E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj pohon: Ndryshimet, pas NATO-s-Kush do të ikë?

Të gjithë aleatët e PD-së në qeveri thonë se po punojnë në mënyrë të shkëlqyer ndaj nuk duhet të largohen

Frika e ndryshimeve në qeveri duket se nuk i ka zënë akoma aleatët e Partisë Demokratike edhe pse këto ndryshime mund të vijnë pas disa ditësh, në muajin e ardhshëm. Mundësia e ndryshimeve në kabinetin qeveritar pas Samitit të NATO-s nuk është marrë akoma parasysh nga aleatët të cilët tregojnë bindje se edhe nëse bëhen ndryshime nga kreu  i ekzekutivit, nuk do të jetë ministria e tyre që mund të preket. Sipas Tritan Shehu-t, është vendim i kryeministrit nëse do të bëjë ndryshime në qeveri apo jo, ndërsa shprehet se nuk ka asnjë problem nëse këto ndryshime vijnë. “Ministri ynë ka punuar mjaft mirë” shprehet deputeti i PDR-së, Shehu për “Korrierin” ndërsa thotë se kryeministri do ta diskutojë me aleatët vendimin e tij para se të bëjë ndryshimet, me të cilat kjo parti është dakort. Nga ana tjetër, demokristianët nuk kanë menduar akoma për ndryshimet që mund të vijnë pas Samitit të NATO-s i cili mbahet në tre ditët e para të muajit prill. Sipas kreut demokristian “nuk është koha që të mendohet për ndryshime në kabinetin qeveritar”, duke lënë në pikëpyetje se cilat janë synimet e tij, nëse do kërkojë një post tjetër ministri apo jo. Ndërsa nga ana tjetër, agraroambientalistët, të cilët kanë qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes sa herë që është folur për ndryshime në qeveri, shprehen se marrëdhëniet me Partinë Demokratike janë afatgjata dhe nuk ka ndonjë shenjë se ky aleat mund të rrezikojë me ndryshimet në qeveri. Megjithatë, ata deklarojnë se nëse ndodh që ministri i kësaj force politike largohet nga qeveria, qëndrimi i kësaj partie kundrejt PD-së do të varet nga zhvillimet pasuese. Ndërkohë, sikurse është deklaruar edhe nga ana e mazhorancës, në qeveri nuk do të bëhen lëvizje para Samitit të NATO-s, në mënyrë që në vend të ketë stabilitet politik. Ndërkohë, deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj shprehet se ndryshimet në qeveri do të vijnë pas Samitit të NATO-s, ndërsa thotë se ndryshimet do të prekin edhe ministrat aleatë por edhe ministrat e Partisë Demokratike. Një  ndër arsyet që mund të sjellë këto ndryshime qeveritare është edhe përfshirja e aleates më të madhe PR-së në qeveri, pas dorëheqjes së Mediut. Tashmë duket se edhe vetë republikanët janë dakort që të mos bëhet asnjë lëvizje politike për përfshirjen e tyre në qeverisje, derisa të kryhet Samiti i NATO-s në mënyrë që të mos rrezikohet ftesa e vendit tonë për shkak të situatës politike.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›