëse në trupat e tyre ka apo jo, substanca të ndaluara. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Prof. Dr. Lluka Heqimi, ish-mjeku i Kombëtares dhe i Partizanit. “Në vendin tonë nuk ka një laborator, ku të bëhen kontrollet antidoping, - është shprehur dje Heqimi. Laboratorë të tillë, aktualisht kanë vetëm dy fqinjët tanë, Greqia dhe Italia. Po ashtu, edhe në Gjermani kryhen analizat antidoping”. Janë apo jo të vërteta, akuzat e bëra dje në shtyp për doping, prezent në njërën nga skuadrat e kampionatit, ende nuk dihet. Megjithatë, edhe nëse rezultati është një alarm fals, kjo ka shërbyer për të dhënë një sinjal të fortë në marrjen e masave. Në një situatë të tillë, ku mungojnë infrastruktura, ligjet dhe institucionet që i zbatojnë ato, FSHF-ja ka pranuar të dorëzohet. “Për shkak të kësaj situate nuk mund të ndërmerret asnjë veprim” - ka përfunduar Hitaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›