Fitore për shqiptarët Seferi e Shabani

Nuri Seferi ka shënuar fitoren e tij të 18-të në ringun profesionist duke mposhtur pa shumë vështirësi kroatin Sinisha Puljak në përballjen e zhvilluar në "St. Jakob Halle" në Bazel të Zvicrës pikërisht në mbrëmjen kur është diskutuar titulli i kampionit të botës për versionin WBA mes Nikolai Valuev dhe Jameel McCline.
Meci i parashikuar që të zgjasë tetë runda nuk ka vazhduar pas rundit të pestë pasi Puljak nuk ka mundur të vazhdojë mecin duke i dhënë fitoren me nokaut Seferit. "Tajsoni shqiptar" më parë e kishte rrëzuar në "nokdaun" kroatin në rundin e tretë.
Shqiptari tjetër që ka boksuar në këtë mbrëmje, Faruk Shabani, i cili në ringun profesionist paraqitet me emrin Frank Shabani ka shënuar fitoren e tij të tretë në ringun profesionist. 24-vjecari prishtinas që bokson në kategorinë "velter" ka mposhtur me vendimin unanim të gjyqtarëve holandezin Richard Asare në një përballje që ka zgjatur për gjashtë runda. Shabani i cili bokson nën flamurin gjerman është shqiptari më i ri që është ngjitur në ringun profesionist duke debutuar me 4 nëntor të vitit të kaluar. Deri më tani ka një bilanc të qindpërqindtë prej tre fitoresh në tre mece.