E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: “Berisha hartoi listë klienteliste dhe kolanesh, do të mbajë postin e kryetarit”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Rebelohen të përjashtuarit

Deputeti i PD-së dhe ish- zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës si dhe një nga themeluesit e kësaj partie në dhjetor të 90`, Aleksandër Biberaj, është rrëfyer në një intervistë për Ballkan se lista e kandidatëve, e hartuar nga Berisha, ka qenë klienteliste dhe klanore, pasi sipas tij, lidershipi i PD-së është kujdesur më shumë për të mbajtur kontrollin e grupit të partisë pas zgjedhjeve sido që të jetë rezultati. Parlamentit shqiptar do t i mungojnë shumë emra të spikatur të politikës nga e djathta, të përajshtuar nga listat e kandidatëve nga lideri i partisë më të madhe të mazhorancës, Sali Berisha. Në listën e mazhorancës aktuale bie në sy mungesa si nga grupi parlamentar, por dhe nga kryesia e Partisë Demokratike. Një nga më të spikaturit e PD, që rrezikon një vend në Parlamentin e ri pavarësisht kalimit të tij drejt Partisë së Ngjelës është Preç Zogaj. Përplasjet mes Zogajt dhe Berishës erdhën menjëherë pasi ky i fundit nuk përfilli kërkesën e deputetit historik të Lezhës për ta rikandiduar në të njëjtin qytet, por në Shkodër. Ende nuk dihen arsyet përse Pal Dajçi dhe Gëzim Karapici mbeten jashtë listave, kur njihen tashmë edhe si miq të afërt me Kryeministrin. Oponenca me disa drejtues të PD, dhe Jozefina Topallin duket se i ka kushtuar një vend në parlamnent edhe Aleksandër Biberajt, i cili ka ngelur jashtë listës së PD-së. Jashtë listës demokrate janë edhe deputetët e cilësuar ndryshe si „minorancë bllokuese“ të afërt me presidentin Topi, si Rexhep Uka dhe Sali Shehu. Jashtë kanë mbetur dhe Blerim Çela, Omer Stringa e Ylli Pango, ky i fundit i përfshirë në skandalin seksual të publikuar para pak kohësh në mediat shqiptare. Ndërsa deputeti i Durrësit dhe biznesmeni Sami Gjergji, edhe pse është përfshirë në listën e këtij qarku, nuk ka pranuar të jetë pjesë e kandidatëve për deputetë duke parë se emri i tij ishte në vendet e fundit të listë, duke deklaruar kështu tërheqjen nga politika, por jo nga aktiviteti civil dhe publik që përfshihet si biznesmen. Një nga të prejashtuarit nga listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, deputeti aktual Aleksandër Biberaj, nëpërmjet një interviste për gazetën “Ballkan” ka rrëfyer të gjithë praktikën e ndjekur ditën e hënë dhe të marrë nga Kryeministri dhe kryetari Sali Berisha për hartimin e listave të kandidatëve të PD-së.

Cili është komenti juaj, zoti Biberaj, pas mospërfshirjes suaj në listën e PD-së?

Mendoj që ka pasur mundësi për t u përgatitur një listë më e mirë. Procesit i ka munguar totalisht transparenca. Nuk është marrë mendimi i bazës, nuk janë respektuar forumet e Partisë Demokratike, statuti në këtë rast. Mendoj që lista ka një klimë të theksuar klienteliste dhe klanore, pasi, me sa duket, lidershipi i PD-së është kujdesur më shumë për të mbajtur kontrollin e grupit të partisë pas zgjedhjeve, sido që të jetë rezultati, sesa për të pasur një listë përfaqësuese dhe dinjitoze, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet e 28 Qershorit.

Sa mendoni se do të ndikojë përjashtimi nga lista i një pjese të mirë të eksponentëve të PD-së dhe ish-deputetëve në rezultatin e zgjedhjeve?

Uroj që të mos ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Gjithsesi, dyshoj se do të ketë ndikimin e vet, pasi në disa raste mungon përfaqësimi, ka elementë të pluralizmit, pra kemi elementë që nuk kanë lidhje me PD-në. Për të mos thënë që kanë qenë të ekspozuar me të majtën, por le t ua lëmë shqiptarëve të japin verdiktin më 28 qershor.

A do të largoheni nga Partia Demokratike, zoti Biberaj, apo do të lufoni brenda saj?

Unë nuk bëhet fjalë të largohem nga PD-ja, pasi jam themelues i PD-së. Nuk jam futur në këtë parti as për mandate, as për interesa ekonomike dhe as për karrierë që ka lidhje mandatesh. Unë jam futur në parti për bindjet dhe idealet e mia demokratike. Jam futur në PD, më 3 dhjetor me vullnetin tim të lirë për parimet demokratike dhe, natyrisht, unë do të vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike. Sfida e radhës në këtë parti natyrisht do të jetë demokratizimi i PD-së, emancipimi dhe civilizimi i saj, në mënyrë që kjo parti të jetë moderne siç ne kemi menduar dhe ëndërruar në dhjetor të vitit 1990`.

A ju është dhënë ndonjë arsye nga lideri i PD-së, Sali Beisha, për përjashtimin nga lista e kandidatëve për deputetë?

Nuk dëshiroj asnjëherë që t i trajtoj çështjet personalisht. Në politikë nuk ka gjëra personale. Unë do të thosha që më vjen shumë keq që më shumë se gjysma e grupit parlamentar është jashtë liste ose është në vende që nuk kanë shanse për t u zgjedhur dhe për të qenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Mendoj se duhet të jemi korrekt dhe, në qoftë se diskutohet për suksese të ketij Parlamenti dhe kësaj qeverie, mendoj që suksesi i shkon Grupit Parlamentar dhe kjo është pozitive. Nga ana tjetër, përjashtohet pothuajse gjysma e Grupit Parlamentar, ku mendoj që ka një përkufizim të panevojshëm. Nëse reformat në Shqipëri kanë ecur gjatë këtyre katër viteve dhe jam i bindur se ato kanë qenë të suksesshme, ka qenë meritë e këtij grupi parlamentar. Një grup parlamentar, më i disiplinuari që ka njohur ndonjëherë historia e pluralizmit shqiptar. Përjashtimi i tyre nuk është i drejtë, nuk është korrekt dhe joetik. Shumë nga kolegët tanë e kanë marrë vesh nëpërmjet medias nëse janë apo s janë në listë ose dhe pozicionin e tyre aktual. Unë mendoj që duhet të kemi një frymë bashkëpunimi përderisa janë disa bindje, janë disa ideale që na bashkojnë, natyrisht që është edhe një statut që është dhe kushtetuta e PD-së, të cilin ne duhet ta respektojmë për aq kohë sa e kemi votuar.

Ky lajm është publikuar: 21/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›