“Poli i Lirisë”: Platforma jonë për çështjen e pronave
Poli i Lirisë është i bindur se respektimi i së drejtës së pronësisë konform detyrimeve kushtetuese është një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, por edhe çështje që përcakton drejtpërsëdrejti vendosjen e qetësisë sociale, zhvillimin e vendit në planin ekonomik, social dhe shoqëror.
Shteti ende nuk ka përmbushur detyrimin e tij karshi shtetasve të tij, referuar nenit 41 dhe 181 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe akteve ndërkombëtare, në të cilat shteti shqiptar ka aderuar dhe ka marrë përsipër zbatimin dhe aplikimin e tyre, sipas standardeve të vendosura ndërkombëtare. Pas vitit 1991 shteti ka zbatuar platformën e Katovicës dhe kjo u materializua me ligjin 7501 dhe ligje të tjera, që në emër të demokracisë dhe të popullit, faktikisht përfaqësojnë një platformë të qartë antikombëtare. Për shkak të mentalitetit komunist të trashëguar nga e kaluara, prona private e shtetëzuar gjatë sundimit të sistemit komunist edhe pas vitit 1991 u konsiderua si pronë e mirëfilltë e shtetit dhe për këtë arsye prej vitit 1991 e këtej shteti ka zbatuar standarde dyfishe dhe shumëfishe me pronën, duke anashkaluar shtetin e së drejtës.
Ligjet e hartuara deri tani për çështjen e pronësisë nuk kanë qenë dhe nuk janë të standardeve evropiane, por janë në kundërshtim të hapur me to, për faktin se nuk respektojnë të drejtën e pronësisë, origjinën e pronës, mënyrën e fitimit dhe të tjetërsimit të saj, duke shkelur haptazi detyrimet kushtetuese, sidomos nenet 41 e 181 të saj, si dhe vetë dispozitat ligjore të përcaktuara në ligjin organik për trajtimin e së drejtës së pronësisë, duke kryer interpretime ligjore të gabuara, të cilat detyrimisht çojnë në thellimin dhe agravimin e situatës juridike në lidhje më çështjen e pronësisë, dhe jo në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të saj. Boshti kryesor i LZHK dhe i “Polit të Lirisë” do të jetë rivendosja e të drejtës së pronës dhe ky është tipari dallues i “Polit” me grupimet e tjera.
Ligjet me vitrina populiste, të shoqëruara me falje pronash, si ligji 7501 dhe ai i legalizimeve, kanë ushqyer korrupsionin galopant me pronat, duke kthyer ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste, në mënyrë që Shqipërinë të vazhdojnë ta sundojnë komunistët dhe të shiturit te politikat e huaja, por të konvertuar në demokratë apo socialistë. Ky është shkaku i vërtetë, pse prona na paraqitet si “e vështirë” për t’u zgjidhur; në rastin më ekstrem nga njerëz intrigantë ose të papërgjegjshëm, të cilët miratuan dhe zbatuan ligjin 7501, pa marrë në konsideratë faktin që shteti i ri demokratik kishte detyrimin ligjor, moral, politik dhe aq më shumë historik, për t’i kthyer të shpronësuarve pronën e grabitur në mënyrë të padrejtë.... Kthimi i pronës pronarëve origjinalë paraqitet si alternativa më e mirë për shoqatën dhe për “Polin e Lirisë“.
Ligjit 7501 dhe ligjit të vitit 2004 përveç titullit nuk i ka ngelur asnjë nen i pandryshuar. Janë miratuar me vendime qeverie e akte normative rregulla që detyrojnë pronarin të bëjë pafundësisht dokumente, me vlerë disa miliona lekë, me qëllimin e vetëm që të krijonin pengesa për të mos kthyer pronën.
Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës, që është në fuqi dhe mënyra e veprimtarisë e AKKP, në qendër e në qarqe, jo vetëm që nuk kthejnë pronën, por sot mund të quhen me plot gojën si ligji dhe institucioni i moskthimit të pronave. Jo më kot AKKP nga qytetarët shqiptarë është quajtur si institucionin më i korruptuar dhe më pak transparent i vendit.
Për këtë arsye deputetët e shoqatës kombëtare të të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” dhe të LZHK do të kërkojnë që:
- Parlamenti shqiptar, me përparësi, duhet të hartojë një ligj të ri për kthimin dhe kompensimin e pronës, ligj i cili duhet t’i përgjigjet shtetit të së drejtës. Ky ligj duhet të plotësojë detyrimet e Kushtetutës, sonë si dhe të jetë sipas standardit të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Kartës Evropiane të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut.
- Shteti shqiptar duhet të përcaktojë dhe inventarizojë pronat e veta të para vitit 1945, sepse deri tani i ka dhënë të drejtë vetes që të trajtojë si të vetat edhe pronat e pronarëve.
- Në këtë ligj përparësi duhet të ketë kthimi fizik, pa kufizim i pronës. Këtij ligji do t’i nënshtrohen të gjitha pasuritë e individëve, pushtetit lokal, ministrive të ndryshme, pushtetit qendror etj.
- Në bazë të gjithë ligjshmërisë të jetë parimi që kush ka përfituar një pronë dhe dëshiron ta ketë atë, me pëlqimin e pronarit, ta paguajë atë me vlerën e tregut në momentin që paguan. Nën këtë frymë do të kërkohet ndryshimi i gjithë ligjshmërisë që trajton pronat e paluajtshme duke përfshirë edhe ligjin e legalizimeve. Pagesa do t’i kalojë drejtpërsëdrejti pronarit dhe shteti të luajë rolin e garantuesit të këtij procesi.
