E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e padukshme

Nga Lorenc Vangjeli

Emrat e rinj për Kushtetuesen

Për dy muaj mbarojnë mandatet e gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mandatet e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenti Topi shpall garën për kandidaturat. Një vit më parë, pesë dekretet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë u rrëzuan nga Kuvendi. Sa do të ndikojë kriza e sotme politike në emrat e nesërm të gardianëve të Kushtetutës? Në horizont shfaqet arsyeja e re për betejën e radhës në politikë.

Brenda më pak se një jave, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u bë targeti i preferuar i politikës. Dy vendime të njëpasnjëshme të saj u pritën në mënyrë diametralisht të kundërt nga dy kahet e kundërta të politikës: ajo u mallkua nga Partia Demokratike dhe u duartrokit nga Partia Socialiste. Rrëzimi si të papajtueshëm me Kushtetutën i “Marrëveshjes së detit me Greqinë” dhe ligjit “për dosjet” e risollën edhe njëherë Gjykatën Kushtetuese në qendër të vëmendjes dhe e bënë të merituar vëmendjen e publikut mbi të. Në rastin e parë, deri diku, u vunë re qëndrime të ekuilibruara nga PD, direkt e goditur nga ky akt; u shfaq mospëlqimi për vendimin unanim që rrëzonte Marrëveshjen me Greqinë, por gjithashtu u nënvizua edhe se vendimi do të zbatohej dhe do të pranohej. Megjithatë, nuk mungoi dhe Meta që e konsideroi vendimin si të marrë nën presionin e “qarqeve ekstremiste shqiptare”, por pa përcaktuar se cilat ishin këto qarqe e thjesht duke nënkuptuar PS-në. Në rastin e dytë ndodhi e kundërta; në mënyrë të rrufeshme u rikujtuan të njëjtat tone dhe e njëjta gjuhë e përdorur ndaj këtij institucioni kushtetues pothuaj një vit më parë: “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ‘89, janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit”, - u tha zyrtarisht nga PD-ja. Emrat e këtyre gjykatësve, “gardianë” të zbatimit të Kushtetutës, më parë, po në janar të vitit të kaluar, ishin përmendur nga kryeministri Sali Berisha. Tamam në kohën kur shumica e tij do të inicionte ligjin e rrëzuar tashmë si antikushtetues. Kurbanët e vetëm të asaj kryqëzate të vonuar antikomuniste do të ishin vetëm dy emra, prokurori Zamir Shtylla që largohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Skënder Breça që dorëzon një dekoratë të marrë nga Presidenti.
Nga ana e saj, Partia Socialiste u mjaftua duke kujtuar fort se vendimi i fundit i trupës së kushtetueses, ishte i 17-ti në radhën e shuplakave që i jepen qeverisë për ligjet apo aktet që ajo nxjerr në kundërshtim me Kushtetutën. E llogaritur për katër vjetët e gjysmë që kjo maxhorancë është në pushtet, ky është vërtet një bilanc i zymtë: njëherë në tre muaj, qeveria “Berisha” ka bërë një faull antikushtetues!
Por, përtej “betejës së ditës”, në horizont është duke u përgatitur në heshtje beteja e radhës. Duke nisur që nga data 1 prill dhe 27 prill e këtij viti, tre gjykatësve, Kujtim Putos, Fehmi Abdiut dhe Sokol Sadushit, u mbaron mandati nëntëvjeçar i mbajtjes së togës së zezë. Kushtetuta e Shqipërisë, në Nenin 124 të saj, përcakton se: “Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion”. Tre gjyqtarët Puto, Abdiu dhe Sadushi e kanë plotësuar tashmë këtë afat kohor. Menjëherë pas tyre, edhe tre gjyqtarë të tjerë, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza, do të provojnë të njëjtin fat në datën 21 maj. Deri këtu kjo gjashtëshe gjykatësish të mbrojtur me imunitet e që do të mund të largoheshin nga detyra vetëm në raste qartësisht të përcaktuara në Kushtetutë, (pikërisht ata që kanë dhënë së fundi dy vendime përvëluese për qeverinë), do të largohen nga detyra për t´u zëvendësuar me të tjerë. Sepse kështu zbatohet Kushtetuta. Por pikërisht këtu historia nis të ndërlikohet për shkak të kohës kur mbaron mandati i tyre dhe “koincidencës” fatkeqe së ditëve të sotme të fundit të mandatit me stinën e veçantë politike që po kalon vendi.

