E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beton për një popull të urtë

Edmond Arizaj 

Atyre që u jepet shansi të drejtojnë apo të marrin vendime ekzekutive në Shqipëri, janë nga më të privilegjuarit drejtues në botë. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se shqiptarët nuk e kuptojnë ende, se kanë të drejta. Madje, shpeshherë tregohen indiferentë deri në moskokëçarje, sheh secili shtëpinë e tij, pa u merakosur për oborrin e përbashkët, llomotit sharje nëpër gojë, pa guxuar të ngrejë zërin, e pranon në fund të fundit me shprehjen apokaliptike “s’kemi ç’të bëjmë”. E në këtë lëmë butësie dhe urtësie, shijnë sa dhe si t’ua dojë kokrra e qejfit ata që marrin vendime ekzekutive. Për Shqipërinë i merr Berisha, për një të tretën e Shqipërisë, herë-herë dhe për dy të tretat i merr Rama.
Del Berisha dhe i bllokon Vlorës mjetet lundruese, se kështu s’do ketë më trafik qeniesh njerëzore. Me këtë logjikë duhet të fuste në burg të gjithë vlonjatët si potencial i rrezikshëm për t’u bërë skafistë, apo të bllokonte dhe izolonte të gjithë ata që nisen drejt Vlorës, si potencial i mundshëm emigrimi. Prapë Berisha. (Si nuk iu nda për kaq vjet ky emër këtij qyteti). Sepse edhe e besuan në 2005, teksa premtoi ndalimin e ndërtimit të Petrolifierës. Si të gjitha premtimet u bë erë, e tashmë Petrolifiera po ngrihet krenare, e jo shumë kohë më pas do të presë anijet me naftë e me gaz. U bënë ca protesta e ca peticione, por ranë në vesh të shurdhër. Të gjithë duan t’ia shijojnë bregdetin dhe bukurinë, por s’ka kush kohë për ta mbrojtur.
Mora Vlorën si shembull edhe për shkak të “dashurisë” së hershme, që ka kryeministri me këtë qytet. Por raste të tilla ka në çdo cep të vendit nga politikat regresive të ndjekura nga Berisha. Kulmi i këtij trevjeçari qeverisës (se ka dhe një vit për ndonjë bëmë tjetër), pas varfërisë, krizës, korrupsionit e skamjes, natyrisht është Gërdeci me dhjetëra të vrarët e të plagosurit e tij. Të mos flasësh pastaj për lumturinë që ndien se një ditë nuk ka pasur më shumë se dy të vetëvrarë nga depresioni, apo se në minierën “X” nuk ka pasur asnjë minator të vdekur. Të gjitha këto shoqëruar me hiç reagimin opozitar-qytetar.
E megjithatë, mes butësisë shqiptare, Berisha vazhdon të buzëqeshë nga maja e kalit dhe s’e ndalon askush të thotë, se Shqipëria po bën hapa gjigantë drejt zhvillimit. Madje, pas rritjes 200 për qind të çdo lloj çmimi, u rritën dhe rrogat me 15 për qind. Flasim për administratën, se për privatin s’jep llogari njeri, e as të mbron njeri. Berisha mund ta falënderojë Ramën se po ja bën më të lehtë qeverisjen me politikën e re demokratizuese.
Por, natyrisht edhe Rama duhet të rezervojë falënderimet e tij për Berishën, kryetar i KKRRT-së, i cili nuk po ia “nxin jetën” me prapakthehu të vendimeve, si pak kohë më parë. Larg qoftë të jenë marrë vesh mes tyre, por edhe nëse në Tiranë kishte mbetur ndonjë 100 metër katror sa për sy, tashmë gropa (të kujton gropën e varrit) do jetë hapur për themelet. Ankohen shumë në Tiranë, sidomos tiranasit e vjetër, se nuk marrin dot as frymë në këtë lloj ambienti të ngushtuar. Harrojnë se po të hapin pak perden, vetëm tre metra më larg, në pallatin ngjitur, ndërtuar rishtas, mund të dëgjojnë e të shikojnë ç’u do e bardha zemër. Dhe kjo në sajë të politikës “betonarme për çdo metër katror” të kryetarit të bashkisë. Pensionistët, aq të privilegjuar nga Berisha, mund të luajnë domino sa t’ua ketë qejfi në shkallët e pallateve me ndonjë gazetë të bërë kapele në kokë, si dikur muratorët e socializmit. Ata që vuajnë nga mushkëritë, apo që kanë merak se mos fëmijët e tyre bëhen me cen, fare mirë mund të blejnë shtëpi në Pezë. Apo të rinjtë, e ardhmja e ndritur e Shqipërisë sipas Ramës, mund t’i lënë lokalet e të argëtohen në dhjetëra këndet sportive të ngritur anembanë Tiranës. Gratë e vajzat, kjo forcë e madhe, së cilës do t’i japin (jo do e fitojë, një tjetër diskriminim ky) 30 për qind përfaqësim në çdo lloj vendimmarrje, duhet të mësojnë futboll, sepse në realitet i vetmi argëtim në Tiranë janë fushat e minifutbollit, të ndërtuara nga privatët. Për të mos folur më pas për ndotjen e ambientit, për ato decibelët që thonë ekspertët, për Tiranën që s’duket fare nga Dajti, për mishmashin e krijuar nga ndërtimet me leje e pa leje, si dhe ato pa leje të lejuara. Apo për mijërat e njerëzve që kanë blerë sa frëngu pulën katër muret, por që s’janë ende zotë të tyre. Ndërsa nga kali, Skënderbeu në qendër të qytetit shikon se si, bulevardi po kthehet njësoj si në periudhën e tij, tokë e pluhur në verë, gropë e ujë në dimër. Nga ana tjetër gojë të liga flasin për një metodë të re, të përdorur dikur në ca vende të kapura nga mafia në jugun e Italisë. Para se të jepen leje ndërtimi në iks vend, ndërtohet aty me urgjencë rruga, çohet elektriku dhe uji, natyrisht dhe autobusi urban dhe menjëherë vlera e shitjes së këtyre pallateve të reja dyfishohet me magji.
Ka e ç’nuk ka në këtë Tironën e Ramës. Ka tironsa të urtë, lebër e malësorë e të ardhur të tjerë “të neveritshëm”, që e kanë detyruar të parin e këtij qyteti të largohet e të mos jetojë më këtu, por të vijë sa për të hedhur firmat e domosdoshme. Megjithatë, tironsit, lebërit dhe malësorët nuk para e kanë bezdisur Ramën. Madje e kanë mbështetur më shumë se askënd tjetër. Thahen për një pikë ujë e nuk ankohen, digjen në mes të zhegut e nuk flasin, mbyten në një pikë shi e pastrojnë në heshtje, gëlltisin tonelata pluhur e pështyjnë pa u ndier. Kjo është butësia e këtij kryeqyteti, shumë i ndryshëm nga të gjithë kryeqytetet e botës, që nuk lezetohen kur kryetari i tyre merr çmime, por kur shërbimet për ta kryhen deri në një. Ndërsa butësia jonë shpërblehet me beton. Por edhe ata që janë të urtë kanë një limit. Mirë do ishte që falënderimet reciproke Rama-Berisha, të mos e arrinin këtë limit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›