Betim Vranezi më i miri në Kampionatin Ballkanik
betim-mundje.jpg)
Avdyl SALIHU
Shkup - Të shtunën nën organizim të Federatës së Mundjes të Maqedonisë u mbajt Kampionati Ballkanik në mundje-stil i lirë për policë. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë gjithsejtë 40 mundës nga Turqia, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Qipro, Serbia, Rumania dhe Maqedonia. Ndeshjet janë zhvilluar në palestrën sportive "Biljanini Izvori" në Ohër. I vetmi mundës shqiptar që përfaqësoi Maqedoninë ishte Betim Vrenezi, i cili shënoi rezultatin më të mirë në këtë garë. Ai u shpall kampion në kategorinë deri më 96 kg. "Në këtë kampionat ballkanik për policë nuk isha sa duhet i përgatitur, për shkak se me vonesë jam ftuar të garoj, por jam i kënaqur me vendin e parë. Në këto gara mposhta rumunin Velkov dhe grekun Pikadev në pika. Ndërsa luftën e tretë e fitova pa kundërshtar, për shkak se mundësi rumun nuk u paraqit në dysheme", deklaroi Vrenezi, duke shtuar se "Me rezultatin e arritur jam shumë i kënaqur, sepse isha i vetmi shqiptar që mora pjesë. Ky titull më jep vullnet për punë, për t`u paraqitur edhe më mirë në garat e radhës ku synoj kampionatin evropian dhe botëror", përfundoi Betim Vrenezi, mundës i KM "Liria" nga Shkupi.