E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusinë e frikëson humbja e Sirisë

Në përpjekje për të fituar mbështetjen ruse, fuqitë perëndimore këtë javë kanë qarkulluar një projektdeklaratë të zbutur të Këshillit të Sigurimit për trazirat në Siri.

Moska përfundimisht ndryshoi mendje të mërkurën, kur u pajtua me një deklaratë joobliguese që shpreh “shqetësimin e thellë për përkeqësimin e situatës në Siri”, dhe tërthorazi kërcënon “për hapa të mëtejmë”, nëse presidenti al-Assad nuk i përmbahet planit paqësor të propozuar nga i dërguari i Ligës Arabe dhe i OKB’së, Kofi Annan.

Hezitimi i Rusisë për t’i dhënë perëndimit një çek blanko reflekton një frikë të thellë të dorëzimit të terrenit kryesor dhe të fundit në rajon që nga epoka sovjetike, ku që nga kryengritjet e Pranverës Arabe po shfaqet një bilanc i ri i fuqive.

Që nga vitet e 70’a Moska ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike, politike e ushtarake me elitën qeveritare të Damaskut. Kompanitë ruse të armëve ende mbesin furnizuesit kryesorë të ushtrisë siriane, ndërkaq marina ruse vazhdon të mbajë një bazë të saj në bregdetin mesdhetar sirian, në Tartus. Kjo është baza e vetmja detare ruse jashtë ish-Bashkimit Sovjetik.

Paralelisht, me rënien e regjimit të Moammar Gaddafi’t në Libi, Kremlini humbi aleatët kryesorë në Lindjen e Mesme, kështu që lidhjet e Moskës me Assad’in u bënë edhe më të rëndësishme.

“Raporti mes Sirisë dhe Rusisë paraqet mbetjen e fundit të politikave sovjetike në Lindjen e Mesme. Po të mos ishte Bashar al-Assad dhe Siria, kush do të ishte atje në një vijë me Rusinë? Askush. Kjo pra është pika e fundit e prezencës post-sovjetike në rajon. Është shumë vështirë për Putinin dhe për elitën ruse që ta pranojë këtë gjë”, sqaron eksperti për politikë të jashtme në Carnegie Center, në Moskë, Aleksey Malashenko.

Rusia ka vënë dy herë veto ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit të cilat do të dënonin aksionet brutale të Assad’it, dhe që mbështeteshin nga fuqitë perëndimore dhe nga Liga Arabe. Madje, sipas OKB’së si pasojë e këtyre sulmeve janë vrarë mbi 8,000 civilë.

Rusia, po ashtu, nuk ka ndërprerë armatosjen e Sirisë. Përderisa konflikti në Siri po thellohet, të dhënat e plota të furnizimit me armë mbeten të paqartë. Por, Instituti Ndërkombëtar për Kërkime Paqësore, me seli në Stockholm, vlerëson se mes viteve 2007-2011 pjesëmarrja e Rusisë në importin e armëve në Siri ka qenë 72 përqind. Sipas po këtij instituti, Rusia planifikon që atje të dërgojë 36 aeroplanë luftarakë e trajnues të tipit Yak-130, si dhe aeroplanë MIG-29M2. Vetëm kontrata për Yak-130 vlen 550 milionë dollarë.

Megjithëkëtë, preokupimi më i madh rus është ruajtja e ndikimit politik në rajonin që po ndryshon me shpejtësi të madhe, pas revolucioneve në Tunizi, Egjipt dhe Libi.

“Më të rëndësishëm se faktorët ekonomikë janë ata politikë, sepse Lindja e Mesme po merr formë të re. Ekziston një situatë e re në Magreb dhe një bilanc i ri i fuqive atje. Egjipti s’po zhduket në aspektin politik, por roli i tij po bëhet më i vogël. Ekziston një rend i ri në rajon, dhe Rusia nuk është indiferente ndaj kësaj gjëje”, thekson Aleksander Konovalov, president i Institutit për Analiza Strategjike në Moskë.

Megjithatë, ka pasur sinjale se Moska po e zbutë pozitën e saj. Të hënën Rusia iu bashkua thirrjeve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për armëpushim të menjëhershëm njëditor prej dy orësh nga të “gjitha grupet e armatosura”. Për më tepër, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, përdori të martën një gjuhë të ashpër dhe tepër kritike ndaj Assad’it.

“Ne besojmë se udhëheqja siriane reagoi në mënyrë të gabueshme ndaj shfaqjes së protestave të para paqësore, dhe ajo është duke bërë shumë, tepër shumë gabime”, tha Lavrov për radion ‘Kommersant-FM’.

“Fatkeqësisht, kjo ka bërë që konflikti të arrijë në këtë fazë të egër”, shtoi ai.

Të mërkurën, ndërkaq, Lavrov deklaroi se Moska e mbështet plotësisht deklaratën e re të OKB’së, duke sqaruar se “gjëja më e rëndësishme është se aty s’ka ultimatume”.Moska insiston se secila rezolutë që kërkon armëpushim duhet të respektohet, si nga opozita ashtu edhe nga forcat e Assad’it.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit kumtoi se forcat e Assad’it duhet të jenë të parat në ndaljen e përdorimit të forcës, sepse ato “bartin përgjegjësinë kryesore për dhunë”.

Sipas analistëve, bashkëpunimi potencial i Rusisë me Perëndimin lidhur me Sirinë është penguar për shkak të rezultateve që prodhuan aksionet e NATO’s në Libi - nën mandat të OKB’së. Në fakt, Moska frikësohet se Perëndimi dhe shtetet arabe, që duan dorëzimin e Assad’it, mund të përdorin ndonjë rezolutë të OKB’së për imponimin e zgjidhjeve të tyre për Sirinë, pa e pyetur fare Rusinë.

Moska ishte pajtuar me zonën e ndalim-fluturimit në Libi, atëherë kur nuk e përdori veton e saj në Këshillin e Sigurimit. Por, më vonë, ajo e akuzoi NATO’n për tejkalim të autorizimeve, duke theksuar se Aleanca po përdorej për rrëzimin e Gaddafi’t.

“Rusia ka qenë e zemëruar, e frikësuar dhe e shqetësuar me mënyrën sesi ishte përdorur marrëveshja për zgjidhjen e krizës në Libi. Rusia beson se veprimet e Aleancës kishin tejkaluar mandatin e dhënë nga rezoluta e OKB’së, ndaj të cilës ajo s’kishte vendosur”, thotë Konovalov.

Mirëpo, Malashenko mendon se largimi i Assad’it “është vetëm çështje kohe”, dhe se pas kësaj Moska duhet të ndryshojë politikën.

“Kjo mund të ndodhë nesër, apo edhe në dhjetor. Por se ai do të largohet, këtu nuk ka dyshim. E përsëris, Rusia duhet të mendojë për të ardhmen e saj”, përfundon Malashenko.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›