Beteja për pikë të plota
Njëra prej ndeshjeve interesante të xhiros së njëzetë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të shtunën në Prizren, ku do të përballen dy rivalët e vjetër, Lira dhe Prishtina.
Këto skuadra sivjet kanë ambicie krejtësisht të kundërta në dallim prej njëra-tjetrës. Prishtinasit objektiv e kanë titullin e kampionit, derisa prizrenasit po përpiqen të mbijetojnë në elitën e futbollit kosovar, pasi tani për tani gjenden në vendin e nëntë të tabelës së klasifikimit me 21 pikë, katër më shumë sesa ekipi i fundit, KEK-u.
Por për ta arritur këtë synim, bardhezinjtë duhet të tubojnë sa më shumë pikë që është e mundur. Andaj, ata synojnë t’i rrëmbejnë pikët e plota edhe në duel me bardhekaltrit, edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë aspak të lehtë, përballë liderit të Superligës.
“Prishtina është skuadër që duhet respektuar. Mirëpo, ne jemi shumë të mobilizuar në këtë stinor dhe pres që bashkë me shokët të japim maksimumin dhe të korrim fitore. Pres edhe përkrahje të madhe të publikut prizrenas”, ka thënë mesfushori i Lirisë, Ramadan Kryeziu për uebfaqen zyrtare të klubit të tij.
Në anën tjetër, kryeqytetasit drejt prizrenasit do të udhëtojnë me qëllim që ta mposhtin Lirinë para tifozëve të saj, dhe në këtë mënyrë ta bëjnë një hap tjetër drejt titullit të kampionit.
“Jemi të përgatitur mirë. Sikurse në çdo ndeshje, ashtu edhe në sfidën e radhës ndaj Lirisë objektiv e kemi fitoren, që të ecim sa më sigurt drejt titullit të kampionit”, u shpreh mesfushori i Prishtinës, Qëndrim Sejdiu. Përplasja mes këtyre dy skuadrave fillon në ora 14:00.
Prishtina ‘flenë’ në Prizren
Edhe pse distanca prej Prishtinës në Prizren nuk është aq e madhe, prishtinasit të premten pasdite kanë udhëtuar në Prizren, ku të shtunën do ta zhvillojnë ndeshjen e radhës si mysafirë të Lirisë.
Kështu ka vendosur kryetrajneri i bardhekaltërve, Wolfgang Jerat, me qëllim që t’ua shmang lodhjen eventuale nga udhëtimi djelmoshave të tij. Kështu kanë pohuar për Express disa lojtarë bardh e kaltër.
Drenica kërkon fitoren e parë
Ndeshje interesante do të zhvillohet po të shtunën në Skenderaj, ku do të përballen dy skuadrat ndër më të rrezikuarat për të rënë nga Superliga – Drenica dhe KEK-u.
Kuqezinjtë aktualisht gjinden në vendin e dhjetë të tabelës me vetëm 19 pikë të tubuara, dy më shumë sesa KEK-u. Ky i fundit në dy ndeshjet e para të pranverës i ka nxjerrë dy pikë – një në duel me Prishtinën dhe një tjetër ndaj Lirisë.
Kurse, Drenica e Bylbyl Sokolit do të përpiqet ta shfrytëzoj përkrahjen e tifozëve të saj që përball KEK-ut ta regjistroj fitoren e parë në këtë pranverë, pasi deri më tani i ka pësuar dy disfata – një nga Besa, e tjetrën nga Gjilani.
Superliga – Xhiroja e 20-të
E shtunë
Liria – Prishtina 14:00
Drenica – KEK-u 14:00
E diel
Drita – Gjilani 13:15
Vëllaznimi – Besa 14:00
Trepça ’89 – Lepenci 14:00
Hysi – Trepça 14:00