Betohen në gjykatë dy ekspertët mjeko-ligjorë për vizitën e Budjon Meçes
TIRANË - Procesi për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, vijoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me betimin e dy ekspertëve, të cilët do të përcaktojnë gjendjen shëndetësorë të Budjon Meçes, një nga katër të pandehurit e procesit. Pas betimit, gjykata u ka lënë një javë kohë dy mjekeve për të përgatitur raportin përfundimtar, në lidhje me gjendjen shëndetësore të Meçes, i cili ndodhet i shtruar në spital. Kërkesa për ekspertimin shëndetësor të Meçes, u bë nga prokurori i çështjes Xhevat Hana, i cili kërkoi që ai të ishte i pranishëm në gjykim. Por familjarët e të pandehurit kanë pretenduar se ai ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Një seancë më parë gjykata shpalli gjykimin në mungesë për të pandehurin Ilir Kumbaro, i cili nuk gjendet në Shqipëri, ndërkohë që pas raportit të ekspertëve pritet që gjykata të marrë vendimin edhe për Meçen, nëse gjykimi mund të bëhet në mungesë të tij. Në seancën e sotme ishin të pranishëm të dy të pandehurit e tjerë Arben Sefgjini, i cili është aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe Avni Koldashi. Kjo është seanca e katërt gjyqësore e procesit në ngarkim të katër të pandehurve të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rrëmbyer dhe më pas zhdukur biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, më 21 tetor të vitit 1995.
21 Qershor 2008