E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e emigrantëve, “minierë ari” për sektorin e shërbimeve në Shqipëri

Ja sa janë shpenzuar për dokumente dhe pushime në 3 muaj. Shpenzimet nuk kufizohen vetëm në periudhën e qëndrimit në atdhe

Ervin Koçi

Emigrantët dhe të ardhurat që gjenerojnë nga ardhja e tyre në çdo sezon veror kanë qenë edhe këtë vit një “minierë ari”, sidomos për industrinë e shërbimeve në vend. Jo vetëm privatët, por edhe shteti ka fituar mjaft prej tyre këtë sezon, duke llogaritur që një pjesë e madhe e të ardhurave të tyre shkojnë për dokumente, certifikata, taksa doganore, dhe të tjera detyrime që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte administrata i ka marrë. Sipas një raporti të BSH-së, për këtë sezon veror të ardhurat nga emigrantët në vend llogariten të kenë shkuar në 200 milionë euro, nga të cilat 30 për qind e tyre i kanë kaluar menjëherë shtetit nëpërmjet shërbimeve që ai ofron. Para 15 vitesh emigrantët priteshin vetëm krahëhapur dhe me mall nga prindërit dhe të afërmit. Sot kjo kategori shqiptarësh janë në qendër të vëmendjes jo vetëm të prindërve apo të të afërmve, por të të gjithë komunitetit që përfiton prej tyre. Dashurinë për atë pjesë të shqiptarëve që jetojnë prej vitesh jashtë vendit po e shprehin gjithnjë e më shumë edhe bizneset. Duke filluar që nga bankat deri te dyqani ushqimor në lagjen tuaj, që të gjithë presin emigrantin me portofolin e fryrë.

Shërbimet përfituese

Me më shumë mundësi ekonomike për të kursyer krahasuar me klientët që jetojnë në Shqipëri dhe me një nivel të lartë interesi për të investuar në vendin e tyre, emigrantët po bëhen klientët kryesorë të shumë biznesmenëve. Duke nisur që nga shoferët e taksive, që i presin në porte dhe Aeroportin e Rinasit, lokalet, hotelet, restorantet, baret dhe klubet e natës, dyqanet, e deri tek bankat, agjencitë imobiliare, qendrat e internetit dhe sa e sa shërbime të tjera, përfitojnë të ardhura të mira nga emigrantët. Kaq e ndjeshme është kjo, saqë tani kemi të bëjmë edhe me sipërmarrje pothuajse tërësisht të posaçme për ta, si agjencitë e udhëtimeve, ‘ex-change’ etj. Ka edhe biznese si bankat që ofrojnë shërbime apo produkte të posaçme për ta, të cilat janë shtuar vitet e fundit në mënyrë të dukshme. Emigrantët po konsiderohen prej tyre si konsumatorë që kanë më shumë mundësi dhe dëshirë për të shpenzuar në atdhe, ndaj bizneset po bëjnë gara për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e emigrantit. Siç shprehet edhe drejtuesi i një agjencie udhëtimesh në kryeqytet, “15 vite më parë emigranti vinte me një çantë krahu sportive, sot ai udhëton me makinë ose zbret nga avioni apo trageti me një valixhe në dorë dhe disa të tjera që ia mbajnë çirakët”.

Përfitimi në komunitet

Mund të duket e çuditshme, por ardhja e emigrantit përbën gëzim edhe për pronarin e dyqanit më të varfër të lagjes, apo të fshatit. Më shumë para qarkullojnë në treg dhe më shumë shitje realizojnë edhe dyqanet e thjeshta të produkteve të konsumit. Të orientuar kryesisht për të blerë produktet që konsumojnë rregullisht jashtë, ata kanë nxitur në njëfarë mënyre edhe importin e këtyre produkteve. “Rritja e fluksit të shpenzimeve sidomos gjatë muajve qershor-gusht, nga qëndrimi i emigrantëve shqiptarë vërehet kryesisht në provinca, apo fshatra të varfra, ku fuqia blerëse është e ulët”, - thuhet në raportin e BSH-së. Duke i ngjasuar një turisti me xhepat plot, ai kthehet pas qëndrimit për një periudhë pak më të gjatë se pushuesit maqedonas apo kosovarë. Megjithatë, ndryshe nga këta të fundit, apo nga pushues të tjerë, emigrantët ndihen të pranishëm për bizneset gjatë gjithë kohës. Familjarët realizojnë shpenzime të vazhdueshme dhe madje edhe ekstra me të ardhurat e gjeneruara nga emigrantët. Ndërsa, një raport i qëndrueshëm, të paktën për vitet e huas apo kredisë, vendoset mes emigrantit dhe bankës që ka zgjedhur tashmë. Shërbime të shumta, apo biznese posaçërisht për ta, po nxisin, sipas një ekonomisti në vend, që të krijohet një raport gjithnjë e më i fortë mes Shqipërisë dhe emigrantëve të saj.

