E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysi: “Një tjetër shuplakë nga Gjykata Kushtetuese për maxhorancën”

Partia Socialiste deklaroi dje se maxhoranca, në mënyrë të njëpasnjëshme, miraton ligje që bien ndesh me Kushtetutën. Deklarata vjen nga deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e cila reagoi pas anulimit të pjesëve të ligjit “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, dy ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese. Anulimin e ligjit Hysi e ka cilësuar “shuplakën” e radhës që Kushtetuesja u jep përpjekjeve të maxhorancës për të miratuar ligje që bien ndesh me Kushtetutën dhe që kërkojnë të vendosin rregulla juridike me ligje që votohen me shumicë të thjeshtë. Sipas saj, është rast i përsëritur injorimi haptas që maxhoranca u bën parimeve të kushtetutshmërisë së shtetit në procedurën formale të miratimit të ligjeve, por edhe në përmbajtjen e tyre: si në ligjin për lustracionin apo në Marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë. Ka qenë Organizata Profesionale e Ekonomistëve që e ka ankimuar ligjin si në kundërshtim me Kushtetutën, ndërkohë që palë të interesuara ishin Kuvendi, qeveria dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Neni 58, i cili është rrëzuar nga Gjykata, parashikon që një strukturë shtetërore mund t’i ndëshkojë me deri në 2 vjet burg ata kontabilistë, të cilët verifikohet se kanë abuzuar me detyrën në hartimin e bilanceve financiare. "Gjykata çmon se Neni 58 i ligjit objekt shqyrtimi, që parashikon mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël si kundërvajtje penale, nuk është në pajtim me Nenin 81/2 të Kushtetutës", - thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Deklarata
Deputetja Hysi u shpreh se injorimi që i bëhet Kushtetutës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut nuk janë rastësi, por mënyrë e qeverisjes dhe shprehje e prirjeve teje të theksuara për të injoruar çdo pushtet tjetër dhe për të përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e pushtetit ekzekutiv. “Përpjekjet për të ndryshuar ligje të rëndësishme si: Ligjin “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, ligjin “Për Policinë Gjyqësore”, miratimi i ligjit për parandalimin e krimit të organizuar mes goditjes së pasurisë etj., trumbetohen si nisma që synojnë të luftojnë krimin e organizuar, të rrisin efektivitetin e institucioneve të ngarkuara me ligj për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, por, në fakt, janë nisma në vazhdën e dëshirave të shfrenuara për të cenuar Kushtetutën, pavarësinë e institucioneve dhe parimet e vendosura në kodet e miratuara me votim të cilësuar”, - u shpreh deputetja Hysi.
Thirrja
Edhe si njohëse e mirë e ligjit, deputetja Hysi i ka bërë thirrje maxhorancës që të heqë dorë nga nisma ligjore që bien ndesh me Kushtetutën dhe procesin formal dhe substancial të bërjes së ligjeve. Gjithashtu, ajo nënvizoi se kryeministri Berisha, para se të ndërmarrë nisma ligjore të rëndësishme, të konsultohet me institucionet që zbatojnë ligjet dhe në analizat objektive të efektivitetit të tyre, dhe jo në dëshirat për të kontrolluar dhe marrë në një dorë të gjitha pushtetet. Hysi theksoi se maxhoranca, direktivat e BE-së mos t’i keqpërdorë dhe keqinterpretojë sa herë që merren nisma për ligje që synojnë marrjen e pushteteve në një dorë.

Apeli

Partia Socialiste i bën thirrje maxhorancës që të heqë dorë nga nisma ligjore që bien ndesh me Kushtetutën dhe procesin formal dhe substancial të bërjes së ligjeve.

Qeveria e kryeministrit Berisha, para se të ndërmarrë nisma ligjore të rëndësishme, të konsultohet me institucionet që zbatojnë ligjet dhe në analizat objektive të efektivitetit të tyre, dhe jo në dëshirat për të kontrolluar dhe marrë në një dorë të gjitha pushtetet.

Maxhoranca, direktivat e BE-së të mos i keqpërdorë dhe keqinterpretojë sa herë që merren nisma për ligje që synojnë marrjen e pushteteve në një dorë.

Maxhoranca të pranojë hetimin parlamentar siç e thekson dhe Rezoluta e Këshillit të Europës, duke filluar me hapjen e kutive për të bërë transparencë; transparencë që Partia Socialiste do ta bëjë me ose pa Sali Berishën.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›