Mungon avokati, shtyhet seanca për anglezin Devid Braun
TIRANË - Ka dështuar të mërkurën në Gjykatën e Shkallës së Parë seanca gjyqësore në ngarkim të anglezit Devid Braun, që akuzohet për abuzime seksuale me minorenë. Shkak u bë mungesa e përfaqësuesit ligjor të të pandehurit, i cili kërkoi nga Gjykata shtyrjen e seancës për javën e ardhshme. 54-vjeçari Devid Braun akuzohet për marrëdhënie seksuale me disa të mitur, që strehoheshin në ish-qendrën e bamirësisë “Fëmijët e Tij”, në Tiranë, të cilën ai e kishte nën administrim. Së bashku me Devid Braunin, prokuroria ka marrë me cilësinë e të pandehurit për abuzime seksuale me minorenë edhe dy shtetas të tjerë anglezë. Me fillimin e hetimeve për këtë çështje, që pasuan me arrestimin afro një vit me parë të të pandehurit Braun, strukturat shtetërore mbyllën edhe qendrën e bamirësisë “Fëmijët e Tij”.
Qeveria miraton kalimin transit në Shqipëri të trupave ushtarake sllovene
TIRANË - Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për lejimin e kalimit transit në Shqipëri të tre autokolonave dhe trupave ushtarake, sllovene”. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, autokolonat dhe trupat ushtarake sllovene do të kalojnë transit në Shqipëri, në datën 4 shtator 2008 dhe do të ndjekin itinerarin Qafë Thanë - Porti i Durrësit.
Vendimi parashikon që gjatë itinerarit të lëvizjes nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, autokolonat dhe trupat ushtarake sllovene, do të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
4 Shtator 2008