I zgjedh Kuvendi, opozita jashtë
Neni 125 i Kushtetutës përcakton: “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”. Një procedurë normale që në këto muaj të ftohtë dimri politik, bëhet një patate e nxehtë. Si për dorën e Presidentit që do të verë firmën në dekretet për juristët e zgjedhur, ashtu dhe për të nesërmen e këtij institucioni, emrat e rinj të të cilët, të paktën deri më tani, do të duhet të “pëlqehen” nga Kuvendi i ngjyrosur vetëm në blu. Për më shumë, dekretet e zotit Topi duhet të votohen prej Kuvendit, por marrëdhëniet mes tyre, për një mijë e një arsye, janë pothuaj të ngrira. Presidenti Topi numërohet nga maxhoranca (ajo që edhe e zgjodhi) si dele e zezë. Tradita, në të paktën një rast të ngjashëm për të mos përmendur të tjerë – dekretet e majit të vitit të kaluar për Gjykatën e Lartë – u hodhën poshtë nga shumica në një provë force të fituar me të. Mes emrave të zgjedhur nga zoti Topi, atëherë edhe një jurist “pa të sharë” dhe i vetmi me përvojë ndërkombëtare në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Kristaq Traja, u bë viktimë e një votimi të “çuditshëm” e të parë si të tillë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Traja dhe katër kandidatura të tjera u rrëzuan nga Kuvendi duke nisur edhe zyrtarisht një ngërç të fortë mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit. “Mori fund pakica bllokuese”, - tha atëherë triumfues kryeministri Berisha. Sot, në të njëjtat parakushte, situata ngjan në të njëjtat rrethana, në mos më keq.
Deri tani opozita nuk është përfaqësuar në Kuvend dhe as e ka njohur legjitimitetin e tij të plotë. Kërkesat e saj të njohura politike për t´i dhënë fund bojkotit ngjajnë se trokasin në derë të shurdhët, ndërsa fundi i shkurtit do të sjellë një mision “paqtues” europian për të krijuar dialog mes pozitës dhe opozitës. Edhe në këtë rast, Presidentit i është caktuar një rol i veçantë ndërmjetësimi mes palësh që duket se nuk gjejnë dot në kushte normale asnjë pikë kontakti. Tamam në këtë kohë, varësisht edhe zgjidhjes së mundshme politike që do të duhet të gjejë vendi, do të vijnë dhe propozimet e Topit për emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Që për më shumë do të duhet të gjejnë dhe të marrin edhe pëlqimin e Kuvendit. A do të ketë zoti Topi konsultime me të gjitha partitë politike për kandidaturat që do të firmosë? Dhe nëse ndodh kështu, a do të ketë një mirëkuptim mes palëve apo dhe një gjë e tillë do të shndërrohet në një mollë më shumë në sherrin politik? Këto janë pyetje të cilat do të vazhdojnë të mbeten të panjohura edhe për shumë kohë dhe që do të marrin përgjigje, ndoshta që në negociatat që pritet të fillojnë mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Sepse edhe pse mandatet e reja të gjykatësve nuk janë përmendur deri më tani, ato i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë kushte në lojën që do të nisë në prani të ndërkombëtarëve.
Deri tani, në një institucion, që edhe pse nuk është shkruar drejtpërdrejt në Kushtetutë, është munduar sipas “kushteve shqiptare” që të jetë i balancuar politikisht, rreziku që shumica e djathtë të zgjedhë të japë pëlqim të diferencuar politik për kandidatët, është më shumë se një mundësi.

