E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet rihapja e gjykatava në Veri te Mitrovices

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, i ka kërkuar zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë dhe vendas të marrin masa për të siguruar funksionimin e organeve të drejtësisë në veri të Mitrovicës.Znj. Kelmendi e ka shtruar kërkesën e saj në një letër dërguar shefit të UNMIK-ut, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe presidentit e qeverisë.

Ajo ka paralajmëruar se nëse gjykatat nuk fillojnë së funksionuari së shpejti në veriun e dominuar nga serbët, ekziston rreziku që qytetarët të humbasin besimin në institucionet e Kosovës dhe të marrin ligjin në duart e tyre.

Kjo, sipas saj, do të përbënte një hap pas në sundimin e ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor, për të cilat bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore kanë investuar shumë.

Gjykata të mbyllura

Gjykatat në veri të Mitrovicës kanë pushuar së funksionuari pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur protestuesit serbë hynë me dhunë në objektet e gjykatës së qarkut dhe asaj komunale.

UNMIK-u ka rivendosur kontrollin në këto objekte pas një operacioni të ndërmarrë më 17 mars, në të cilin gjatë përleshjes ndërmjet forcave të rendit dhe protestuesve serbë, humbi jetën një polic ukrainas dhe u lënduan dhjetëra persona tjerë.

Megjithatë, për shkaqe sigurie, gjykatat në veri të Mitrovicës vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura prej gati tre muajsh.

Ndërkohë serbët vazhdojnë të protestojnë çdo ditë, duke kërkuar që gjykatat në veri t'i kthehen serbëve dhe të punojnë nën ombrellën e institucioneve të Serbisë.

Kërkesa e Ombudspersoni

Përveç znj. kelmendi, edhe ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit të Kosovës, Hilmi Jashari, ka kërkuar nga UNMIK-u të ndërmarrë masa emergjente për funksionimin e gjykatave në veri të Mitrovicës.

Në një letër dërguarit shefit të UNMIK-ut, Joachim Reucker, zoti Jashari thotë se mbyllja e gjykatave në veri të Mitrovicës ka shkaktuar shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Ai thotë se mosfunskionimi i organeve të gjyqësisë ka shkaktuar probleme të mëdha për qytetarët e Mitrovicës dhe rreth 50 fshatrave të këtij rajoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›