E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Nëse dështon tryeza e dialogut, do të nisim protestën e madhe”

Në përpjekje për të përmbushur qëllimin për hapjen e kutive, ditën e hënë do të mblidhet tryeza opozitare, së cilës do t’i bashkohen grupe interesi dhe do të krijojnë “Frontin për Shqipërinë”. Gjatë takimit me gazetarë në qytetin e Durrësit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur se ish-pronarë, pensionistë, ish-ushtarakë, minatorë do t'i bashkohen një fronti më të gjerë, siç e cilësoi ai, "Fronti për Shqipërinë". Zyrtarisht funksionimi i këtij fronti do të bëhet i ditur në ditët në vijim. Fronti synon bashkimin e të gjitha segmenteve të opozitës, të majtë e të djathtë. Burimet konfirmojnë se ky front është zgjerimi i idesë së federatës së majtë, e cila qarkullonte prej kohësh, sidomos mes aleatëve të vegjël të socialistëve. Këtij bashkimi opozitar do t'i bashkohen Spartak Ngjela, Nard Ndoka, sindikatat dhe organizatat e tjera shoqërore dhe politike.
Konferenca
Kryesocialisti Rama deklaroi nga Durrësi se nëse dështon tryeza e Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe e gjithë opozita do të përshkallëzojnë protestat. “Përshkallëzimi i protestës ka zgjeruar frontin e aleancës sonë mes partish, ka zgjeruar edhe frontin edhe me përfaqësues të shoqërisë, shoqata apo persona dhe shumë shpejt ky front i ri për Shqipërinë do të jetë publik përtej partive politike, përtej çdo kufiri që na ndan në kushte normale, po nuk ekziston në kushtet kur duhet të garantoje liri dhe demokraci për të gjithë", - u shpreh Rama. Kreu socialist ka shpjeguar edhe arsyet se perse socialistet kërkojnë hetimin e zgjedhjeve. Sipas Ramës, hetimi dhe ekspertiza e votës do t’i bëjë autopsinë zgjedhjeve të vdekura, që zgjedhjet të mos vdesin më. “Rezultati i zgjedhjeve është përfundimi i një procesi ligjor dhe ne e pranojmë. Ne nuk pranojmë që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të dalë po në këtë mënyrë. Nuk jemi të predispozuar të përgjumemi, përkundrazi, po përgatitemi për protestën e madhe nëse tryeza nuk do të japë rezultat”, - u shpreh Rama.
Mandatet
Heqja e mandatit të deputetëve socialistë është një tjetër çështje e shumëpërfolur
në politikën shqiptare. Maxhoranca po e përdor mandatin kundër opozitës si “gur shahu” për të zvarritur procesin e hapjes së kutive. Kreu i opozitës u shpreh se mandatet nuk do të hiqen, duke e cilësuar këtë si telenovelën e kryeministrit Sali Berisha. Rama nënvizoi se mandatet e deputetëve socialistë janë mandatet e popullit opozitar, janë më pak se çka dhënë populli. “Saliu, Iliri dhe Fatosi nuk do të munden ta shkatërrojnë PS-në. Ajo është garant nga vullneti demokratik i shqiptarëve. PS-ja as shitet as blihet. Përgjigjja që ne kërkojmë është çfarë do të bëhet me lirshmërinë e zgjedhjeve për t’u ndarë nga një epokë e shëmtuar e vjedhjes së votës”, - tha ai duke shtuar se
"Sali Berisha dhe pushteti i sotëm s'kanë merak për fatin e PS-së. Qarja e këtij halli është bërja e një diversioni të vazhdueshëm mbi PS-në. Kjo nuk është një çështje që na shqetëson. Përsëritja e këtij refreni bëhet për të spostuar gravitetin e debatit në telenovela si kjo e radhës, digjen apo nuk digjen mandatet. Ne nuk e ushqejmë këtë telenovelë dhe jemi shumë të keqardhur për rënien në kurth të shumëkujt që bëhet pjesë e diversitetit të Berishës”.

Felaj: “Zvarritja e dialogut nuk na ndalon përgatitjet për protesta”

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi dje se zvarritja e dialogut nuk mund të ndalojë përgatitjet për protesta dhe moshapja e kutive nuk mund të mbyllë rrugën drejt lirisë e demokracisë përmes protestave. “Ministri që firmosi Gërdecin për llogari të Shkëlzenit nuk mund të na tregojë Rezolutën e Këshillit të Europës për llogari të pushtetit të Saliut. Duke mos hapur kutitë, Sali Berisha po mban jashtë Parlamentit opozitën dhe po e detyron popullin t’i hapë rrugë lirisë së votës me protesta të pandalura”, - u shpreh deputetja Felaj.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›