Beteja për shpirtin e demokracisë
Nga Ajola XOXA
Në Shqipëri komandon, vendos dhe urdhëron informacioni i pjesshëm, në varësi të asaj që thua. Spotet e Qeverisë shqiptare dhe censurimi i fjalës dhe mendimit të ndryshëm kanë zëvendësuar demokracinë. Gjithçka që nuk ju lejohet të dëgjoni e shikoni është e vërtetë. Gjithçka që reklamon Qeveria është ajo që ne duhet të dëgjojmë. Një portokall mekanik për së gjalli edhe më mendjepirës se ai i Kubrick. Nuk është nevoja të ndërhyjë policia a të kesh ligje speciale për të jetuar nën një regjim censure a’ la Enver Hoxha. Për këtë mjafton të kontrollosh informacionin. Fjalën e (pa)lirë. Mediat janë objektivi i parë në cilin do grusht shteti. Qartë. Rroftë media e lirë. Rroftë fjala e lirë. Rroftë mendimi i lirë. Lart demokracia, me të gjitha kriteret përbërëse të saj, së pari : lirinë e fjalës. Dëgjove?
Shqipëria nuk di më se çfarë është e vërtetë, nuk arrin më të gjykojë. Realiteti dhe informacioni që merr janë dy gjëra të ndryshme, të kundravëna. Është një boksier në gjendje konfuzionale, i cili i gjakosur i tëri mezi arrin të qëndrojë në këmbë, me trajnerin në cep të ringut që i bërtet se gjithçka shkon mirë. Të mos jesh apo të dish? Kjo është dilema në Shqipëri. Nuk jemi dot padronë të së përditshmes sonë sepse nuk dimë, sepse nuk na lënë të dimë. Dhe regjimi komunist 50 vjeçar kështu u mbajt : nuk lejohet të flisni, nuk lejohet të ankoheni, nuk lejohet të kritikoni, nuk lejohet të shikoni se ç’ndodh jashtë atdheut, nuk lejohet të njihni demokracinë, nuk lejohet liria, fjala, shpresa. As të qenit të palumtur nuk lejohet. Tani qesh, buzëqesh, lumturohu. Mos e bëj në do, në fund të fundit nuk ka rëndësi, sepse sidoqoftë fjala jote do censurohet. Siç ndodh me këdo që guxon të thotë se spoti 7 - minuta që së fundmi ka nxjerrë Qeveria është një realitet paralel, sepse nëse arritjet e saj do të ishin kaq thellësisht të dukshme, nuk do të ishte fare nevoja për një spot televiziv, i cili do të transmetohet përgjatë 45 ditëve, pafundësisht herë në ditë, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, të cilët padyshimisht që do të preferonin që këto para të shkonin tjetërkund, si për shembull në blerje energjie elektrike, ndërtim hidrocentralesh, pajisje shkollash fshati, ndërtim rrugësh rurale. Gjëra nga këto. Kështu të thjeshta. Të domosdoshme. Jo ndonjë zhurmë e madhe para-elektorale.
Goja jonë, sytë tanë, veshët tanë, janë Ata, është Ai. Një kalë i bukur me lëkurë syve – lejohet të shohësh vetëm drejt, t’i bindesh vetëm ‘pronarit’. Sa keq, Ai mendon se Shqipërinë time e ka pronë, sa keq... Sepse mediat janë më të forta se kaq, më të mençura se kaq, më të kthjella se kaq. Sa keq, kur Kryeministri të kuptojë se luani që na ka sulur do t’i marrë vetë atij frymën. Sa keq, që Kryeministri mendon se televizionet e mediat shqiptare janë pjesë e administratës së tij, instrumente të propagandës së tij të sëmurë. Sa keq, që kur Kryeministri hyri në politikë nuk desh ta linte kollaj profesionin e tij të vjetër, por meqë dy punë njëherësh nuk bëhen dot mirë, në vend të na shërojë, vazhdon ta mbajë popullin në komë të asistuar.
