E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi feston në një lum alkooli

Kur lojtarët e Çelsit vendosin të festojnë, nuk ka se si episodi të mos bëjë bujë në mediat britanike. Konfirmimi ka ardhur në një "party" të organizuar në një lokal të Londrës (Funky Buddha), pas fitores me Fenerbaçen, që solli kualifikimin e bluve në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Përpara dy sfidave me Liverpulin, yjet e mirëpaguar të Abramoviç e kanë lëshuar veten, duke festuar mes një lumi alkooli dhe shumë vajzave simpatike. Hollësitë janë publikuar nga "Daily Mirror", e cila ka saktësuar se Xhon Terri me shokë kanë konsumuar pafundësisht vodka dhe shampanjë, ndërkohë që gjatë karaokes ata tentuan të këndojnë hite të njohura, por pa pasur shumë sukses. Terri ka udhëhequr shokët e skuadrës, duke improvizuar një kërcim "break-dance" dhe me këngë dashurie, të cilat u dedikoheshin vajzave të pranishme në sallën VIP. Të pashoqëruar nga bashkëshortet apo të fejuarat (festa ishte rreptësisht "No Wags"), futbollistët janë "shthurur" mes bukurosheve, disa prej të cilave improvizuan kërcime seksi dhe pa asnjë problem kanë treguar të brendshmet. I pari që është dorëzuar pas pijes së pakontrolluar ishte ish-portieri i Çelsit, Leni Pixhëli: truprojat e lokalit e ngritën në krahë sportistin për ta nxjerrë jashtë, pasi ai kishte pirë 10 gota njëra pas tjetrës. Në fund, tabloidi ka bërë edhe një vëzhgim: Kush e di se çfarë duhet të presim nëse blutë do të kualifikohen në finale, apo do të fitojnë Championsin.

Momentalisht, Çelsi po shijon triumfin në aktivitetin më të rëndësishëm për klube në Evropë. Ndërkohë, brenda skuadrës nuk mungojnë batutat për trajnerin Avram Grant, të cilin duket se futbollistët kanë filluar ta thërrasin "The Professor", pasi askush nuk e kupton kur flet. "Ndryshe nga Arsen Venger që thërritet në të njëjtën mënyrë, ka treguar një burim brenda skuadrës për ‘Daily Star‘, në rastin e Grant, nuk bëhet fjalë për një kompliment. Nofka ka ardhur sepse kur trajneri izraelit flet për taktika apo i drejtohet skuadrës, ai përdor terma të pakuptueshëm". Pra, në momentin kur shpreson të konfirmohet në krye të skuadrës, Grant rrezikon të shndërrohet në objekt talljesh. Kjo edhe pas një ngjarjeje interesante të publikuar nga "Daily Mail", ku konfirmohet se njeriu që zëvendësoi Murinjon nuk i njeh mirë futbollistët që ka në skuadër, mbi të gjitha portierin e të rinjve, i cili do të ishte rezervë e Hilarios pas dëmtimeve të Çeh dhe Kudiçinit. Petr Çeh (50 qepje në fytyrë pas goditjes së pavullnetshme me taka nga Ben Haim në stërvitje), bëri të ditur se është i gatshëm të mbajë një maskë në takimin e datës 22 prill, vetëm që të mos mungojë në "Anfilld" kundër Liverpulit. Mjekët i kanë këshilluar të qëndrojë pushim, por nëse do të marrë lejen nga UEFA dhe Premiership, "gardiani" është i gatshëm që të marrë vendin e titullarit në skuadër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›