E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bibaj: “Banda e Lushnjes” më vrau vëllanë pse kishte shok Tur Dajën

Procesi në ngarkim të pjesës së dytë të “Bandës së Lushnjes” vijoi me dëshmitë e gjashtë personave, të cilët rrëfyen para gjykatës gjithçka dinin për episode të ndryshme kriminale që kishin të bënin me të pandehurit. Seanca vijonte paralelisht me atë që po zhvillohej për kreun e kësaj bande, por në një tjetër sallë gjyqi dhe nga një tjetër trup gjykues. Një ndër dëshmitë që akuzonte drejtpërdrejt të pandehurit e kësaj bande ishte ajo e dëshmitarit Fatos Bibaj, të cilit i është vrarë vëllai nga kjo bandë. Ai rrëfeu me detaje se si mësoi mbi vrasjen e vëllait të tij, personat që e vranë atë dhe arsyeja pse e vranë. “Vëllanë ma vrau “Banda e Lushnjes” vetëm sepse shoqërohej me Artur Dajën”, - ka dëshmuar ai para trupës gjyqësore. Dëshmitari rrëfeu se vrasjen e kishte mësuar nga policia, ndërkohë që kishte ndodhur më 18 gusht 1998. “Ka qenë ora 6 e mëngjesit e datës 18 gusht të vitit 1998 kur në shtëpinë e vëllait tim vajtën Enver Dondollaku, Ilir Stërgu, Leonard Prifti dhe Arben Boriçi. Ata i kërkuan vëllai që të shkonte me ta për një kafe, pasi donin të sqaroheshin për diçka. Vëllai pranoi dhe shkoi bashkë me ta. Në orën 10 të mëngjesit, më merr gruaja e vëllait në telefon dhe me thotë se vëllanë e kishin marrë ata personat dhe nuk e dinte se ku kishte shkuar dhe nuk kishte ardhur ende. Në orën 1 të drekës, më merr në telefon policia dhe më thotë se më kishin vrarë vëllanë. Unë shkova në polici dhe aty mora vesh që trupi i vëllait ishte në morg dhe policia e kishte gjetur trupin e tij të vdekur tek gropa e derrit. Shkova në morg, gjeta një makinë dhe mora trupin e vëllait. E lava trupin e tij dhe vura re që kishte një plumb në kokë dhe një plumb në kofshë e në krahë. Vëllai im nuk ka pasur konflikte me Dondollakun dhe të tjerët. Por, mendoj se arsyeja e vrasjes së tij ishte sepse vëllai im ishte shok me Artur Dajën. Këtë fakt e kam dëgjuar edhe nga persona të tjerë. Vëllai ka pasur muhabet me Tur Dajën. Ndërkohë që Dondollaku dhe të tjerët kanë tentuar që ta takojnë vëllanë tim edhe herë të tjera, por nuk kanë takuar dot. Më pas, vëllai im shkoi në Greqi dhe ndenji 4 muaj. Dy ditë para se të vritej, vëllai im doli nga burgu se kishte qëlluar me armë zjarri macen dhe në shtëpi e shoqëroi makina e policisë. Nuk e di përse donin ata ta takonin vëllain tim, nuk e di as se fare raportesh kishte Tur Daja me këta persona. Në fakt e kam parë edhe vetë vëllanë që shoqërohej me Tur Dajën, pasi ai ka qenë në të njëjtën lagje me Tur Dajën”, - ka mbaruar rrëfimin dëshmitari Bibaj.

