E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni, Vlora me 50 mijë pushues më shumë se vitin e kaluar



Sezoni i verës i këtij viti ka sjellë më shumë pushues dhe turistë të huaj në qytetin bregdetar të Vlorës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këtë vit janë numëruar rreth 50 mijë pushues më shumë se në vitin 2007. Lajmi bëhet publik nga drejtori i Turizmit pranë Bashkisë së Vlorës, Ilir Metaj. Sipas tij, në sezonin e vitit të kaluar numri i pushuesve ishte 250 mijë, ndërsa këtë sezon shifra kalon mbi 300 mijë. Ndërkohë, numri një i turizmit në qytetin bregdetar pohon se në shtimin e numrit të pushuesve ka ndikuar dyndja e turistëve kosovarë dhe maqedonas. Këta të fundit, pas konflikteve me Greqinë, kanë zgjedhur Jugun e Shqipërisë për të kaluar pushimet e verës. Por sipas Metajt, një rol të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë për thithjen e pushuesve vendas dhe të huaj, ka luajtur përmirësimi i infrastrukturës jo vetëm në territorin e qytetit, por edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të zonës. Këtë vit, Bashkia e Vlorës punoi me intensitet e përkushtim për rehabilitimin e rrugëve kryesore dhe atyre dytësore. Investimet e bëra për rikonstruksionin e akseve rrugore, ndriçimin e tyre dhe ndërtimin e lulishteve, i dhanë një pamje krejt tjetër lagjeve të ndryshme të Vlorës. Gjithashtu, bashkia bëri një sërë investimesh dhe në plazhin publik, duke nisur që nga vendosja e çadrave apo shezloneve falas, internet wirles falas, apo shërbime të rojës bregdetare. Nga ana tjetër, drejtori i Turizmit në Vlorë shprehet se përgjatë gjithë sezonit nuk kanë munguar aktivitetet kulturore dhe artistike, si festivali folklorik, pjesëmarrja e grupeve të mirënjohura të huaja dhe shqiptare apo aktivitete të tjera për argëtimin e pushuesve.

Energjia, OSSH-ja shtyn remontet edhe për një muaj

Remontet e linjave të energjisë, por edhe të nënstacioneve të ndryshme në të gjithë vendin do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji. Edhe pse ky proces, i cili ka nisur që në fillim të qershorit ishte parashikuar të përfundonte brenda korrikut, drejtues të OSSH-së bëjnë të ditur se remontet do të vazhdojnë deri sa ky proces të përfundojë për rreth 75 për qind të rrjetit. Kjo do të thotë se edhe ndërprerja e energjisë elektrike, e cila ka qenë më problematike për disa fshatra dhe disa zona periferike të kryeqytetit, do të vazhdojë nga 2-3 orë deri në 10 orë për disa fshatra. “Rreth 75 për qind e rrjetit do të kalojë në remont, ndërsa deri tani janë kryer riparime në rreth 70 për qind të linjave të tensionit të lartë dhe patjetër që do të ketë ndërprerje të energjisë në këto zona ku punohet. Shkak janë jo vetëm remontet, por edhe sigurimi teknik i punonjësve që merren me këtë proces”, janë shprehur drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është në proces privatizimi dhe tenderi është shtyrë me vendim të Qeverisë. Ndërkaq, OSSH-ja ka vijuar punën për të pajisur me matës të energjisë elektrike konsumatorët familjarë dhe bizneset, shifër që ka arritur deri në 70 për qind të konsumatorëve.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›