“Anësia” politike
Të vendoset peshorja politike e preferencave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e vështirë vetëm në dukje. Pa ndalur në emra të përveçëm, në gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që largohen, katër prej tyre,konsiderohen më pranë së majtës, një pranë së djathtës, kurse i fundit, më shumë “asnjanës”. Shqetësimi i pashpallur publikisht deri tani është pikërisht prishja e ekuilibrave gjithashtu të pashpallur “të majtë, të djathtë”. Duke u nisur dhe nga precedenti i vitit të kaluar dhe hedhja poshtë e propozimeve të Presidentit, afërsia e kandidaturave të reja me njërën apo tjetrën forcë politike, do të jetë një nga pikat më të debatueshme të kandidaturave të nesërme. Dhe në këtë klimë të tensionuar politike, me të gjitha gjasat, edhe trupa e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese nuk do t´i shpëtojë debatit politik.
Në vitin e kaluar, mbas rrëzimit të pesë dekreteve presidenciale, Presidenti pranoi të kalojë në “sitë” deri në 150 kandidatura për pesë vendet dhe madje krijoi dhe një grup konsultativ për verifikimin e tyre. Ngjan se e njëjta situatë do të krijohet edhe në këtë rast.

Kushtet e Presidentit
Një njoftim i thjeshtë në sajtin presidencial njofton për vendet e reja dhe konkurrimin e ardhshëm për në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, “Kryetari i Shtetit ka nisur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vende vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakant në Gjykatën e Lartë”. Dhe më tej, në njoftim thuhet: “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet”. Të gjitha kandidaturat, duhet të paraqesin në Presidencë kopje diplome dhe listë notash, titujt shkencorë që mbajnë, kualifikimet shkencore pasuniversitare brenda e jashtë vendit, listën e botimeve të kryera si dhe faktin që në pesë vitet e fundit nuk kanë marrë asnjë masë disiplinore në vendet e tyre të punës. Deri këtu, sita e afruar nga site presidencial ngjan e imët. E vetmja pikë që nuk thuhet, por nënkuptohet, është ajo sipas të cilës, kandidaturat duhet të “votohen” së pari në selinë e Partisë Demokratike e ndoshta, edhe në atë të Partisë Socialiste, nëse do të ketë një marrëveshje politike mes tyre.

Box

Kush ikën nga Gjykata Kushtetuese

1- Kujtim Puto, mandati mbaron më 1 prill 2010
2- Fehmi Abdiu më 27 prill 2010
3- Sokol Sadushi më 27 prill 2010
4- Xhezair Zaganjori më 21 maj 2010
5- Admir Thanza më 21 maj 2010
6- Petrit Plloçi më 21 maj 2010

Kush ikën nga Gjykata e Lartë

1- Irma Bala, mandati mbaron më 9 prill 2010
2- Evgjeni Sinoimeri më 2 maj 2010

Çfarë thotë Kushtetuta

GJYKATA KUSHTETUESE
Neni 124

1. Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.
2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Neni 125

1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.

Neni 126
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

Neni 127

1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:
a) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj;
c) mbush moshën 70 vjeç;
ç) jep dorëheqjen;
d) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.
2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës emëron, me pëlqimin e Kuvendit, një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Neni 128

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Neni 129
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.

Neni 130
Qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private.

Neni 131
Gjykata Kushtetuese vendos për:

a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122;
b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;
ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;
d) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute;
dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij;
e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre;
ë) kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Neni 132

1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton.
2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër. Mendimi i pakicës botohet bashkë me vendimin.

Neni 133

1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me ligj.
2. Gjykata Kushtetuese vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj.

Neni 134

1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një së pestës së deputetëve;
ç) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
d) çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute;
dh) Avokatit të Popullit;
e) organeve të qeverisjes vendore;
ë) organeve të bashkësive fetare;
f) partive politike dhe organizatave të tjera;
g) individëve.
2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët dh, e, ë, f dhe g të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Marrë nga revista “MAPO”

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›