Besnik Hasi, "diploma" si trajner në Shqipëri
Pasi ka mbyllur praktikisht bisedimet me Anderlehtin, klub ku sezonin e ardhshëm do të marrë detyrën e zv/trajnerit, Besnik Hasi po përqendrohet te ndeshjet e fundit si lojtar. Edhe pse Sërkëll Bryzh synon ta mbajë edhe një tjetër vit në skuadër, kosovari është shumë i joshur nga oferta për të qenë pjesë e stafit teknik të skuadrës mbretërore në Belgjikë. Sapo të mbyllet sezoni aktual, ish-mesfushori i kombëtares do të udhëtojë drejt Shqipërisë. Vizita shërben për të marrë "diplomën" e trajnerit, me të cilën 36-vjeçari do të mund të vazhdojë karrierën e re në futboll. Ai do të ndjekë kurset e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, të cilat do t‘i lejojnë të bëhet krahu i djathtë i trajnerit të Anderlehtit, Jakobs. Në momentin kur të përfitojë eksperiencën e duhur në rolin e tij të ri, Besnik Hasi mund të pretendojë të bëhet edhe trajner i parë.