Dështimi me planin, doganat shpallin “listën e zezë” të debitorëve
Ervin KOÇI
Mungesa e të ardhurave në buxhet ka rritur presionin e qeverisë ndaj Administratës Doganore. Kjo e fundit mësohet të ketë bërë kohët e fundit të njëjtën gjë ndaj bizneseve, për të cilat ka nxjerrë edhe një “listë të zezë” për të gjitha ato subjekte që figurojnë me borxhe. Hapësirat që jep ligji i procedurave tatimore dhe kodi doganor po përdoren masivisht për të plotësuar diferencën që mungon nga plani i të ardhurave. Pas tatimeve, tashmë dhe doganat kanë hartuar “listën e zezë” me subjektet që duhet të shlyejnë detyrimet e prapambetura. Skema e sigurimit të të ardhurave kalon përmes Kontrollit të Lartë të Shtetit, raportet e të cilit përdoren nga dogana si mjet për të vjelë detyrimin. Aktualisht janë në listë mbi 180 subjekte të mëdha, të cilat duhet të paguajnë detyrimet (gjobat), vlera e të cilave arrin në disa miliona dollarë. Të dhënat e fundit nga Doganat nuk paraqesin një situatë pozitive me realizimin e planit. Shkak është bërë kriza ekonomike, e cila ka bllokuar me mijëra biznese, duke mos mundur të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për buxhetin e shtetit.
Situata
E rëndë duket situata në Administratën Doganore, e cila për vitin 2009, i shkaktoi buxhetit të shtetit një mungesë të ardhurash në masën e rreth 35 milionë dollarëve. Doganat kanë përpiluar një listë me biznese importuese, të cilat në vitet 2007-2008, nuk paskan derdhur në masën e duhur detyrimet doganore. Bëhet fjalë për referencat, mjeti që godet “ligjërisht” biznesin, për të cilin qeveria nuk e ka marrë asnjëherë mundimin për ta zgjidhur si problem. Shifrat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se mesatarisht në buxhetin e shtetit sigurohen rreth 20 milionë dollarë të ardhurash nga gjobat. Vetëm në vitin 2009, qeveria duhet të ketë siguruar dyfish të ardhura, pasi e gjithë periudha është shoqëruar me aksione të njëpasnjëshme. Kujtojmë rastin e tregtarëve të karburanteve, të cilët për mungesë të kasave fiskale morën në total rreth 50 milionë dollarë gjoba, të cilat më pas u reduktuan për shkak të urdhrit të ministrit të Financave për rishikimin e masës.
Të ardhurat
Sipas planit, administrata doganore duhet të mblidhte rreth 110 miliardë e 36 milionë lekë, por fakti është se kanë mundur të realizojnë gjatë 2009-s vetëm 108 miliardë e 759 milionë lekë, me një diferencë mangët rreth 3 miliardë e 122 milionë lekë (afro 35 milionë dollarë). Shkak i rezultateve të dobëta është edhe taksa doganore, e cila në katër vitet e fundit është reduktuar si pasojë e marrëveshjeve tregtare me BE-në, duke sjellë mesatarisht ulje të ardhurash me 1.5 miliardë lekë. Të ardhurat nga akciza kanë pasur një rënie modeste, me rreth 400 milionë lekë, ndërsa totali gjatë vitit të kaluar ishte 20 miliardë e 486 milionë lekë. Historiku tregon se nga akciza dogana vilte çdo vit rreth 3.5 miliardë lekë më shumë, por në vitin e fundit kriza e frenoi rritjen, madje e ka ulur atë. Importet janë shkaku kryesor, pasi u regjistruan rreth 9 miliardë lekë më pak mallra se në vitin 2008. Pavarësisht kësaj, dogana arriti të ketë më shumë të ardhura se një vit më parë, falë mekanizmit të gjobave dhe referencave. Edhe TVSH-ja, taksa kryesore që siguron të ardhura, e ka frenuar rritjen, nga 10 miliardë lekë mesatarisht çdo vit, në fund të 2009-s regjistroi një rritje më pak se 2 miliardë lekë.
Shkurt..............................
