Ja pse!
Nga Arbi Mazniku
Nuk qe fare e papritur apo e habitshme gjoba që morën dje NEWS24 dhe VIZION +. Jo më kot u lodh Berisha të vendosë nën kontroll KKRT duke e bërë një ndër institucionet e para të cilat kaluan “reformën” e shndërrimit në vegla Orwelliane të tija. Spoti i kryeministrit është kryekëput propagandë politike. 6 minuta plot me dokrra. Për dreq dhe të hartuara keq, që nuk i mbushin mendjen askujt, duke i çuar edhe më dëm paratë tona.
Beteja për liri dhe pavarësia e institucioneve shumëkujt i është dukur si betejë “luksoze” e drejtuar nga disa “intelektualë” të shkëputur nga hallet e përditshme të njerëzve. Kështu rrezikon të duken dhe debatet rreth gjobës që KKRT-ja u ka vënë mediave të vetme që pranuan të transmetojnë kundër - spotin e G99. Vetëm kur çështjet bëhen kritike atëherë vihet re nevoja që ka shoqëria jonë për liri. Dhe beteja e vërtetë është pikërisht për lirinë. Beteja e vërtetë është për të drejtën që çdo grupim duhet të ketë që t’i përgjigjet mbajtësve të pushtetit në të njëjtën mënyrë e me të njëjtat mjete që ata i folën publikut. Ky është ndryshimi midis demokracisë dhe regjimeve të Chavezit, Mugabes apo të Enverit.
Për fat të mirë kjo është një deja-vu. Katër vjet më parë një tjetër kryeministër përshkoi të njëjtën rrugë. Kur punët po i shkonin keq, provoi strategjinë e kulaçit dhe kërbaçit me mediat shqiptare. Në një krah gjoba e gjyqe, e në tjetrin para. Strategjia synonte atëherë ashtu si dhe tani, që të zbuste kriticizmin e mediave për dështimet e qeverisë. Atëherë ashtu si dhe tani plani dështoi se problemi nuk qe tek raportimi i mediave por tek paaftësia e qeverisë. Nuk është faji i pasqyrës, është problemi i fytyrës.
Por pikërisht në këto momente del në pah nevoja për liri. Për mundësinë që veprime të njerëzve të veshur me pushtet e me para publike të mos përdoren kundër vetë publikut. Kjo përbën formën më të ligë të korrupsionit, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me keq përdorim të fondeve, por me përdorimin e fondeve e pushtetit për të korruptuar themelin e demokracisë. Bllokimi i lirisë së shprehjes, si nëpërmjet kërbaçit ashtu si dhe nëpërmjet kulaçit, është momenti kyç në të cilën demokracia humbet sensin e saj të mirëfilltë. Ky është dhe treguesi se regjimi është i dëshpëruar, ka humbur toruan, dhe ka filluar të degradojë.
Reagimi i shoqërisë përballë këtij presioni është treguesi i zhvillimit të saj demokratik. Nëse e lejojmë të ndodhë atëherë demokracia jonë e brishtë do fishket edhe më tej. Nëse e mundim do jemi të gjithë më të fortë kundër cilitdo njëri me pushtet që do ta riprovojë sërish të njëjtin rreng.
Ja pse goditja ndaj pavarësisë së institucioneve është dëmi më i madh që Sali Berisha i ka sjellë Shqipërisë në këto katër vjet. Premtimet e tij të pambajtura janë me dhjetëra. Por në premtimet e pambajtura të paktën nuk na prishi punë, thjesht nuk na bëri punën. Ndërkohë që me militantizmin e institucioneve Berisha ka dëmtuar në thelb strukturën e demokracisë tonë. Dëm për të cilin do na duhet punë dhe kohë për ta rikuperuar. Mund të gjejmë ngushëllim vetëm në faktin që në ditët e tij të fundit nuk ka më dhe aq kohë për ti sjellë më shumë dëme vendit.
Ja pra pse na duhet beteja e vazhdueshme për lirinë në Shqipëri.
4 Shtator 2008