Ekspertët: Vendi do të përballet me rritje çmimesh për shkak të krizës
Të dhënat që vijnë për përkeqësimin e treguesve ekonomikë në vend kanë çuar dje në ngritjen e shqetësimeve edhe nga ekspertë të huaj, dhe nga institucione të huaja, të cilat kanë paralajmëruar errësim të këtyre treguesve në muajt më pas.
Alfred Dodle, drejtori i fondacionit publik gjerman, “Fridrih Ebert”, tha se qytetarët shqiptarë rrezikojnë të përballen me rritjen e çmimeve në treg, si pasojë kjo edhe e zhvlerësimit të monedhës kombëtare, Lek. “Kriza i ka shtrirë efektet e saj në Shqipëri, por vendi juaj nuk preket ende nga kriza, pasi është ende jo-konkurrues në tregun evropian. Por investitorët e huaj do të tërhiqen nga Shqipëria, pasi ndihen të pasigurt. Efektet do të shtrihen edhe në remitancat, pasi emigrantët do të sjellin më pak pará pranë familjeve të tyre. Efektet e krizës do të reflektohen në zhvlerësimin e lekut, inflacioni pritet që të rritet, ndërkohë që problem do të jetë edhe punësimi i të rinjve”, - u shpreh drejtori i fondacionit “Fridrih Ebert”, Alfred Dodle. Gjatë një diskutimi lidhur me krizën ekonomike dhe ndikimin e saj në ekonomi dhe jetën sociale, ekspertët kanë theksuar se efektet e recensionit botëror po ndihen në shumë sektorë, disa prej të cilëve janë bazë për zhvillimin e vendit. Kriza ekonomike në vend nuk është në nivelet që ajo është shfaqur në vendet e tjera të rajonit, në të cilat ajo ka rënduar shumë më tepër treguesit ekonomikë dhe këto vende janë në recesion, por në Shqipëri megjithatë efektet janë të pranishme. Numri i vendeve të punës është duke rënë ditë pas dite në disa sektorë të rëndësishëm si ai i tekstileve, i nxjerrjes së mineraleve, i industrisë përpunuese etj. Vlera e parasë vendase, lekut, ka rënë dhe priret të bjerë ende duke shtrenjtuar koston e jetesës, deficiti tregtar dhe ai buxhetor po rritet. Që të gjithë këta tregues janë duke u përkeqësuar dhe këta tregues do të ishin në gjendje shumë më të keqe, nëse Shqipëria do të shihet një vend më i përfshirë në ekonominë botërore. Duhet thënë se disa prej masave të kahershme të qeverisë shqiptare në fushën e investimeve publike dhe në atë të legjislacionit fiskal kanë qenë vërtet pararendëse të një krize të tillë. Thuajse të gjitha vendet e përfshira në krizë po e kërkojnë shpëtimin te rritja e investimeve publike dhe te ndërhyrjet monetare e fiskale.