Videoja 2, Raporti i Këshillit: Dritan Priftit t’i hiqet imuniteti
Këshilli Për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur t’i propozojë seancës plenare heqjen e imunitetit të deputetit Dritan Prifti. Në këtë konstatim kanë arritur dy relatorët Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri, të zgjedhur nga Këshilli për hartimin e raportit që do t’i paraqitet ditën e enjte seancës plenare, ku dhe pritet të votohet për kërkesën e prokurorisë për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Prifti. Në më pak se dy faqe raport përfaqësuesit e dy forcave kryesore politike në vend, ashtu si dhe në rastin e Ilir Metës, kanë gjetur mirëkuptimin duke hartuar një raport të përbashkët, ku bien dakord që t’i propozojnë seancës dhënien e autorizimit Prokurorisë për fillimin e hetimit, ose thënë ndryshe t’i heqë imunitetin parlamentar ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Raporti i hartuar fillimisht bën një prezantim të kërkesës së Prokurorisë si dhe datën e depozitimit të saj në Kuvend dhe më pas merret me seancën dëgjimore që Këshilli i Imuniteteve zhvilloi me deputetin Prifti, ku ky i fundit shprehu pretendimet e veta mbi argumentet e paraqitura nga organi i akuzës. “Deputeti Dritan Prifti u paraqit në mbledhjen e Këshillit të datës 14 shkurt 2011, parashtroi objeksionet e tij dhe iu përgjigj pyetjeve të bëra anëtarë të Këshillit. Në mbledhjen e Këshillit, përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës ritheksuan qëndrimin se janë të hapur dhe do të votojnë “Pro” çdo kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale ndaj cilitdo deputet”, - thuhet në raport, ndërsa theksohet dhe vullneti i të dyja forcave politike kryesore në vend për të dhënë pëlqimin e çdo kërkese të Prokurorisë për të heqjen e imunitetit të çdo deputeti. Në raport paraqiten dhe referencat ligjore mbi të cilat vepron Kuvendi në një rast të tillë dhe në fund theksohet se në unanimitet Këshilli i propozon seancës dhënien e pëlqimit për kërkesën e Prokurorisë. “Përsa më sipër, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i propozon njëzëri Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Dritan Prifti”, - thuhet në raportin e hartuar nga Gumi dhe Gjiknuri. Prokuroria e Përgjithshme gati dy javë më parë paraqiti në Kuvend dy kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, të cilët, sipas saj, akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv. Ndërsa për rastin e Kuvendi vendosi të procedojë me shpejtësi, duke ia hequr imunitetin brenda javës; për Priftin mazhoranca vendosi të ndjekë procedurat normale, duke e lënë për ta miratuar kërkesën gjatë seancës së kësaj jave. Prifti, sipas kërkesës së Prokurorisë, implikohet në një video të regjistruar prej vetë tij, ku ai gjatë kohës që ushtronte detyrën e ministrit të Ekonomisë ndante një shumë prej 70 mijë eurosh me zëvendësin e tij në këtë ministri.