Dëshmia e Bajram Taullaun

Një nga dëshmitarët e thirrur në gjykatë ditën e djeshme ishte edhe Bajram Taullau, vëllai i biznesmenit Baki Taullau, i vrarë nga “Banda e Lushnjes” në qendër të qytetit. Pas betimit se do thoshte vetëm të vërtetën, dëshmitari nisi të rrëfejë me detaje rreth përplasjes që familja e tyre kishte me bandën dhe shkaqet që çuan në vrasjen e Baki Taullaut. “Vëllezërit e mi janë Baki, Albert, Fatmir dhe Saimir. Nga vitet ‘97-‘98, vëllait tim Albert i vendosën tritol në banesën e tij në pallat. Nuk e di pse i vunë tritol në banesë. Vëllai erdhi tek ne dhe më pas e shiti hyrjen që kishte. Pasi kishin kaluar 5- 6 muaj nga kjo ngjarje, vëllanë tim Albert e gjuajtën tek karburanti i Bakiut. Alberti humbi ndjenjat dhe ne e çuam në spital në Tiranë, pasi plumbi i kishte depërtuar në stomak. Më pas, Bakiu lidhet në telefon me Enver Dondollaku, i cili e merrte disa herë në ditë madje edhe gjatë natës. Ai e merrte Bakiun dhe i kërkonte 500 mijë euro. Dondollaku ka ndenjur tek lokali im në vitet ‘97, pasi ata kishin lagunën e Karavastasë. Enver Dondollaku, Ilir Stërgu kalonin shpesh para lokalit tim dhe unë blija peshk tek laguna e tyre. Një ditë, Ilir Stërgu i tha byrazerit tim, Saimirit: Hajde të pimë një kafe bashkë. Ai pranoi, hipi me ta në makinë dhe e çuan tek Varrezat e Dëshmorëve. Aty i priste Leonard Prifti, i cili i jep urdhër Ilir Stërgut që të shkonte dhe të merrte edhe vëllanë tjetër Bakiun. Ilir Stërgu tha që nuk kishte fuqi të ecte më, dhe Saimiri i tha: E marr unë Bakiun dhe e sjell këtu. Saimiri largohet dhe njofton Bakiun dhe nuk kthehet më aty. Bakiu me Saimiri ikën dhe u strehuan në shtëpitë e tyre dhe më njoftuan edhe mua. Këtë ngjarje ma ka treguar Saimiri. Në atë periudhë na kanë ndihmuar shumë dy policët, Zigur Bixha dhe Hasan Rama. Dua të them se ndihma e tyre ishte që të kapnin Leonard Priftin, i cili pas shumë kohësh vrau vëllanë tim Bakiun”. Ndërsa lidhur me vrasjen e Priftit vetëm disa minuta, pasi vrau vëllanë e tij Bakiun, dëshmitari mohoi të kishte dijeni, duke u shprehur se “Leonard Prifti është vrarë menjëherë pasi ai vrau vëllanë Bakiun. Nuk e di se kush e vrau Leonard Priftin”. Rrëfimi i tij vijoi më tej me të tjera episode për përplasjet me “Bandën e Lushnjes” të vëllezërve të tij. “Një herë tjetër, Arjan Aliço erdhi dhe mori Bakin tek karburanti. Ai i tha Bakiut se me urdhër të profesorit (Alfred Shkurti) duhet të shkonte me ta, pasi kishin nevojë për një sqarim. E mori me vete dhe shkoi tek një lokal dhe aty ishte Enver Dondollaku dhe Erjon Cici. Ata filluan t’i kërkonin llogari vëllait, duke e pyetur se pse kishte shkuar në Tiranë. Në fakt, Bakiu kishte qenë në Tiranë. Ai iu përgjigj duke i thënë se ishte në Tiranë për punët e tij dhe kishte takuar një avokat. Këtë bisedë ma ka treguar Bakiu. Arsyeja e të gjitha këtyre kërcënimeve dhe provokimeve ishte pasi Saimiri nuk kishte pranuar të bashkohej me bandën. Alfred Shkurti kishte biseduar me Saimirin në fillim dhe i kishte thënë: Hajde dhe bashkohu me ne, bëhu krahu ynë. Ndërkohë që vëllai i kishte thënë: Nuk dua të ngatërrohem me ju, nuk kam punë që të vij me ju, pavarësisht se kemi pesë pare muhabet bashkë. Atë herë kur vëllanë Bakiun e mori Arjan Aliço dhe e çoi të takohej me Enver Dondollakun, Bakiu i kishte thënë se, nëse iu ka cenuar Saimiri hajde dhe vrisni djalin tim dhe mua”. Dëshmitari Bajram Taullau deklaroi para togave të zeza se banda ka dashur t’i vrasë të dy vëllezërit, si Saimirin dhe Bakiun. “Atë herë që Saimirin e morën dhe e çuan tek Varrezat e Dëshmorëve, kishin dashur të vrisnin Saimirin por edhe Bakiun, të cilin e kërkuan me insistim. Madje, atyre Bakiu u ka dhënë edhe lekë pasi Dondollaku i ka kërkuar 500 mijë euro. Nuk e di arsyen sepse i kërkonin këto lekë. Tek karburanti i Bakiut ka ardhur Edmond Demiri si ndërmjetës dhe i ka kërkuar Bakiut lekë, duke i thënë: Më jep 10 milionë lekë, pasi vetëm kështu mund të mbyllet ky muhabet dhe ju të rrini të qetë”, - e ka mbyllur dëshminë e tij Bajram Taullau.

