E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për kryetarë, liderët që i janë drejtuar gjykatës

Ilir Meta lë përgjysmë idenë për koalicion, Dashamir Shehi i bashkohet LZHK-së. Nard Ndoka ligjëron postin e kryetarit, Petro Koçi më me pak fat për partinë e re

Laureta Rryçi

Tiranë - Viti që lamë pas ka qenë jo pak i trazuar për partitë politike. Ndërsa kemi hyrë në fushatën zgjedhore, disa prej tyre i kanë mbyllur llogaritë me problemet ligjore, ndërsa të tjerat vazhdojnë proceset civile, herë për vulën dhe herë për stemën e partisë. Statistikat e Gjykatës së Tiranës tregojnë se disa nga liderët u janë drejtuar togave të zeza për të zgjidhur problemet e krijuara ndër radhët e partisë. Mes tyre gjendet edhe Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim; Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane, Dashamir Shehu etj. Më pa fat duket se ka qenë Petro Koçi, i cili nuk ka mundur të kurorëzojë partinë e tij të re Partia Socialiste ‘91. Gjithashtu nuk kanë munguar edhe kërkesat e partive të tjera që kanë dashur të ligjërojnë zëvendësimin e kryetarëve. Nuk ka se si të mos bien në sy edhe kërkesat për të regjistruar parti të reja, të cilat duan të jenë pjesë e garës zgjedhore në 2009-n.
Ilir Meta për koalicion
Kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë vitit 2008 i është drejtuar disa herë Gjykatës së Tiranës për arsye të ndryshme. Ndër to duket se më e rëndësishme ka qenë ajo e ligjërimit të koalicionit “E majta për Integrim”. Kërkesa është depozituar në maj të vitit 2008 dhe është shqyrtuar nga gjyqtari Artur Gaxhi. Procesi civil ka zgjatur vetëm një seancë gjyqësore për shkak se pala e interesuar, në këtë rast Ilir Meta, nuk është paraqitur. Sipas ligjit, në të tilla procese nëse pala që ka hapur procesin nuk paraqitet, atëherë automatikisht çështja pushohet. Me këtë vijim që pati ky proces i bie që kryetarit të LSI-së nuk i kanë shkuar llogaritë politike për koalicione të majta.
Dashamir Shehu “shkrin” partinë
Politikani që nuk arriti të ishte pjesë e këtij Kuvendi që po i mbaron mandati, në zgjedhjet e këtij viti do të garojë si kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Dashamir Shehi i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të shkrirë një herë e mirë partinë që drejtonte deri pak kohë më parë, Partinë Demokratike të Rinovuar (PDRn). Me vendimin po të gjyqtarit Artur Gaxhi shkrihet një herë e mirë partia e krijuar në vitin 2002 nga Dashamir Shehi duke u bërë kështu pjesë e LZHK-së.
Nard Ndoka, përplasje për kreun
Për kryetarin e Partisë Demokristiane, në vitin 2008, me gjithë numrin e deputetëve që pati arritur të përfshinte në partinë e tij, sërish nuk munguan problemet për të mbajtur postin që kishte. Ndokës iu desh t’i drejtohej gjykatës për të ruajtur ligjërisht postin e kryetarit të Partisë Demokristiane. Në vendimin e zbardhur nga gjykata shpjegohet se nga procesverbali i datës 08.05.2008 i sekretariatit të PDK-së rezulton që në këtë datë të ketë zhvilluar punimet Kongresi i Jashtëzakonshëm i PDK-së. Verifikimi i pjesëmarrjes së delegatëve në Kongres është realizuar nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve sipas procesverbalit të administruar në proces, nga ku rezulton se në punimet e kongresit të jashtëzakonshëm kanë marrë pjesë të gjithë delegatët sipas mandateve të shpërndara (398 delegatë). Nga procesverbali i Komisionit të Votimit rezulton që Nard Ndoka është votëbesuar për vazhdimin e mandatit të kryetarit të partisë me 392 vota pro, 1 kundër dhe 5 abstenime. Ndoka kishte probleme me postin e kryetarit me një nga anëtarët e kësaj partie, Anton Gurakuqin. Ky i fundit kishte ngritur pretendimet se edhe ai ishte kryetar i kësaj partie. Gjykata vendosi të njihte si kryetar të kësaj partie Nard Ndokën. Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Blerina Muça.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›