Shaqiri, ua zdrit fytyrën shqiptarëve

Përveç lëvdatave që po merr nga trajnerët dhe njohësit e futbollit evropian për paraqitjet e shkëlqyeshme me Baselin dhe përfaqësuesen zvicerane, Xherdan Shaqiri po merr lëvdata edhe nga përfaqësues të jetës politike në Zvicër, ambasadorë, sportistë, avokatë e të tjerë.
Naim Malaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër, mesfushorin me prejardhje nga Gjilani e konsideron si ambasadorin më të mirë në shtetin helvetik për shqiptarët.
“Xherdan Shaqiri pa dyshim është ambasadori më i mirë në Zvicër. Ai është shembull i mirë për bashkëmoshatarët e tij për integrim dhe shembull se çfarë faktori janë shqiptarët në Zvicër. Deri dje shqiptarët ishin krahu i punës, ndërsa sot të mendjes, të suksesshëm në politikë, sport, shkencë etj”, ka thënë Malaj për ueb faqen www.albinfo.ch.
Ndërsa kick-boksieri i njohur kosovar, Azem Maksutaj mendon se Shaqiri ua ka zdritur fytyrën edhe shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, pasi kanë qenë të njohur vetëm si problematikë.
“Xherdan Shaqiri është Maradona shqiptar. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër ia kanë pa hairin Shaqirit dhe duhet të mburren me të, ngase deri dje kanë qenë të njohur vetëm si problematikë. Të gjithë kanë përfituar prej Xherdanit, po edhe futbollistët e tjerë shqiptarë, si: Mehmedi, Xhaka, Xhemajli etj”, ka deklaruar Maksutaj.
Ndërsa politikanët zviceranë talentin kosovar, që tashmë e kërkon gjysma e Evropës, e konsiderojnë si shembull të mirë për integrim në një shoqëri të huaj.
“Shaqiri është njëri ndër shembujt më të mirë për integrimin e suksesshëm”, ka thënë për albinfo.ch politikan i CVP-PDC-së nga kantoni Zug, Gerhard Pfister.
Edhe Geraldine Savary, deputete federale nga Partia Social Demokrate, mendon njëjtë.
“Mendoj se Shaqiri është shembull i mirë i integrimit jo vetëm që bën të fitojë Zvicra, por edhe pozicionohet dhe flet për origjinën e tij. Ai tregon se si dëshiron të jetojë në Zvicër”.
Në anën tjetër, 20 vjeçari vazhdon ta mbajë Kosovën në zemër, edhe pse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Zvicër.
“Kosova është vendlindja ime dhe 50 për qind është në zemrën time. Edhe Zvicra është 50 për qind në zemrën time, ngase më dha mundësinë të punojnë babai, nëna, vëllezërit dhe motra, të shkojnë në shkollë e tjera e tjera”, ka thënë Shaqiri i cili dy herë në vit viziton vendlindjen.
“Shaq Attack", siç e quajnë zviceranët, është shumë i lidhur me familjen e veçanërisht prindërit. Madje këtyre të fundit ditë më parë u ka dhuruar një apartament.
“Pa familjen time nuk isha aty ku jam sot. Ishte një kohë kur nuk kishim asgjë, megjithatë prindërit më dhanë mundësinë për të luajtur futboll, për të blerë patika e tesha”, ka theksuar Shaqiri.
Ai ka treguar se ka raporte shumë të mira edhe me futbollistë tjerë shqiptarë, si me vëllezërit Taulat e Granit Xhaka (Basel), Valon Behramin (Fiorentina), Blerim Xhemjalin (Napoli), Adrian Nikçin dhe Admir Mehmedin (Zurich).
Shaqiri karrierën e ka filluar në vitin 1999 te klubi SV Augst, ku ka qëndruar deri në vitin 2001. Nga ky vit shtatshkurtri ka kaluar te të rinjtë e Baselit, ku ka luajtur deri në vitin 2009, për të dalë në ekipin e parë ku është edhe sot.
Me ekipin e parë të Baselit, Shaqiri ka pasur një ngritje të madhe. Përveç që ka fituar dy herë kampionatin dhe Kupës e Zvicrës, 20 vjeçari është ftuar edhe në Kombëtaren e Zvicrës me të cilën mori pjesë në Botërorin Afria e Jugut 2010.
Ai është pjesë e rregullt e përfaqësueses helvetike nga viti 2010, derisa tashmë është bërë objektiv i shumë klubeve të mëdha evropiane. Nëse jo gjatë këtij dimri, atëherë në afatin kalimtar të verës Shaqiri pritet të transferohet te ndonjë klub më i madh evropian.