Zotëria në fjalë është konçesionar, i nënkontraktuar prej votues-taksapaguesit. Frekuencat televizive në të cilat transmeton janë tonat. Ndërsa konti bankar në rritje, konflikti i interesave dhe informacioni i rremë, janë të tijtë. Me taksat tona po paguhet një spot që vetëm kërkon të na shpëlajë rrudhat e trurit, një spot i cili shërben si megafon i interesave të aksionerëve të Berishës. E përtej kësaj, se në fund të fundit edhe Qeveria ka të drejtën të thotë të sajën, askujt tjetër nuk i lejohet të kundërshtojë të thotë të vetën. Guxo po deshe, se t’i zbraz unë xhepat. Qartë. Gjithkush që ka ngritur një biznes me djersë do të ndjehej i kërcënuar.
Përmbledhje : Kryeministri mund të dalë në televizion me lekët e mia dhe të thotë çka dreqin i do qejfi, kurse unë, po me lekët e mia, censurohem nëse guxoj ta kritikoj. Deja vu? Deja vu. Qindra, mijëra herë, përgjatë pesëdhjetë viteve të gjata. Kur të duhej të ngrije fort zërin e radios për t’i thënë bashkëshortit tënd se gjërat nuk shkonin mirë në punë; kur të duhej t’i gjuaje shuplakë fëmijës tënd që të mos guxonte t’i thoshte mësueses se dyqanet ishin aq të zbrazëta sa për drekë hante vetëm kunguj të tharë ; kur të duhej të thurje këngë e lavde për një udhëheqës shteti në derivë mendore, kur dhjetëra, qindra shqiptarë zhdukeshin pa gjurmë kthinave të maleve shqiptare sepse guxonin të propozonin një mënyrë tjetër që Shqipëria të shkonte më mirë, që guxonin të kritikonin një sistem të kalbur të censurës ambulante ; kur nuk njihje më miq, shokë, të afërm, sepse gjithkush mund të të hidhte në arenë, në atë arenë ku secili prej nesh duhet të shtirej se i gjithë ky spektakël gjigant i pavërtetësisë ishte më e mira për vendin. Në fillim ishte Fjala. Në fillim, ishte Fjala. Fjala. Ajo e lira. Ajo ngjizur e pjellë prej mendimit tënd të lirë. Ajo e pavarur prej interesave cinike ekonomike e politike, ajo që guxon të‘i thotë dhe babait se gabon, dhe Qeverisë. Kërkesë minimale për informacion të lirë në një shtet të lirë. Të lirë. Ku Kryeministri mbarëkontrollues e mbarëcensurues nuk ka në mënyrë konstante atë fytyrën prej day after që të frikëson e revolton përtej të pranueshmes. Fjala ishte e para, kur lindi shpirti ishte Fjala, si e vetmja mënyrë e tij për të thënë, për të ekzistuar.
Censura është virtyti par excellence i mediokërve : e kanë të nevojshme ta përdorin, është ushtrim i cili nuk ka nevojë për kurrfarë inteligjence.
Ka ndodhi përgjatë jetës që i ngjajnë pyetjeve. Kalon një minut, apo disa vite, pastaj jeta të përgjigjet. Viti 1991 ishte një e tillë pyetje. Viti 1997 gjithashtu. Edhe viti 2005. Edhe kjo që po ndodh sot. Këtë radhë, s’do të le rastësinë të përgjigjet, a justifikimin që natyrshëm të servir historia e trishtë shqiptare e viteve të fundit. Këtë radhë, demokracia është miku im i ngushtë, krahu im i djathtë. I imi, dhe i tre milion e kusur shqiptarëve që jetojnë nën një regjim të fjalës së lirë, tre milion e kusur shqiptarë, minus një. Ky është Kryeministri i Shqipërisë. Këtë radhë, unë, do flas, në emër të shpirtit të demokracisë shqiptare. Do flas.
4 Shtator 2008