E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 23 vite burg për të arrestuarit e operacionit “Ciklon 3”



TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti dje konkluzionet përfundimtare të gjykimit për dy të pandehurit Edi Kane dhe Mondi Myftari të akuzuar “trafik të armëve”, ndërsa ka kërkuar nga gjykata t’i dënojnë ata me 23 vite burg gjithsej. Sipas kërkesës së Prokurorisë, “gjatë fazës së gjykimit të çështjes janë sjellë para gjykatës prova dhe shkresa materiale që vërtetojnë se dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake”. Për të pandehurin Mondi Myftari prokurori u shpreh se “nga provat e mbledhura gjatë fazës hetimore është faktuar se ka kryer rolin e organizatorit në këtë trafik armësh", duke kërkuar nga gjykata dënimin e tij me 12 vjet burg. Po kështu prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata dënimin me 11 vjet burg edhe për të pandehurin Edi Kane, i cili sipas akuzës, ka qenë pjesë e këtij bashkëpunimi të trafikut të armëve. Dy të pandehurit u arrestuan në operacionin e koduar “Ciklon 3”, vitin e kaluar mbas arrestimit të dy grupeve të tjera të trafikut të armëve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Arrestimi i dy të pandehurve, Myftari dhe Kane, sipas prokurorisë u krye në momentin e shkëmbimit të 8-pistoletave të tipit “Zastava” 6.53 mm dhe një shume prej 130.900-lekësh, të cilat dyshohen se shërbenin për blerjen e armëve.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›