E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes nën gomat e autoveturës 50-vjeçari

17/07/2009  Udhëtonte me motoçikletë, u shpërqendrua

Një tjetër viktimë si pasojë e aksidenteve rrugore është regjistruar dje në Durrës. Rruga e re e ndërtuar vetëm një vit më parë që përshkon tej e tej Kënetën dhe që nis nga unaza e përfundon tek mbikalimi Shkozetit është përgjakur. Një burrë i moshës rreth 50 vjeç ka mbetur nën gomat e autoveturës me targa DR 9329 B që drejtohej nga shtetasi Mariglen Fide. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16.30 në kryqëzimin e parë të kësaj rruge ku gjenden dhe funksionojnë edhe semaforët. 50-vjeçari ka qenë duke drejtuar motorin dhe sipas policisë ai ka hyrë në një rrugë dytësore në rrugën kryesore pa kontrolluar fare trafikun. Të njëjtat pohime kanë deklaruar se autovetura e ka vënë para motorin dhe e ka marrë zvarrë drejtuesin e motorit për më shumë se 50 m gjë që tregon se edhe autovetura ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, grupi hetimor dhe një autoambulancë. Por viktima ka ndërruar jetë pasi ai ishte dëmtuar plotësisht në kokë, në trup dhe në gjoks. Viktima ka hyrë në rrugën kryesore pa vënë re autoveturën që drejtohej nga i riu 21-vjeçar Mariglen Fide, i cili ka tentuar të shmanget po gjithçka ka qenë e pamundur, pasi motoçikleta 50 kubikësh është përplasur me mjetin. Kalimtarë dhe banorë që kanë shtëpitë anës rrugës Kënetë-Shkozet kanë dalë menjëherë për të ndihmuar viktimën, por pasi e kanë parë të mbuluar në pellgun e gjakut dhe pa jetë e kanë lënë në dorën e policisë. Aksidenti ka ndodhur fare pranë kishës pak metër larg semaforit të kryqëzimit të parë. Kjo rrugë është ndërtuar mbi një kanal të madh të ujërave të zeza dhe shërben edhe si rrugë dytësore për të shkarkuar fluksin e mjeteve në hyrje e në dalje të qytetit. I vdekuri nga ky aksident është dërguar në morgun e spitalit për identifikim, kurse drejtuesi i autoveturës është ndaluar nga policia për të dhënë shpjegimet e duhura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›