E Hënë, 2 Nëntor 2026

I refuzohet dashuria nga një djalë,tenton vetëhelmimin 13-vjeçarja

14/04/2005  Pas “zhgënjimit në dashuri”, pi kokrrat e helmit

FIER - Një 13-vjeçare ka tentuar të vetëhelmohet duke pirë fojnisinë, një derivat të fostoksinës. Brunilda Kamberi, 13-vjeçarja nxënëse e klasës së VII të shkollës 9-vjeçare në fshatin Levant të Fierit, ka tentuar t’i japë fund jetës së saj, duke pirë disa kokrra helm.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 të ditës së djeshme dhe kanë qenë mësuesit e kësaj shkolle, të cilët, pasi e kanë marrë vesh veprimin e minorenes, e kanë çuar menjëherë në spitalin civil të Fierit. Pas ndihmës së parë mjekësore, minorenen e kanë çuar në spitalin pediatrik dhe tashmë, sipas bluzave të bardha, ajo është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje, minorenia e ka pirë pesticidin në kushtet e depresionit nervor, pas një zënke banale në familje.

Në katin e dytë të spitalit pediatrik, Brunildës i ka qëndruar pranë që në orën 13.00 e deri sa ka dalë krejtësisht nga rreziku mjekja pediatre Ermioni Rizo.

Sipas saj, vajza ka ardhur pothuajse pa puls, me këmbë e duar tepër të ftohta, të dridhura dhe tension të ulët. Pas një mjekimi intensiv, 13-vjeçarja, sipas mjekes ka shpresa të jetë jashtë rrezikut, pasi mund të ketë edhe keqësime.

Në spital, vajzës i qëndrojnë pranë nëna e saj, Shkëndija, e cila ka edhe një fëmijë tjetër, një djalë më të vogël se Brunilda. Ajo thotë me pikëllim që burri i saj Arbeni është qysh prej gati 11 muajsh i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi ka pësuar aksident me makinë dhe është i paralizuar.

Pranë vajzës qëndrojnë edhe të afërm të tjerë, të cilët janë ende të traumatizuar nga ajo që i ndodhi dje mbesës së tyre.

Në spital, burime jozyrtare, por të besueshme, si shkak të depresionit të vajzës përmendin faktin se ajo ka patur simpati për një djalë dhe ky i fundit nuk ka treguar asnjë interes ndaj saj. Kur e ëma ka mësuar për dëshirat e vajzës së saj të mitur, i ka folur duke i thënë që të shikonte mësimet e të linte budallallëqet. Pas zënkës me të ëmën dhe “zhgjënjimit”, vajza me papjekurinë e moshës ka pirë në orën e pushimit të madh të shkollës 4 kokrra fojisinë, derivate të fostoksinës, por me efekt më të dobët dhe, pasi i ka pirë, ka shkuar përsëri në klasë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›