Beteja përtej krizës, “luftë” për institucionet kushtetuese
Teksa pozita dhe opozita vazhdojnë të mos i japin zgjidhje krizës politike, të krijuar që prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, disa prej krerëve të institucioneve kushtetuese, po bëhen gati të mbyllin mandatin. Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme synon në njëfarë mënyre të frenojë revanshin, që mund të marrë mazhoranca në momentin e zëvendësimit të Presidentit, Bamir Topi, Kryeprokurores Ina Rama, apo rreziku i shkarkimit të kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Bahri Shaqiri. Këto mandate, por edhe ai i Guvernatorit të Shqipërisë dhe kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mund të kthehen në objekt përplasjesh të forta politike, ose mund të shërbejnë si bazament i një marrëveshjeje politike për kapërcimin e krizës.
KLSH
Në tetorin e këtij viti përfundon zyrtarisht mandati i Robert Çekut, në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, më 28 tetor të vitit 2004. Ligji dhe Kushtetuta përcaktojnë qartazi mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit të KLSH-së, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës dhe qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje (neni 162). KLSH-ja është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqipërisë. Në vitet 1992-1996, Çeku ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Financave dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimtaksave. Në vitet 1996 – 1997, ai ka pasur detyrën e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, në Legjislaturën e XIV-të; 1996 – 2001 Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PR-së; 2001 – 2004 zëvendëskryetar i PR-së dhe 2001 – 2004 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në Legjislaturën e XVI-të. Nuk dihet nëse Berisha do të preferojë më të zgjedhë Çekun, edhe për një mandat në krye të KLSH-së, pasi nuk kanë munguar përplasjet mes tij dhe kreut të këtij institucioni.
Guvernatori
Ardian Fullani, i cili aktualisht mban detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, është zgjedhur në këtë detyrë me vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Nr.152, datë 28.10.2004. Ligji përkatës dhe Kushtetuta parashikojnë se Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Rezulton se mandati i Guvernatorit përfundon në të njëjtën ditë me atë të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Fullani është njohur për marrëdhëniet e tij të mira me mazhorancën aktuale dhe me Kryeministrin Sali Berisha. Për aq kohë sa Kushtetuta ja njeh të drejtën e rizgjedhjes, emri i tij mund të ripropozohet për një tjetër mandat.
Presidenti
Më 20 korrik të vitit 2012 përfundon ligjërisht mandati i Presidentit, Bamir Topi, i cili është votuar për këtë detyrë më 20 korrik të vitit 2007. Kushtetuta parashikon se Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Bazuar në ndryshimet e Kushtetutës, më 21 Prill 2008, Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President, kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Mazhoranca e Kryeministrit Sali Berisha është deklaruar tanimë hapur dhe publikisht se nuk mbështet një rikandidim të z. Topi, për një tjetër mandat në krye të shtetit, pavarësisht se juridikisht kjo mundësi ekziston.
Kryeprokurorja
Në nëntorin e vitit 2012, vetëm pak muaj pas zgjedhjes së Presidentit, do të duhet që ai të propozojë emrin e Kryeprokurores së Republikës së Shqipërisë. Një veprim që natyrisht do të duhet ta bëjë në konsultë me mazhorancën, nëse do të dëshirojë të dalë me sukses. Ina Rama u zgjodh në mandatin aktual nëntorin e vitit 2007 dhe ligji përcakton që Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi. Nga zhvillimet e fundit politike, të pas 21 Janarit, është vënë re një tendencë e fortë sulmi ndaj kreut të akuzës, ndërsa deputetë të mazhorancës kanë deklaruar se ajo në zgjedhjet e ardhshme nuk është çudi të përfundojë deputete e Partisë Socialiste. Deklaratë kjo e bërë nga Genti Strazimiri, por që në vetvete tregon qartazi se nuk do të ketë një mbështetje për mandat të dytë, në krye të Prokurorisë për Ina Ramën. Rrjedhimisht do të duhet të pritet emri i Presidentit të pas 20 korrikut 2012, për të kuptuar edhe fatin e Kryeprokurores.
SHISH-i
Pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, Kryeministri i asokohe, Fatos Nano, do të shfrytëzonte një prej të drejtave të tija Kushtetuese, atë të propozimit të Bahri Shaqirit, si kreu i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror. Shkak për këtë ndryshim ishte ndarja nga jeta, për arsye shëndetësore, e paraardhësit të Shaqirit, Kujtim Hysenaj. Kryeministri Sali Berisha ka tentuar në më shumë se tre raste, që të largojë nga detyra kreun e SHISH-it dhe së fundi, duke kërkuar vendosjen e një mandati për këtë institucion, që ende nuk ka mandat. Shkarkimi i tij duhet të firmoset prej Presidentit dhe diçka e tillë nuk ka pasur gjasa të ndodhë, as në kohën e Alfred Moisiut dhe as në atë të Bamir Topit. Emri i Presidentit të pas korrikut 2012, mund të vendosë edhe fatin e kreut aktual të Shërbimit Informativ Shtetëror.