Dëshmia e Albert Taullaut

Një tjetër dëshmi në interes të zbardhjes së vrasjes së Baki Taullaut ka qenë edhe dëshmia e vëllait tjetër të tij, Albert Taullaut. Ai ka dhënë disa detaje rreth përplasjeve të vëllezërve të tij me bandën, por edhe të vetë dëshmitarit, për shkak edhe të faktit se rrinte më afër vëllait të tij tashmë të vrarë. “Banoj në Lushnje dhe që nga viti 1997 punoja me vëllanë tim Bakiun tek karburanti. Nga vëllezërit e tjerë unë isha më i lidhur me Bakiun dhe i dija të gjitha muhabetet. Ishte pranverë e vitit 1997 kur Arjan Aliço erdhi tek karburanti i vëllait tim Bakiut dhe i tha: “Hajde se të kërkon profesori (Alfred Shkurti)”. Në fillim vëllai u habit dhe nuk donte të pranonte, por më pas shkoi me të. Ata u ulën tek lokali i Lokut dhe unë e ndoqa nga mbrapa vëllanë. Tek lokali ishin ulur Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe Enver Dondollaku. Gjatë bisedës ata e pyesnin vëllanë për Saimirin dhe i thanë që profesori ka urdhëruar që Saimiri të largohet nga Lushnja. Arsyeja ishte sepse Saimiri nuk kishte pranuar të bëhej pjesë e bandës. Këtu filloi konflikti. Në vitin 1998 më vunë tritol në banesën time tek ballkoni. U detyrova të shisja shtëpinë dhe të shkoja tek vëllezërit. Gjatë kësaj kohe vinte shpesh Ilir Stërgu tek karburanti i Bakiut dhe takonte Bakiun. Stërgu nuk e linte rehat Bakiun për punën e Saimirit. Këto m’i thoshte Bakiu. U detyruam të nisnim Saimirin për në Greqi dhe ramë në qetësi”. Më tej, dëshmitari rrëfeu rinisjen e terrorit për vëllezërit e tij nga anëtarët e bandës, si dhe plagosjen te karburanti i vëllait. “Në vitin 1999 isha tek pika e karburantit së bashku me Bakiun, shoferin, shitësin dhe rojën. Ishte ora 10: 45 kur unë u qëllova nga një armë zjarri. Plumbi më depërtoi në stomak dhe u dëgjua vetëm një e shtënë që vinte nga Varrezat e Dëshmorëve. Bakiu kishte shumë muhabet me Eduard Demirin, i cili ishte shumë shok me Aldo Baren. Ai i thoshte Bakiut që për çdo problem të fliste me të, pasi nuk do i prekte njeri me dorë. Pas vitit 2000, filluan tentativat e lekëve. Vinte kunati i Enver Dondollakut dhe kërkonte lekë. Një herë i ka dhënë Saimiri lekë kunatit të Dondollakut. Herën e parë kemi paguar 4 milionë lekë. Një herë tjetër i kam dhënë unë Eduard Demirit, 10 milionë lekë. Atë ditë, ai erdhi dhe takoi Bakiun, i cili iku në Tiranë. Bakiu më telefonoi dhe më tha që t’i jepja Demirit shumën e lekëve, të cilat gjoja do mbyllnin një herë e mirë problemin me Saimirin. Pas 2 javësh erdhi Demiri, i cili na tha se 5 milion lekë ia dha Ilir Stërgut, ndërsa me pjesën tjetër kishte blerë një makinë “Benz”. Më vonë Bakiu bleu një tokë dhe ia kishte kërkuar këtë tokë Dondollaku. Pastaj, Bakiut i kërkuan 500 mijë euro, por ne si paguam më këto lekë. Kështu që ata vunë tritol tek karburanti”, - mbylli rrëfimin vëllai i njërit prej viktimave më të fundit të Bandës së Lushnjes, Baki Taullaut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›