E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretariati, zgjedhjet në PD priten të mbahen javën e ardhshme

Eljona Ballhysa
Zgjedhjet për postet e sekretarëve të rinj të Partisë Demokratike do të mbahen javën e ardhshme. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Albania” nga sekretari Organizativ i selisë blu, Flamur Noka. Ai bëri të ditur se ende nuk është përcaktuar data e mbledhjes së Këshillit të ri Kombëtar të PD-së, por pritet që këto zgjedhje të zhvillohen javën e ardhshme. “Ende nuk është përcaktuar data se kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar, pasi kjo, në bazë të Statutit të partisë, është një kompetencë e kryetarit të Partisë. Pra është kryetari ai që thërret mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe që njofton datën e mbajtjes së tij. Por, jam i bindur se kjo mbledhje do të zhvillohet javën e ardhshme, ku do të zhvillohen dhe zgjedhjet për postet drejtuese”, - është shprehur sekretari Organizativ i selisë blu. Edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp të mbajtur së fundi, u shpreh se do të mbledhë Këshillin Kombëtar brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shkurt.
Në bazë të Statutit të partisë, kryetari Berisha, përveçse njofton mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ka të drejtën t’u propozojë anëtarëve të Këshillit listën me emrat e kandidatëve si për anëtarë të Kryesisë, ashtu dhe për postet e sekretarëve. Ndërkaq, burimet njoftojnë se ka nisur beteja për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për postet me rëndësi në PD. Gjithashtu, sipas burimeve pritet që të shtohen dy poste të rëndësishme, ai i sekretarit Politik dhe i sekretarit Elektoral. Gara do të jetë e fortë edhe për postin e sekretarit të Përgjithshëm, që është një ndër postet më të rëndësishme në selinë blu. Deputetët e PD-së bëjnë të ditur se nuk do të ketë ndryshim emrash të nënkryetarëve të PD-së. Pra do të vazhdojnë të mbajnë këto poste Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, ndërsa për postet e tjera lista e kandidatëve potencialë është e gjatë.
Kandidatët
Një ndër postet me rëndësi në PD është ai i sekretarit të Përgjithshëm, që drejtohet prej vitesh nga Ridvan Bode. Sipas burimeve, kandidatë potencialë për këtë post janë Sokol Olldashi, Arben Imami dhe sekretari aktual Bode, që do të vazhdojë garën për ta mbajtur këtë post. Ndërkaq, dy kandidatët e tjerë rivalë, Olldashi dhe Imami, njihen si njerëz të afërt të kryeministrit Berisha dhe që gëzojnë mbështetje të Këshillit Kombëtar. Madje Arben Imami zyrtarizoi publikisht kandidaturën e tij për këtë post fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, atëherë kur Berisha deklaroi se do të bënte ndryshime në kupolën drejtuese të partisë. Burimet në PD bëjnë të ditur se një tjetër ndryshim i pritshëm do të jetë krijimi i postit të sekretarit Politik. Për këtë post kandidaturat kryesore janë ajo e Lulzim Bashës e Genc Pollos, si dhe kandidatura e Olldashit në rast se nuk zgjidhet sekretar i Përgjithshëm. Basha dhe Olldashi njihen si personalitete me peshë në PD dhe që gëzojnë mbështetjen e liderit të selisë blu. Përsa i përket Pollos mendohet se ai do të marrë një post në selinë blu në bazë të marrëveshjes së bërë me kryetarin e PD-së për shkrirjen e PDR-së. Megjithatë, pritet që të jenë zgjedhjet që do të zhvillohen në Këshillin Kombëtar për të parë se cili do të jetë fituesi. Një tjetër post i rëndësishëm që do të shtohet në PD është ai i sekretarit Elektoral. Dy janë kandidatët potencialë për këtë post; Ilir Rusmali, që mban postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si dhe Oerd Bylykbashi, që mban postin e shefit të Kabinetit të kryeministrit Berisha. Këta dy kandidatë njihen si njohës të mirë të ligjit elektoral. Madje që të dy kanë marrë pjesë në hartimin e Kodit Zgjedhor, ndaj gara pritet të zhvillohet mes tyre. Sipas burimeve pritet të ketë ndryshime dhe në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun. Pak kohë më parë Berisha komandoi në këtë post ministrin aktual të Kulturës, Ferdinand Xhaferrin, por sipas burimeve pritet që të futet një figurë femër në këtë post. Më favorite janë zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu dhe deputetja Raimonda Bulku.

Neni 41
Kompetencat e Këshillit Kombëtar

2- a) Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
b) Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë, njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.
c) Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë:
- Sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë;
- nënkryetarët e partisë;
- kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;
- Komisionin Qendror të Apelimit.

Postet dhe kandidaturat

Sekretar i Përgjithshëm
Ridvan Bode
Sokol Olldashi
Arben Imami

Sekretar Politik
Lulzim Basha
Sokol Olldashi
Genc Pollo

Sekretar Elektoral
Ilir Rusmali
Oerd Bylykbashi

Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun
Ferdinand Xhaferraj
Majlinda Bregu
Rajmonda Bulku

Bumçi: “Rama po e lexon kokëposhtë Rezolutën e KiE-së”

Partia Demokratike ka reaguar sërish dje në lidhje me vendimin e Partisë Socialiste për të mos ndryshuar qëndrim nga kushti për transparencën e zgjedhjeve. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, u shpreh dje gjatë një deklarate për shtyp se Rama po e lexon kokëposhtë Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës duke mos dashur të jetë pjesë e Komisionit Hetimor Parlamentar, por duke vazhduar të flasë për protesta. “Jam sot përpara jush për të denoncuar leximin kokëposhtë të Rezolutës së Këshillit të Europës nga Edvin Kristaq Rama, në një kohë kur qeveria ka pranuar pikë për pikë Rezolutën, ka pranuar dhe është deklaruar e gatshme për të vendosur dialogun rreth zbatimit të saj dhe rikonfirmon gatishmërinë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Të gjithë këtyre z. Rama i është përgjigjur me kërcënime bajate për protesta dhe kërkesën antiligjore dhe antikushtetuese të rinumërimit të votave, pasi Gjykata ka vendosur të kundërtën e kësaj kërkese”, - është shprehur deputeti demokrat Bumçi. Më tej në deklaratën e tij ai theksoi se kryetari i opozitës Rama, me qëndrimet e tij po bën përpjekje që të djegë mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste. “Me qëndrimet e tij z. Rama dëshmon se po bën çdo gjë që të djegë mandatet e Grupit Socialist, po dëshmon se mentaliteti i etërve të tij shpirtërorë dhe biologjikë dhe jo parimet e së drejtës dhe shtetit ligjor janë frymëzim i tij. Jam sot këtu për t’i deklaruar z. Rama që vetë kërcënon për protesta dhe lejtënantët i nxjerr për të kërkuar llokma pushteti, se thirrjet për protesta mund të mallëngjejnë Takun dhe Nardin; mund të mashtrojnë ndonjë gazetar presidiumesh, por nuk mund t’i imponosh kësaj maxhorance as edhe gjënë më të vogël që bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi”, - është shprehur Bumçi.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›