Topi: “Reforma në Drejtësi për shtetasit, jo për pushtetarët”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se realizimi i reformës në Drejtësi duhet të bëhet në funksion të shtetasve dhe jo në funksion të pushtetarëve. Këtë deklaratë, numri 1 i shtetit shqiptar e ka bërë gjatë një darke me përfaqësitë diplomatike në vend, ku ka folur në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, por edhe në lidhje me reformën në Drejtësi. “Viti 2009 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Në pritje të përmbylljes së procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Shqipëria duhet të përgatitet për të kërkuar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky akt formal kërkon prova bindëse ndaj Brukselit. Ato janë përmbushja e standardeve demokratike në të gjitha fushat në Shqipëri. Funksionimi i shtetit të së drejtës, rregullimi i drejtë i raportit pronë, pronar dhe pronësi, thellimi i luftës kundër korrupsionit, respektimi i pavarësisë së institucioneve kushtetuese, realizimi i reformave në drejtësi për shtetasit dhe jo për shtetarët, konsolidimi i lirisë së medias dhe së fundi zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, janë sfida të vitit 2009”, - tha Presidenti Topi, i cili e cilësoi 28 qershorin si një datë shumë të rëndësishme për demokracinë shqiptare.
Rama nderohet me çmim në Samitin e Kryeqyteteve të së Ardhmes
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, është vlerësuar me çmim në Samitin e Kryeqyteteve të së Ardhmes, një prej forumeve më prestigjioze në botë, të zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe, në datat 13-15 janar. Figura të njohura të politikës, shkencës dhe biznesit u takuan në këtë samit për të prezantuar idetë dhe projektet e tyre inovatore dhe për të nderuar 8 fituesit e radhës. Mes fituesve, të cilët nderohen me motivacionin “Liderë që kanë dhënë kontribute të posaçme në zhvillimin e kryeqyteteve të së ardhmes dhe kanë frymëzuar jetën e miliona njerëzve nëpër botë”, u nderua dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ky është çmimi i katërt ndërkombëtar që Rama merr në karrierën e tij si kreu i qytetit të Tiranës, pas çmimit të Kryebashkiakut të Botës, atij “Për kontribut në çrrënjosjen e varfërisë”, të dhënë nga OKB-ja, dorëzuar nga sekretari Kofi Anan dhe titullin “Heronjtë europianë” të akorduar nga “Time Magazine” me motivacion “Për ndryshimin drejt një bote më të mirë”.
Presidentja e Republikës së Finlandës; Bill Gates, Presidenti i Microsoftit; Nobelisti, gjeniu i fizikës Stephen Hauking kanë qenë disa nga fituesit e tjerë të dalë nga ky forum i rëndësisë së veçantë, Samiti i Kryeqyteteve të së Ardhmes.
15 Janar 2009