E Diel, 1 Nëntor 2026

Cila është e mesmja e artë?

Nga Paschos Mandravelis

Qytetarëve britanikë duhet t’u vijë turp nga vetja që flasin pa pushim për deputetët që blejnë me lekët e taksapaguesve ushqim për qentë e tyre e kësi gjërash. A nuk e dinë ata se kriza financiare është serioze dhe ata duhet të përqendrohen te ajo dhe të shikojnë se ku shkojnë paratë e tyre. A nuk e shikojnë ata se zgjedhjet europiane janë më të rëndësishme se skandalet? A nuk ka njeri të mbrojë reputacionin e politikanëve para se të lustrohet? Së fundi, duke parë se shpenzimet legjitime, por sërish acaruese, të bëra nga parlamentarët britanikë janë në shifrat 4-5 mijë euro, ajo që po shikojmë është përplasje qytetërimesh. A nuk kanë mësuar britanikët nga lloji grek i dorëlëshuarjes, ku vetëm keqpërdorimi i rreth 1 milionë euro ose më shumë konsiderohen skandal?

Të gjithë e dimë që britanikët pëlqejnë të fokusohen në vogëlsira. Ata shqetësohen, për shembull, për dëmin që mund t’i shkaktojë skandali demokracisë? Një deputet, Douglas Carswell, dyshoi se sa të aftë janë ministrat për të administruar paratë publike kur ata nuk janë në gjendje të menaxhojnë paratë e tyre. Madje edhe kryeministri dhe kryetari i parlamentit bënë diçka që nuk imagjinohej (për standardet greke) duke kërkuar falje, ndërsa Shahid Mali, zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, bëri diçka edhe më të turpshme: dha dorëheqjen!

Sigurisht, nëse duam të jemi krejt të sinqertë, zemërimi i britanikëve është aq i madh sa fqinjëron me puritanizmin. Në rastin e Malikit, mëkati i tij ishte se ai ishte dorështrënguar me para të e tij (në zonën elektorale të tij kishte një shtëpi të vogël) dhe dorëlëshuar me paratë e taksapaguesve (mbante një shtëpi të madhe në Londër).

Mes zemërimit puritan dhe keqmenaxhimit në shifra të larta të parave publike, ku është e mesmja e artë? Natyrisht politikanët nuk duhet të lëvizin të leckosur, po, nga ana tjetër, ne nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes keqmenaxhimin e parave publike, sidomos në mes të një krize ekonomike të thellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›