Të shtëna Topi

Presidenti kërkon të dalin përgjegjësit. Ish-ministri i mbrojtjes ul kokën
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka qenë i rreptë në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mbledhur për të shqyrtuar tragjedinë e Gërdecit. “Tragjedia e Gërdecit nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra. Nevojitet një hetim serioz, rigoroz, transparent për zbardhjen e kësaj ngjarje të paprecedent. Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit, për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre”, ka deklaruar ai. Teksa presidenti përdorte tonet më të ashpra në një mbledhje ku audienca përbëhej nga kryeministri, ish-ministri i mbrojtjes, i rendit, shefat e shërbimeve sekrete, ushtarakë të lartë dhe zyrtarë të tjerë kyç, zoti Mediu u pa të mos e ngrinte për një sekondë të vetme shikimin nga tryeza. Kreu i shtetit ka theksuar se nuk mund të tolerohet askush të justifikohet duke thënë se ajo ishte një firmë private. Ai është treguar i rreptë edhe me shërbimet sekrete shtetërore, atë të ushtrisë, policinë, shërbimet e autoritetit fiskal, ato të punës dhe të autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak, prej të cilave nuk ka pasur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. “Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit. Nuk e besoj se askujt nuk i kishte rënë në sy kjo situatë”, ka deklaruar Presidenti Topi. Ai ka kërkuar që Prokuroria të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje për gjetjen e përgjegjësve të tragjedisë. Kreu i shtetit tha se nuk duhet harruar se vendi ndodhet para një momenti shumë të rëndsishëm, atë të anëtarësimit në NATO. Kësisoj, ai tha se “do të ishte e pafalshme për ne, të lejonim që ky proces historik për vendin tonë të kompromentohej nga papërgjegjshmëria apo nga veprimtaria e paligjshme e një individi cilido qoftë ai, apo i një zyrtari të korruptuar dhe cilindo që i është kundërvënë interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.