Flamuri i hap zemrën Jozefinës për dosjen e M…M…
Flamuri u ul dje të analizonte dhe një herë listën e deputetëve. Fakti që KQZ e vonoi regjistrimin dhe nxori pretendime për gratë, e shqetësoi, por gjithçka kaloi pa probleme.
- Janë qarë për Jozefinën, tha me vete, tani ta provojnë me gratë. Ne një kemi dhe na nxiu jetën. Ta provojnë tani me 30 për qind.
Meqë Jozefina iu kujtua e para, ngaqë janë hapur shumë fjalë se ajo ka diktuar listat në gjithë veriun e Shqipërisë, filloi t’i analizonte. Në Shkodër dukej qartë që ishte dorë e saj. Me gjithë reaksionin e egër nga Shkodra për Sterkajn dhe Uldedajn, sërish Flamurit nuk i dukej ndonjë gjëmë e madhe.
- Në fund të fundit PD e njeh Sterkajn, tha. E ka pas kundërshtar dhe ia di gjithë taktikat që përdor. Ato që vodhi atëherë nga Arbnori, tani do t’i vjedhë nga PS. Ne të fituar dalim, tha. Për këtë Uldedajn nuk gjente asnjë shpjegim. Një letër anonime i thoshte se ai ka nevojë për imunitet, se ka hyrë në borxhe të mëdha me cisternat pa leje në Shëngjin. Një tjetër thoshte që ai i shkreti nuk ka faj fare, por e ka bërë Jozefina që të eliminonte Preç Zogajn. Siç dihej, Zogaj kishte qenë deputet i Lezhës dhe për katër vjet rresht i kishte krijuar probleme Uldedajt për ndërtimin e cisternave të naftës në Shëngjin pa leje dhe të rrezikshme për jetën e Lezhës. Në fillim të gjithë kishin qenë dakord, por pastaj ky Uldedaj i kishte gjetur anën Jozefinës me një biznesmen me mbiemër Curri dhe i kishte ndrequr punët. Jozefina i kishte premtuar se do merrej ajo me Preçin.
“Ta po e sheh ai, kur të vijnë listat, ku kam me e degdisë”, - i paskësh thënë.
Dhe e kishte mbajtur fjalën. E kishte futur pas Uldedajt dhe Sterkajt, në Pukë.
Por pikërisht këtu Flamurit i kishin lindur dyshimet. Mirë Zogajn që e ka heq, tha, po pse s’e ka futë Uldedajn në Lezhë, por në Shkodër?! Gjithë inati i Flamurit shkonte me Mark Markun ose M…M…, siç i thoshte ai burri shpesh. Dyshimet e Flamurit ishin se Jozefina e kishte futur këtë pa lejen e atij burrit dhe kjo kishte shumë rëndësi të zbardhej për Flamurin.
- Më 2005 unë desha të fus në KOP këtë M…M…, thoshte Flamuri me vete. Ia çova atij burrit emrin. S’dija ç’kontribut t’i thosha dhe i thashë që ka bashkëpunuar me gazetën “TemA”, na ka ndihmuar.
- Flamur, - më tha, - ai M…M… është bashkëpunëtor i Sigurimit. I kam dosjen këtu. Më është dashtë ta verifikoj më 1994, kur ka pasë një sherr me Mehmet Elezin dhe më rezulton se është i kapur. Është fatkeqësi, po është i kapur.
- Pa shikoje mirë, i thashë, se këta mirditorët e kanë të gjithë emrin M…M… dhe mos ngatërrohet.
- Flamur, e kam verifiku mirë, - më tha. - Ai është. Nuk e ndihmoj dot. Më jep ndonjë tjetër nga “TemA”, se e fut.
Dhe Flamuri kujton se i dha Agron Tufën.
- Këtë në rregull, - tha, - po e fus, po për atë s’të bëj dot nder.
Duke kujtuar këtë skenë, Flamuri po inatosej me vete me Jozefinën.
- Si t’ia ketë bërë kjo atij burrit këtë të keqe, tha. I ka futur një M…M... brenda dhe e ka dhe bashkëpunëtor Sigurimi.
E thirri Jozefinën për kafe.
- Duhet të sqarohemi, - i tha. - Unë vërtet kam hallet e zonës sime tani, po unë jam i dyti pas atij burrit dhe mbaj përgjegjësi për listat në Veri. Po thonë që ti i paske vendosur të gjithë sipas interesave të tua, por përgjegjësinë e mbaj unë dhe ai burri.
- Hek mor budallë, çfarë përgjegjsiet mban ti. Të kena ba nder me të fut në listë me të heq prej seliet, se u bane gaz i botës.
- Dua të di se si është puna e këtij M…M…, se ai burri më ka pasë thënë se është bashkëpunëtor Sigurimi.
- A, ti po e don të pastër krejt a?! E çfarë me ba me të pastaj, nëse s’na bindet në Kuvend? Me i pi langun mandatit të tij të pastër. Kenke i marrë krejt.
Flamuri u trondit nga arsyetimi i Jozefinës.
- D.m.th., i dashkan spiunë, tha me vete.
Po kam frikë, se ka shumë reaksion në Lezhë.
- Ec mor dreq me tanë lezhjanët. Ashtu bajnë tanë kohës. S’kanë lanë gja pa thanë për mua e për Palokën më 2003-in, pse vume nji kryetar bashkie në Shëngjin dhe e humbëm. As du me ditë për ta. Boll mirë e kanë listën.
- Po të kishim vënë dhe ndonjë mysliman, se kemi vënë krejt listën me katolikë, - tha Flamuri. - Jo se unë jam fetar, po na e përdorin kundërshtarët.
- Hajt mor se katolikë kanë qenë krejt, veç ca e kanë dredhë, ca jo. A ti don me vu kandidatë nga ata që e kanë dredhë e jan ba myslyman a?
As te kjo s’i kishte shku mendja Flamurit. S’dinte ç’t’i thoshte më. Ishte armatosur keqas t’i bënte presion dhe ta detyronte të tërhiqej nga emërimet e saj, por nuk mundi.
- Tani e kuptova, tha Flamuri. Unë budallai kam mendu se duhen të pastër me qenë besnikë të atij burrit. Tani e kuptova, tani e kuptova…. Po kjo grua ç’dosje t’i ketë gjet atij burrit që ia ka bërë 8 me 2, thoshte me vete.
Ka dy ditë dhe ende s’e ka gjetur dot.