E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja parlamentare-Nuk ikim, do të luftojmë

Leskaj: Opozita nuk do ta bojkotojë Kuvendin. Do vazhdojë debati për korrupsionin vrastar të Gërdecit

Partia Socialiste tha dje se nuk do të ketë bojkot të seancave plenare. Përkundrazi kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, nënvizoi se beteja në Kuvend për zbardhjen e së vërtetës së Gërdecit, gjetjen dhe vënien përpara përgjegjësisë së fajtorëve, heqjen e imunitetit të kryeministri Sali Berisha dhe ish-Ministrit të Mbrojtes, Fatmir Mediu, do të jetë edhe më e ashpër. “Nuk ka një bojkot të parlamentit nga opozita. Duhet të vazhdojë debati për korrupsionin vrastar të Gërdecit. Kryeministri të japë dorëheqjen. Berisha e Mediu të dorëzojnë imunitetin. Askush të mos shpresojë që opozita do të mungojë në Kuvend”- deklaroi dje numri një i socialistëve në Kuvend. Partia më e madhe e opozitës shprehet e palëkundur për të arritur objektivat e saj. Debati në sallën e kuvendit do të vazhdojë lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Në krahun tjetër socialistë kundërshtojnë, vazhdimin e programit në kuvend sikurse situata të ishte krejt normale. Sipas tyre nuk mund të ketë zhvillime të mëtejshme në sallën e ligjvënësve shqiptarë pa mbyllur më parë çështjen e Gërdecit. “Ne s’do të lejojmë të na mbyllet goja për të thënë të vërteta të tmerrshme që implikojnë Kryeministrin e vendit. Do të vazhdojmë në Kuvend derisa të zbardhet e gjithë e vërteta”- paralajmëroi dje kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Socialistët do të këmbëngulin në lënien e imunitetit të kryeministrit Berisha dhe ish-Ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Sipas tyre, e kundërta do të ndikonte në zbardhjen e së vërtetës nga Prokuroria e Përgjithshme, që duhet të hetojë edhe për lidhjet e djalit të kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe Ministrit të Mbrojtjes me trafikun e armëve.  Prej disa ditësh opozita njëzëri kërkon dorëheqjen e kryeministrit ashtu sikundër kërkoi më herët edhe atë të Fatmir Mediut. Pasi ky i fundit dha dorëheqjen, vetëm pak minuta pas kërkesës së krerëve të majtë dhe banorëve të Gërdecit, në rastin tjetër atë të kryeministrit, përgjigja ka qenë “jo” fortë. Të paktën deri më sot kryeministri duket i palëkundur për të ndryshuar qëndrim. Madje edhe akuzat dhe bisedën e transkriptuar, pjesë e bisedave të trafikut të armëve, ku përmendej ai dhe i biri i tij, Berisha i ka konsideruar manipulime të qëllimshme për ta dëmtuar atë. Sipas tij, asgjë lidhur me këto akuza nuk është e vërtetë. Megjithatë socialistët këmbëngulin që të vërtetën ta zbulojë prokuroria, e për këtë si Berisha ashtu edhe Mediu duhet të lënë imunitetin e deputetit, çka i mbron nga hetimi i organit të akuzës. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›