Betohet sot qeveria 'Berluskoni'
Qeveria Berluskoni betohet sot pasdite, para se të marrë detyrën për drejtimin e Italisë për një mandat të ardhshëm. Me 5 ministra më pak se qeveria paraadhëse e kryeministrit Prodi, por edhe me 2 gra më pak në kabinet, qeveria Berluskoni duket se i ngjan një qeverie në dietë dhe më mosbesuese ndaj grave në pushtet. Qeveria e re italiane,ka 12 dikastere me portofol dhe 9 ministra pa portofol. Në ministrinë e Jashtme në Itali rikthehet Franko Fratini, shefi i diplomacisë italiane në vitet 2002-2004 dhe aktualisht komisioner për drejtësinë në Këshillin Evropian. Një tjetër rikonfirmim ka dhënë Berluskoni për liderin e Ligës së veriut Umberto Bosi, i cili rikthehet në kabinetin qeveritar me detyrën e ministrit për reformat. Këtë post Bossi e ka mbajtur edhe në qeverinë e mëparshme të Berluskonit, deri në vitin 2004. E njëjta gjë ndodh me Xhulio Tremontin, ministër i Ekonomisë, i cili rikthehet në krye të të njëjtit dikaster nga kryeministri Berluskoni. Analistët politikë në Itali komentojnë se qeveria e re 'Berluskoni' ka më pak teknikë dhe ekspertë të fushave që duhet të mbulojnë dhe më shumë miq besnikë të kryeministrit. Ndërsa lideri i partisë demokratike Valter Veltroni ka lajmëruar se brenda ditës së nesërme do të paraqesë qeverinë hije dhe do të bëjë opozitë mbi bazën e programit të prezantuar në elektorat.