E Diel, 1 Nëntor 2026

Një Kuvend për të fshehur projektin Berisha

Nga Mero Baze

Partia Demokratike mblidhet sot formalisht për të startuar zyrtarisht fushatën elektorale në Kuvendin e saj elektoral, i cili shmangu zgjedhjet e reja në PD duke fshehur në të vërtetë parimet, mbi të cilat do të ndërtohej fushatë e re elektorale. Nëse Partia Demokratike do të kishte zbatuar statutin e saj dhe do të kishte mbajtur zgjedhjet e rregullta dhe Kuvendin e rregullt, i cili duhet të bëhej në muajin prill, atëherë nga ekipi i ri drejtues që do të dilte nga ky Kuvend, do të kuptohej dhe strategjia e re elektorale e PD. Në vitin 2005 ishte Kuvendi i PD ai që i dha vulën fushatës së saj. Në atë Kuvend u rishfaqën në skenë ish-themeluesit e PD, kritikët e Berishës, kundërshtarët e ashpër të tij, njerëzit që i kishin qëndruar afër në stinët e tij të këqija politike dhe një grup të rinjsh që PD i thirri për të përmirësuar imazhin e saj elektoral. Pikërisht ky kompozim krijonte një frymë të re ndryshimi, pasi qytetarët shikonin një Berishë që ishte përulur para disidentëve të tij dhe kishte thirrur në ndihmë një brez të ri. Gjithçka dukej realisht e reformuar dhe ai Kuvend formoi frymën e fushatës elektorale të vitit 2005.

Kuvendi i sotëm elektoral është në të vërtetë një antingjarje e Kuvendit të vitit 2005. Ky Kuvend vlen për të fshehur bilancin e hidhur që prodhoi për jetën e Partisë Demokratike tallja me parimet dhe frymën e fushatës së vitit 2005 dhe Kuvendit të PD në vitin 2005. Pasi mori pushtetin përmes trukut të atij Kuvendi, Berisha, në vend që ta hapte partinë, e mbylli dhe e kyçi atë dhe fizikisht. Për katër vite rresht në oborrin e saj është sjellë vërdallë me një tufë çelësash një njeri qesharak, detyra e vetme e të cilit ishte të mos lejonte askënd të hynte në atë seli dhe ta përdorte atë për politikë. Nga një shoqëri “aksionere” që mori formë në vitin 2005, PD u kthye sërish me shpejtësi në “person fizik”, me një roje që ruante zyrat, si ata administratorët falsë të kompanive qipriote.

Për katër vite me radhë PD shkeli pa mëshirë statutin për mbledhjen e Këshillit Kombëtar apo kryesisë dhe theu rekorde duke bërë zëvendësime në qeveri, edhe pa u konsultuar fare me kryesinë e PD, qoftë dhe me vendim qarkullues.

Për ta fshehur këtë bilanc dhe për ta shmangur këtë diskutim para zgjedhjeve, Berisha shmangu zgjedhjet e reja në PD dhe në ekipin e saj drejtues. Nëse zgjedhjet do të ishin bërë, nuk është problem se mund të mos konfirmohej ekipi aktual, por Berisha nuk ka dashur të shfaqë para zgjedhjeve taktikën e tij për partinë. Nëse i hedh një sy listës së grupit të ardhshëm parlamentar, shihet qartë se ekipi aktual është ruajtur dhe përveç tij janë promovuar vetëm ata njerëz që i kanë dal zot publikisht skandaleve të familjes së tij. Grupi parlamentar do të jetë nesër, si në opozitë, dhe në pushtet, baza e ndryshimit të partisë dhe ky ndryshim tani është garantuar që nuk do të ndodhë.

Berisha u pa qartë se fshiu nga lista e partisë së tij çdo zë kritik, çdo deputet me personalitet dhe gjithkënd që kishte një kapital të vetin politik. Të vetmin “disident” kokulur që ka mbajtur, është Genc Pollo, me të cilin do të mbyllë hesapet pas zgjedhjeve, duke e kthyer në vartës të Flamur Nokës.

Për këtë arsye Kuvendi i sotëm elektoral i PD nuk ka asgjë thelbësore dhe asgjë të re. Ai është një Kuvend, i cili nuk ka detyrë të ndriçojë ndonjë politikë ndryshimi, por të fshehë status-quo-në e mosndryshimit. Ekipi drejtues i PD në të vërtetë është konsoliduar tashmë në grup parlamentar dhe filozofia që i ka çimentuar ata në postet drejtuese, do të jetë dhe filozofia e fushatës së PD.

Nëse i hedh një sy fushatës së javëve të fundit të Berishës, e sheh qartë se ajo është në ngërç dhe po folklorizohet më me shpejtësi, aq sa më shpesh më ngjan si fushata elektorale e Ali Ahmetit në Maqedoni, një lider populist marksist, që në çdo fushatë bën premtime për Skënderbeun. Edhe Berisha ka së paku dy javë që ka shpikur një armik për Skënderbeun dhe ka nxjerrë jataganin si Don Kishoti dhe po lufton për ta mbrojtur atë. Më tej akoma, fushata e ekipit të tij drejtues është krejt pa identitet dhe e palidhur me njëra-tjetrën. Topalli ka zbuluar “talentin” e fëmijërisë së saj për të recituar në kopsht dhe mendon se është më e mirë se Rajmonda Bulku në këtë pikë; Pollo, i cili vuan nga sindroma e partisë kioskë, shfaqet në takime me nga dhjetë fshatarë të mërzitur që mezi i japin dorën; Ruli me ca bejtexhi nga jugu, dhe të gjithë së bashku flasin ose për Skënderbeun, ose për Alban Eftimin.

Është pikërisht kjo krizë e ndryshimit të partisë së tyre, që prodhon krizën e identitetit të fushatë së tyre. Dhe një parti që nuk ndryshon dot vetë ose ndryshon për keq, siç është rasti i PD, në rastin më të mirë e ka të pamundur të ndryshojë Shqipërinë, por, dhe nëse e ndryshon, e ndryshon për keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›