- Të rishikohet ligji i legalizimeve
- Kompensim nga shteti të ketë vetëm për pronat që janë e përdoren për interes publik ose janë të zëna me ndërtime shtetërore para vitit 1991. Përparësi do të kenë qytetarët, tokat e të cilëve janë zënë nga basenet e hidrocentraleve.
- Zbatimi në praktikë i ligjit t’i besohet një institucioni, i cili të varet drejtpërdrejt nga parlamenti dhe të monitorohet e kontrollohet nga një komision parlamentar.
- Shteti të marrë përsipër, sipas parimit “Shteti ia mori - shteti ia kthen”, trajtimin maksimalist të dokumentacionit të thjeshtuar të paraqitur nga pronarët. Institucionet shtetërore që kanë dokumentacionin e pronësisë, të hartave, aktet e shpronësimit etj., të detyrohen me ligj dhe të vënë në dispozicion të AKKP apo pronarëve, pa shpërblim, gjithë dokumentacionin e nevojshëm duke marrë përgjegjësitë për këtë qëllim brenda afateve rigorozisht të përcaktuara.
Nuk mund të pranohet situata e derisotme, kur gjithçka merret përsipër nga pronari dhe AKKP luan vetëm rolin e postierit.
- Shteti të marrë përsipër dixhitalizimin dhe unifikimin e gjithë sistemit hartografik, nga ai i para vitit 1945 deri tek ai i sotmi, duke përfshirë atë të ZRPP dhe të hortofotos. Një veprim i tillë do të eliminojë mbivendosjet e pashmangshme dhe abuzivizmin që ka sjellë përdorimi arkaik i sistemit të vjetër hartografik, por dhe do të lehtësojë në maksimum punën e AKKP dhe pronarëve
- Ankesat ndaj vendimeve të padrejta të dhëna deri tani të jenë objekt i Gjykatës Administrative, e cila të detyrohet me procedura të përshpejtuara të gjykojë ankimimet e subjekteve të shpronësuara ose të Avokaturës së Shtetit, e cila aktivizohet vetëm për pronat e mirëfillta shtetërore.
- Legjislacioni i pronave do të ketë parimin që sendi i përftuar padrejtësisht i kthehet pronarit të ligjshëm.
- Të gjitha ndërtimet pa leje, të ndërtuara nga pushtetarët e zgjedhur, të të gjitha niveleve, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore, drejtuesit e OJQ dhe të medieve apo familjarëve të tyre, të konfiskohen në favor të shtetit. Të prekurit nga ky paragraf të përjashtohen nga e drejta e punësimit në shtet ose nga e drejta për t’u zgjedhur për një periudhë 8-vjeçare.
- Shteti të marrë përsipër dhe të rishikojë të gjitha privatizimet e realizuara deri tani, si dhe të gjejë rrugët e anulimit të atyre privatizimeve që nuk respektojnë të drejtën e pronësisë, si dhe kur përfituesit e këtyre privatizimeve nuk kanë paguar fare ose kanë paguar me çmime qesharake. Kjo do të jetë një luftë e pamëshirshme kundër korrupsionit të të gjitha ngjyrave.
- E drejta e parablerjes të futet edhe në shoqëritë në likuidim, si dhe në ndërmarrjet strategjike.
- Në të gjitha shoqëritë, përfshirë dhe ato strategjike, dhe në ndërmarrjet e përbashkëta të rivlerësohet trualli dhe si rezultat kapitali i tyre. Është e pafalshme dhe vjedhje e hapur e shtetit dhe e pronarëve fakti që në të gjitha sh. a. ekzistuese, trualli vazhdon të vlerësohet me çmimet e viteve ’90.
- Shteti të përshpejtojë zbatimin e programeve sociale për strehimin e të pastrehëve që banojnë në shtëpitë e pronarëve dhe deri në zgjidhjen e këtij problemi shteti t’u rimbursojë pronarëve diferencën e qirasë që paguhet nga qiramarrësit me qiranë e tregut.
- Të hartohet me përparësi ligji për kthimin e pronave të luajtshme, si një detyrim kushtetues dhe premtim i pambajtur.
- Brenda një afati të caktuar të gjitha vendimet e marra nga KKKP në vite, si dhe dokumentacioni kryesor i fitimit të pronësisë të jenë të hapura, publike dhe të njohura nga të gjithë.
- Kompensimi fizik dhe financiar të përfundojë, ashtu siç është parashikuar në ligjin aktual, brenda vitit 2014. Kompensimi fizik të bëhet vetëm me prona të mirëfillta shtetërore, kurse në kompensimin financiar vlera e pronës të llogaritet mbi vlerën e tregut duke zbatuar Metodikën e Vlerës së Pronës të miratuar nga Kuvendi në vitit 2005.
- Në zonën me përparësi zhvillimin e turizmit, shteti iu kthen pronën pronarëve sipas kufijve të para-kolektivizimit komunist dhe ligji shpall të pavlefshme që gjitha aktet që kanë realizuar transferimin e pronave në emër të personave të tretë që nuk kanë pasur të drejtë trashëgimie mbi këto prona duke krijuar posedues të rinj ose pronarë të rinj në pronat e pronarëve origjinalë. Shteti zhdëmton poseduesit e rinj në masën që ata mund të kenë paguar në kohën e marrjes së asaj prone, duke llogaritur normën e interesit, investimet që ata mund të kenë kryer, duke zbritur amortizimin, fitimin e munguar, dëmin material dhe dëmin moral të pronarit.
- Të gjithë kandidatët për deputetë ose anëtarët e ardhshëm të parlamentit duhet t’i nënshtrohen pa diskutim ligjit të lustracionit që po gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Të prekurit nga ky ligj duhet të japin menjëherë publikisht dorëheqjen dhe nuk do të kenë të drejtën për t’u angazhuar me shoqatën dhe politikisht për 10 vjet.