Rregullatorë të beqarisë

Duke u nisur nga të dhënat statistikore demografike, të cilat tregojnë se numri më i madh i shtetasve shqiptarë që janë në emigracion janë meshkuj të moshës nga 18-35 vjeç, ata përbëjnë edhe një fluks të madh individësh që qëndrojnë jashtë vendit. Kjo gjë ka bërë që për pasojë në Shqipëri të jetë më i lartë numri femrave, madje edhe i atyre në moshë të re, gjë që ka sjellë në të njëjtën kohë edhe një rritje të moshës mesatare të martesës në vend. Por ardhja e emigrantëve, sidomos gjatë sezonit veror, shton në vend edhe atë që tashmë shumë mirë mund të quhet biznesi i dasmave. Janë me dhjetëra tashmë agjencitë që organizojnë ceremoni martesore në vend, që si klientët më të mirë kanë pikërisht emigrantët që vijnë në vend përveç se me pushime, edhe për t’u martuar. Një rrugë e dy punë. Po kështu nga kjo përfitojnë edhe dyqanet që tregtojnë veshje për nuset dhe dhëndurët, pastiçeritë, restorantet, agjencitë e makinave luksoze, grupet e orkestrantëve, deri tek kameramanët e dasmave, studiot e regjistrimit dhe fotografët. Përfitojnë gjithashtu edhe vajzat shqiptare që për një arsye ose një tjetër përmirësojnë jetesën e tyre. Pra emigrantët janë edhe një efekt rregullator për beqarinë.

Videotekat, emigrantët klientë të pasionuar për filmat shqiptarë

Emigrantët në përgjithësi janë bërë klientë të rregullt edhe për videotekat shqiptare. Shumë prej tyre marrin me vete këngët e tyre të preferuara shqiptare, apo një video me një komedi që flet shqip apo film artistik. Ata orientohen të blejnë kryesisht disqet me muzikën e vendit të tyre të origjinës, por nuk mungojnë edhe muzika të tjera të këngëtarëve të fundit të dalë në treg. Sipërmarrësi i një prej videotekave në Tiranë tregon se gjatë periudhës së fluksit të emigrantëve, xhiroja ditore është më shumë se dy herë më e lartë krahasuar me periudha të tjera të vitit. Ai tregon se emigrantët nuk ngurrojnë të blejnë diskun e një këngëtari që pëlqejnë, madje tregon se ndonjë prej tyre ka arritur të bëjë blerje edhe deri në 15 mijë lekë.

Suveniret, emigrantët janë zbehur nga ndjenjat kombëtare

Një raport shumë i fortë në fillimet e emigrimit të shqiptarëve, ai mes tyre dhe shqiponjës së dizenjuar në dru apo në metal, duket se po zbehet. Ndër të paktat biznese që kanë pasur emigrantët për vite të tëra si klientët e tyre kryesorë janë të zhgënjyer nga blerjet që ata kryejnë gjatë periudhës së qëndrimit. Shitësja e një prej këtyre dyqaneve në kryeqytet tregon se raporti mes blerjeve që realizojnë emigrantët dhe turistët po bie në mënyrë të dukshme. Nëse para 3 vitesh 80 për qind e blerjeve të suvenireve realizoheshin nga emigrantë apo familjarë të tyre, gjatë këtij viti ata nuk arrijnë as 60 për qind të klientelës. Ajo sqaron se rënia e peshës së tyre ka ardhur kryesisht nga rënia e interesit për blerje dhe jo nga rritja e numrit të turistëve të huaj që blejnë suveniret shqiptare.

Agjencitë e udhëtimit rrisin komoditetin për emigrantët

Emigrantët që përdornin linjën tokësore (me autobus) për të shkuar në Greqi, deri para dy vitesh merrnin me vete bukën e gatuar në shtëpitë e tyre. Në rastin më të mirë ata drekonin në restorantin afër pikës së ndalimit të autobusit. Sot, linjat e autobusit ofrojnë mundësinë e konsumit të pijeve apo ushqimit pikërisht gjatë udhëtimit. Madje, disa prej kompanive, për udhëtarët e tyre besnikë, që bëjnë disa udhëtime me të njëjtën linjë, ofrojnë edhe një udhëtim falas. Por shërbimet ndaj emigrantit udhëtar nuk ndalen këtu. Shumë agjenci udhëtimesh arrijnë t’u bëjnë klientëve të tyre emigrantë bileta elektronike. Mjafton paraqitja e pasaportës në pikën e kalimit të kufirit për të lexuar kodin e biletës së paguar. Ndërkohë, siç tregon edhe një punonjëse e një prej agjencive të udhëtimit, “për klientë të njohur që jetojnë në Itali, mund të realizohen edhe bileta udhëtimi edhe para ardhjes së tyre”. Vetëm pas mbërritjes në destinacion ata mund të mbyllin pagesën e plotë të udhëtimit. Agjencitë e udhëtimit, të lindura në të njëjtën kohë me emigrantët duket se janë konsoliduar po aq sa edhe ata. Një pjesë e mirë e tyre që veprojnë në kryeqytete apo në qytetin që ka fluksin më të madh të hyrjeve dhe daljeve të emigrantëve, Durrës, tregojnë se ata që udhëtojnë për të bërë biznes apo për pushime janë gjithnjë e më të shumtë, por klientët e tyre të përhershëm mbeten emigrantët. Gjatë stinës së verës ata përbëjnë rreth 80 për qind të klientëve, ndërsa në sezonin me fluks më të ulët, 50 për qind e udhëtarëve janë emigrantë.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›