Rreziku nga bombolat e gazit, IQT-ja kërkon heqjen nga qarkullimi
Inspektorati Qendror Teknik akuzon konsumatorët si përgjegjës për mosdaljen nga tregu të shumë bombolave që nuk i përmbushin kushtet teknike. Sipas këtij inspektorati, janë këta konsumatorë që padashur kthehen në pronarë të tyre dhe nuk zbatojnë rregullin për riciklim. Konsumatorët e gazit të lëngshëm shprehen se defektet teknike tek bombolat që ata përdorin janë të shpeshta, kryesisht në lëvizjen e ventilit. Për këtë ata bëjnë me faj institucionet përgjegjëse, që nuk i kontrollojnë më shpesh bombolat e gazit për të shmangur dhe rreziqet e tyre. Punonjës të IQT-së shprehen për një mungesë legjislacioni që të sanksionojë konsumatorët që kthehen në pronarë të bombolave dhe nuk i riciklojnë ato në afatin e duhur. IQT-ja ndalon kategorikisht rimbushjen e bombolave të gazit dhe ka nisur kontrollet në terren. Kjo është dhe arsyeja që ka çuar Inspektoratin Teknik në bllokimin e aktivitetit të 30 dyqaneve të shitjes së gazit brenda në Tiranë. Inspektorati thotë se bombolat duhet t’i nënshtrohen procesit të riciklimit çdo pesë vjet. Ky proces si fillim nis me seleksionimin e bombolave të dëmtuara që nuk përmbushin kushtet teknike për t’u tregtuar. Pas seleksionimit sh.a.-të duhet të pastrojnë bombolat nga skoriet dhe ndryshku, të bëjnë procesin e presimit me ujë dhe azot, deri te lyrja e ndërrimi i ventilit. Gjatë fundit të 2009-s, IQT-ja ka vendosur rreth 100 gjoba për autogazet dhe u bllokuan rreth 350 bombola.
Biznesi, gati platforma për të dalë nga kriza
Komuniteti i biznesit i ka bërë propozime konkrete qeverisë për të dalë nga kriza e vështirë financiare, në të cilën ndodhen ata dhe buxheti i shtetit. Nëpërmjet një platforme drejtuar qeverisë, Dhoma e Tregtisë i kërkon Bankës së Shqipërisë që kreditë e këqija që ka marrë biznesi të pezullohen për një periudhë të caktuar kohe prej një viti. Në këtë mënyrë i jepet mundësi sipërmarrësve privat që të krijojnë likuiditetet e nevojshme, për të përballuar aktivitetin. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, shprehet se është e nevojshme të kryhen takime me bankat e nivelit të dytë për të gjetur zgjidhje. Sipas tij duhet gjetur një mundësi që bankat të pezullojnë kreditë e këqija, pasi janë hasur vështirësi likuiditeti tek biznesi. Ky fakt do t’i lehtësonte ata për një periudhë kohe. Nga ana tjetër biznesi është i shqetësuar edhe për normat e larta të interesit që aplikojnë bankat për kreditë. Në kushtet kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi financiare, një nga rrugët e mundshme të gjenerimit të parave, si për kompanitë edhe për shtetin është procesi i hipotekimit të objekteve. Janë qindra miliona euro që janë të bllokuara në objekte të ndryshme për shkak të mungesës së hipotekimit. Sipas ndërtuesve, janë mbi një miliard euro të cilat mund të përfitohen nga ky proces. Bëhet fjalë për objektet që kanë devijuar nga projektet fillestare dhe kanë mbetur të palegalizuara. Ndërtuesit janë të mendimit, që ato ndërtime të cilat nuk cenojnë territorin apo urbanistikën të mund të formalizohen. Kërkesat e biznesit vijnë në një kohë kur ka nisur të diskutohet nisma e një amnistie fiskale, nga e cila do të përfitonte sipërmarrja private për të formalizuar vetveten.
Zvicra nis "revolucionin" ndaj parajsës bankare
Në Zvicër vërehet një ndryshim në qëndrimin ndaj sekretit bankar. Përveç Partisë së Djathtë Popullore, tani të gjitha partitë e tjera janë për një kooperim të gjerë për pengimin e evazionit fiskal. Evazioni fiskal në shkallë të gjerë duhet të marrë fund, thotë Werner Messmer, politikan liberal nga kantoni Thurgau. "Presioni tani rritet në atë formë, saqë ne duhet të ndryshojmë qëndrim. Nuk duhet të ndodhë, që vendi ynë të pasurohet prej njerëzve, që duan t'i shmangen pagimit të taksave në vendin e tyre dhe në këtë mënyrë i sjellin të hollat në vendin tonë. Kjo nuk mund të jetë e ardhmja",- tha Messmer. Dy, ndoshta tre bilionë para të huaja, askush nuk e di me saktësi se sa, gjenden në xhirollogaritë e bankave të Zvicrës. Qindra miliarda prej tyre janë para të fituara në rrugë ilegale. Me ndihmën e bankierëve zviceranë vetëm gjermanët kanë kaluar pa paguar në zyrën e tatimeve 100 miliardë euro. Urs Schealler, shefi i fraksionit të Kristiandemokratëve në Këshillin Kombëtar, kërkon që bankat zvicerane të gjejnë më në fund një model të ri për vete. Ai tha se ,"ne duam që të konsiderohemi si qendër bankare e cilësisë së parë dhe jo të tregohemi gjithmonë me gisht nga jashtë shtetit, si strehë e evazionit dhe e arkave me para të papastra".
8 Shkurt 2010