E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ikja ime nga PD-ja nuk ishte zgjidhja ime, por e Berishës”

Autori i Lajmit: red.
Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha dorëzoi dhe publikoi listën zyrtare të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 Qershorit, Preç Zogaj, që u largua në momentet e fundit nga demokratët për tek partia e Ngjelës, ka theksuar se ky vendim i tij është maturuar si pasojë e asaj që ai e quajti vendim i padrejtë i Kryeministrit për ta kandiduar jashtë qarkut të Lezhës. Zogaj në një dalje publike për median tha se “e refuzova ofertën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për të kandiduar në Shkodër, si një zgjedhje e paarsyeshme që injoron lidhjet e mia të fuqishme njerëzore dhe politike me Lezhën, si dhe kontributin tim si deputet i zgjedhur i PD-së në këtë qytet. Kam pasur dhe kam bindjen se, pasi propozohet nga partia dhe votohet nga elektorati, figura e deputetit duhet të formohet dhe konsolidohet mes zgjedhësve. Vendimi im për të refuzuar largimin nga Lezha i përgjigjet vizionit tim. Unë mbroj figurën e deputetit të popullit. Kam një bilanc pozitiv në këtë zonë, kam përmbushur të gjitha premtimet e mia në këto katër vjet së bashku me demokratët dhe qytetarët e Lezhës. Mbrëmë në kohën e paktë që pata në dispozicion, jam regjistruar si kandidat i qarkut të Lezhës për partinë “Drejtësi dhe Ligj” të avokat Spartak Ngjelës, të cilin e falënderoj për mundësinë që më dha. E lë në duart e zgjedhësve të qarkut të Lezhës mandatin e deputetit, vetëm ata kanë të drejtë ta mbyllin ose ta rinovojnë atë. Nuk akuzoj asnjë për këtë. E konsideroj një gabim të përsëritur. Kjo histori me mua ka ndodhur dhe në vitin 1992, kur një peticion prej 11 mijë firmash nga banorë të Lezhës u hodh në kosh nga drejtimi i atëhershëm i PD-së. Nuk kam marrë asnjë arsye për zhvendosjen time në Shkodër gjithçka është konsumuar në një kohë shumë të shkurtër me mundësi shumë të pakta zgjidhjeje në pamundësi kundërshtimi dhe apelimi. Kjo është një histori imja me Sali Berishën dhe jo e tjetër kujt. Ai me makinerinë e partisë dhe unë vetëm ose me zgjedhësit. Jemi takuar dhe kemi shtrënguar duart në ditën më të keqe të tij, më 9 mars, jemi pajtuar, kemi ecur bashkë. Dhe përsëri vjen një moment që më largon. Ikja ime nga PD-ja nuk ishte zgjidhja ime, por e Berishës. Historia ime me të kështu është, herë ndahemi dhe herë bashkohemi, por nuk dihet, nuk dihet se do të rikthehem apo jo. Unë jam një nga ushtarët tipikë të vjetër të PD-së dhe kemi ngelur pak nga ata ushtarë të vjetër. Unë, jo luftë brenda partisë që s munda të bëja, por doja të bëja sqarimin e çështjes dhe nuk munda të takohesha”,- përfundoi Zogaj.
Ky lajm është publikuar: 21/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›