E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petro Koçi pa fat, rrëzohet kërkesa për partinë e re



Gjykata e Rrethit të Tiranës ka rrëzuar vetëm pak ditë më parë kërkesën e Petro Koçit si përfaqësues i Partisë Socialiste ’91 për regjistrimin e këtij subjekti në regjistrin e partive politike. Arsyeja e këtij vendimi qëndron në ngjashmërinë e emrit që ka ky subjekt politik me Partinë Socialiste. Vendimi është marrë nga gjyqtari Artur Gaxhi më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, subjekti i ri politik i së majtës ka mbetur i paligjëruar dhe rrezikon të mos përfshihet në zgjedhjet e ardhshme nëse strukturat e partisë nuk vendosin për ndryshimin e emrit dhe rikompozimin e statutit dhe aktit të themelimit të saj. Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Artur Gaxhi theksohet se ka një përputhje emri ndërmjet subjektit të përfaqësuar nga Petro Koçi dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë. “Kështu nga dosja e regjistrimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë rezulton se ajo është krijuar në vitin 1991 dhe pikërisht vënia e shifrave ‘91 pas emrit të kërkuesit jo vetëm që nuk e bën të dallueshëm qartë emërtimin e kësaj partie nga emërtimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, por e bën të njëjtë me të dhe konfuzon më tepër njerëzit e votuesit, duke krijuar përshtypjen që kemi të bëjmë me të njëjtën parti politike”, - thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjyqtari Gaxhi konstatoi gjithashtu se edhe emblema (stema) e Partisë Socialiste ’91 përputhet me emblemën (stemën) e Partisë Socialiste të Shqipërisë. “Të dyja emblemat paraqiten në formë rrethore, me dy rrathë me ngjyrë të jashtme jeshile, njëri më i madh e tjetri më i vogël, me të njëjtën qendër, brenda hapësirës së të cilëve është shkruar emri i partisë, kurse në qendër të emblemës rrethore ndodhet një dorë e mbledhur, e cila mban trëndafilin e kuq në një sfond jeshil me ngjyrë më të çelët se rrethi i jashtëm”, -thuhet në vendim. Të njëjtin konfiguracion paraqet edhe logoja dhe vula e të dyja partive politike, pra si e kërkuesit subjekt politik “Partia Socialiste ’91”, ashtu edhe ajo e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, duke krijuar kështu përshtypjen, por edhe bindjen, që kemi të bëjmë me të njëjtën parti politike”.

Parti të reja për të qenë pjesë e garës në 2009-n

Partia më e re e regjistruar në Gjykatën e Tiranës është ajo e Progresit Social Kombëtar (PPSK). Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së mbërritur, ka pranuar regjistrimin si subjekt politik duke e rritur kështu numrin e partive që do të jenë në garë gjatë zgjedhjeve të këtij viti. Kjo parti si kryetar ka Agim Katanën. Sipas vendimit të zbardhur nga gjykata rezulton që kjo parti do të ketë si qëllim realizimin e aspiratës për një atdhe që rilind e përparon drejt qëllimeve të mëdha, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar të vendit, për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave njerëzore, për lartësimin e integritetit dhe dinjitetit kombëtar, për integrim të shpejtë në familjen europiane, për mirëqenie shoqërore, dinjitet dhe paqe, etj.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›