E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu u premton rikthimin në punë 18 gjyqtarëve



Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, u ka premtuar gjyqtarëve të papunë që deri në tetor do të gjendet një sistemim për ta. Burime pranë KLD-së pohuan dje për gazetën “Albania” se numri dy i këtij institucioni ka zhvilluar një takim me 18 gjyqtarët e mbetur pa punë për shkak të shkrirjes së gjykatave. Të njëjtat burime shpjeguan se në këtë muaj gjyqtarët mbushin një vit që janë pa punë, edhe pse e kanë fituar betejën gjyqësore me KLD-në në Gjykatën e Lartë. Me ardhjen në detyrën e zëvendëskryetarit të KLD-së, Spahiu u pati premtuar gjyqtarëve se do të gjendej një zgjidhje për rikthimin e tyre në punë si gjyqtar. Aktualisht është ngritur një grup pune që do të paraqesë në KLD një zgjidhje për këta gjyqtarë të prekur nga reforma. Pak muaj më parë, pjesa më e madhe e gjyqtarëve që mbetën pa punë falë shkrirjes së gjykatave, depozituan padi në Gjykatën e Lartë për KLD-në. Gjyqtarët iu drejtuan kolegjeve të bashkuara, për ta cilësuar dhe ligjërisht vendimin e Këshillit si antikushtetues. KLD-ja i pati lënë ata në listë-pritje për gati një vit. Një pjesë prej tyre ka preferuar të kandidojë në vendet bosh duke u futur në garë me pa të drejtë, duke qenë se janë të detyruar t’i nënshtrohen kësaj gare.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›